BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 16 qershor 2010

Data e publikimit: 16.06.2010

 

1. Në mbledhjen e tij të datës 16.06.2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi:

  • Raportin Vjetor të Mbikëqyrjes për vitin 2009

Funksioni i mbikëqyrjes ushtrohet nga Banka e Shqipërisë, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoriteti licencues dhe mbikëqyrës i bankave dhe i subjekteve të tjera, që kryejnë veprimtari financiare të licencuara prej saj. Qëllimi i publikimit të këtij raporti është në radhë të parë të njohë publikun me rolin dhe aktivitetin e mbikëqyrjes bankare dhe nga ana tjetër, të krijojë mundësi për marrjen e një informacioni për sistemin bankar dhe zhvillimet kryesore të tij.

Raporti Vjetor i Mbikëqyrjes për vitin 2009, i përgatitur nga Departamenti i Mbikëqyrjes, është strukturuar në disa seksione. Ai fillon me një përshkrim të misionit të mbikëqyrjes, ku trajtohet qëllimi dhe fokusi i mbikëqyrjes si dhe mjetet në funksion të përmbushjes me sukses të misionit. Materiali vijon me një prezantim të përmbledhur të strategjisë së re afatmesme për zhvillimin e mbikëqyrjes, çka përbën një risi kundrejt publikimeve të mëparshme. Më tej, jepet një pasqyrë e zhvillimeve në kuadrin rregullativ dhe licencues në përshtatje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Në publikim trajtohet gjithashtu veprimtaria e mbikëqyrjes në vend, tematika e inspektimeve, gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme për subjektet e inspektuara, ndërkohë që një kapitull i veçantë përqendrohet në një vlerësim të përgjithshëm të ecurisë së sistemit bankar në këndvështrimin e dinamikës së rreziqeve dhe mjaftueshmërisë së kapitalit për mbulimin e tyre. Raporti mbyllet me një përshkrim të aktivitetit të Zyrës së Regjistrit të Kredive.

Ndër pikat më të rëndësishme të trajtuara në material mund të veçohen:

a) Strategjia e Zhvillimit të Mbikëqyrjes

Strategjia e Zhvillimit të Mbikëqyrjes Bankare për periudhën afatmesme 2009-2014 i përgjigjet sfidave me të cilat përballet zhvillimi i mbikëqyrjes bankare që burojnë nga ndryshimet dinamike të mjedisit ekonomik, ndryshimet e standardeve ndërkombëtare për industrinë bankare dhe për funksionin mbikëqyrës, duke marrë gjithashtu në konsideratë rëndësinë e sektorit bankar për ekonominë shqiptare. Kryefjala e kësaj strategjie është mbikëqyrja e fokusuar në rrezik, e cila nënkupton trajtimin e institucioneve financiare mbi bazë prioritetesh, vlerësimin në respekt më së shumti të principeve kundrejt rregullave si dhe vlerësimin jo vetëm sasior të rreziqeve, por edhe cilësinë e administrimit të tyre dhe ambientin e kontrollit. Në këtë kuadër, është realizuar një vlerësim mbi efektshmërinë e strukturës organizative ekzistuese të Departamentit të Mbikëqyrjes në kushtet e zhvillimeve aktuale të tregut bankar. Projekti është asistuar edhe nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar nëpërmjet këshilltarit të tij pranë Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të procesit u përpilua një model që bazohej në një profilizim të qartë të rreziqeve dhe që synonte të korrigjonte dobësitë e strukturës paraardhëse.

b) Zhvillimet në kuadrin rregullativ dhe licencimi

Viti 2009 finalizoi hartimin e disa rregulloreve të reja dhe njohu ndryshime në disa rregullore të tjera të mbikëqyrjes bankare. Ky proces konsideroi në vazhdimësi përputhshmërinë me dispozitat e ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, ndërthurjen me zbatimin e parimeve dhe standardeve të Komitetit të Bazelit për një mbikëqyrje efektive, direktivave të Këshillit Evropian dhe praktikave më të mira në fushën e rregullimit e mbikëqyrjes së institucioneve financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë, si dhe në veçanti duke marrë shtysë nga zhvillimet në sistemin bankar shqiptar dhe në tregjet financiare botërore, kryesisht nga kriza e fundit financiare. Procesi i hartimit dhe rishikimit të rregulloreve të mbikëqyrjes, edhe gjatë këtij viti, ka evidentuar karakterin proaktiv të autoritetit mbikëqyrës, të shfaqur në diskutimet dhe takimet e hapura me industrinë bankare për ndarjen e opinioneve lidhur me çështje me rëndësi për sistemin dhe banka të veçanta të tij. Ndërkohë, për sa i përket funksionit të licencimit, viti 2009 ka shënuar ndër të tjera ndryshime në strukturën e aksionerëve dhe të kapitalit aksioner të disa bankave, një shtim të veprimtarive dhe të produkteve bankare dhe zgjerim të rrjetit të bankave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe një shtim të numrit të subjekteve jobanka që kryejnë veprimtari financiare, shoqërive të kursim-kreditit dhe zyrave të këmbimit valutor.

c) Mbikëqyrja në vend

Funksioni i mbikëqyrjes në vend mundëson një vlerësim nga afër të aktivitetit të bankave dhe institucioneve financiare jobanka dhe kontrollon respektimin e kuadrit ligjor e rregullativ nga ana e tyre. Gjatë vitit 2009, aktiviteti i subjekteve të licencuara i është nënshtruar një analize të thelluar, sidomos në drejtim të nevojave për likuiditet. Kjo ka kërkuar angazhim intensiv të burimeve njerëzore. Si rrjedhojë, përveç respektimit të ciklit mbikëqyrës, është mbajtur një kontakt i vazhdueshëm me bankat për fenomene që kanë përbërë shqetësim mbikëqyrës gjatë vitit. Janë marrë masa për adresimin në kohë të fenomeneve të shfaqura, veçanërisht për çështjet e menaxhimit të situatës së likuiditetit dhe cilësisë së portofolit të kredive. Megjithëse, fokusi mbikëqyrës dhe burimet kanë qenë të orientuara kryesisht në ekzaminimet e bankave, për vetë peshën dhe rëndësinë që kanë në sistemin financiar, në asnjë moment nuk janë anashkaluar subjektet financiare jobanka. Bashkëpunimi me institucione të ndryshme të cilat monitorojnë aktivitete të veçanta të tregut financiar ka vijuar edhe këtë vit. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë është bërë pjesë e katër kolegjeve të krijuara me iniciativën e Bankës Qendrore Evropiane për mbikëqyrjen e institucioneve bankare evropiane që zhvillojnë veprimtari edhe në Shqipëri.

d) Zhvillimet në sistemin bankar

Viti 2009, në ndryshim nga një vit më parë, u karakterizua nga zhvillime disi më të qëndrueshme, edhe pse disa prej treguesve kryesorë treguan një prirje drejt niveleve më pak të favorshme se një vit më parë. Analiza vlerëson për të dytin vit radhazi një shkallë rreziku në rritje dhe rënie të fuqisë financiare të sistemit bankar. Megjithëkëtë, përshtatshmëria e nivelit të kapitalit rregullator ndaj shkallës së rreziqeve, kryesisht rrezikut të kredisë, ka mbetur përgjithësisht e balancuar si rrjedhojë e ruajtjes së niveleve dukshëm mbi minimumin rregullator të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, apo përllogaritja e një shkalle relativisht të lartë të mbulimit me kapital rregullator të tërësisë së rreziqeve, përfshi edhe rrezikun e tregut. Sistemi bankar në fund të vitit 2009, vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies, kryesisht për bizneset. Rritja e depozitave si shprehje e rikthimit të besimit të publikut duket se ka rikuperuar rënien e tyre gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008. Ndërkohë, kreditë me probleme kanë pësuar një rritje të shpejtë dhe cilësia e portofolit të kredive është përkeqësuar ndjeshëm. Për rrjedhojë, rentabiliteti i sistemit bankar është përkeqësuar, në sajë të rritjes së madhe të shpenzimeve për provigjone të humbjeve nga huatë.

e) Regjistri i Kredive

Funksionimi i Regjistrit të Kredive, tanimë prej dy vitesh, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri. Ai bën të mundur trajtimin e përqendruar të informacionit dhe të të dhënave në lidhje me ekspozimin e çdo kredimarrësi dhe personave të lidhur me të. Gjatë këtij viti, bankat kanë kryer raportimin e informacionit sipas standardeve të kërkuara, si dhe kanë shfrytëzuar informacionet e Regjistrit të Kredive brenda kritereve dhe qëllimeve të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe rregullativ përkatës. Regjistri i Kredive synon të përfshijë të dhëna nga të gjitha subjektet financiare të angazhuara në aktivitetin e kredidhënies. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2009 Banka e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi projektin për të përfshirë në sistemin e Regjistrit të Kredive subjektet financiare jobanka që janë licencuar për veprimtarinë e kredidhënies si dhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, por duke mbajtur gjithnjë në konsideratë se realizimi i tij kërkon plotësimin e të gjitha kushteve dhe kritereve të përcaktuara si në drejtim të infrastrukturës teknike, ashtu edhe asaj rregullative.

Raporti Vjetor i Mbikëqyrjes për vitin 2009 do të publikohet së shpejti i plotë.

2. Në bazë të kërkesave të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi kërkesën e Bankës Credins sh.a. për të kryer veprimtarinë shtesë dhe vendosi:

· Të japë miratimin paraprak për Bankën Credins sh.a. për kryerjen e veprimtarisë të ndërmjetësimit për transaksionet monetare të marrjes në kujdestari, shërbimeve depozituese dhe të besimit.

Kjo veprimtari shtesë, që miratohet për Bankën Credins sh.a. do t’i shërbejë zhvillimit dhe zgjerimit të veprimtarive bankare dhe financiare që kryhen nga bankat që veprojnë në Republikën e Shqipërisë.

3. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe projektvendimin “Për miratimin e procedurës ‘Prokurim i drejtpërdrejt디, për blerjen e pronës së paluajtshme shtetërore ‘Ish Hotel Dajti’ nga Banka e Shqipërisë, me fond limit 4.148.400.000 (katër miliard e njëqind e dyzetetetë milionë e katërqind mijë) lekë.

Gjatë diskutimeve në lidhje me këtë pikë të rendit të ditës, mbështetur në nevojat e Bankës së Shqipërisë, të evidentuara në rritje ndër vite, për zgjerim të ambienteve në të cilat zhvillohet aktiviteti i saj përditshëm, si dhe në përmbushje të detyrimeve për përafrimin e kushteve të punës me standardet bashkëkohore të bankingut qendror, Këshilli Mbikëqyrës mbështetur në shkronjën “c”, të pikës 4, të nenit 1 dhe shkronjën “c”, të nenit 4 të ligjit nr. 8269, 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, në të cilat parashikohet e drejta e Bankës së Shqipërisë për të blerë, kur çmohet e nevojshme dhe e përshtatshme prej kësaj të fundit, pasuri të paluajtshme me kushtin e përdorimit për qëllime të sigurimit dhe administrimit të aspektit operacional të saj, vlerësoi të domosdoshme një vendimmarrje të këtij organi në lidhje me zgjerimin e ambienteve të punës, përmes blerjes të pasurisë së paluajtshme “Ish Hotel Dajti” për këtë qëllim.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se prona e paluajtshme “Ish Hotel Dajti”, ofron sipërfaqe ndërtimore, ambiente rrethuese, vendndodhje dhe vlera historike shumë të njohura dhe së bashku me ndërtesën ekzistuese të selisë qendrore, ofrojnë zgjidhje afatgjatë të nevojave të Bankës së Shqipërisë për ambiente pune dhe një mbështetje të plotë për zhvillimin e veprimtarisë së saj.

Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës, në përputhje me kompetencën që i njeh Ligji për të vendosur mbi politikat e administrimit në përgjithësi, dhe përcaktimin e mënyrave ose procedurave të përdorimit të mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës, si dhe në përputhje me procedurat e prokurimit që zbatohen në Bankën e Shqipërisë, miratuar me Vendimin nr.81, datë 15.11.2006 të Këshillit Mbikëqyrës (Rregullore “Për procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar), në përfundim të shqyrtimit vendosi të miratojë vendimin e paraqitur mbi procedurën përkatëse për blerjen e pronës së paluajtshme “Ish Hotel Dajti”.