BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 17 shtator 2008

Data e publikimit: 17.09.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 17 shtator 2008, mori në shqyrtim raportin "Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008".

Rritja e aktiveve të sistemit bankar vijoi edhe në tremujorin e dytë të vitit 2008, por në nivele më të ulta se një tremujor më parë. Kontributin kryesor e dhanë bankat e mëdha, ndërsa norma më e lartë e rritjes u shfaq për grupin e bankave të mesme. Rritja e aktiveve të sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit 2008, u pasqyrua kryesisht në rritjen e portofolit të kredisë, 33.5 miliardë lekë ose 10.7 për qind (përbëjnë rreth 43 për qind të totalit të aktiveve); ndërsa burim kryesor u identifikua rritja e depozitave të sistemit bankar me 18.2 miliardë lekë ose me 2.87 për qind.

Gjatë këtij tremujori, kredia në monedhën vendase u rrit me ritme të krahasueshme me kredinë në monedhë të huaj. Zhvillimet për pjesën e pambuluar të kredisë në monedhë të huaj nga rreziku i kursit të këmbimit tregojnë sërish peshën më të madhe që zë segmenti "për pasuri të paluajtshme", prej rreth 54.1 për qind.

Në ndryshim nga një tendencë e vënë re kohët e fundit, u evidentua ritëm më i lartë rritës për kredinë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve dhe kryesisht e dhënë në monedhë të huaj, veçanërisht për bizneset.

Struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë në qershor vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme. Vlerësojmë se struktura paraqitet përgjithësisht e diversifikuar, duke ofruar mundësi për stabilitet të portofolit të kredive nga pikëpamja cilësore dhe kontribut, relativisht optimal për zhvillimin e eknomisë. Megjithëkëtë, veçojmë sektorin e bujqësisë që ende mbetet i nënvleftësuar dhe pa mbështetje nga sektori bankar.

Tremujori i dytë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me rreth 2.7 miliardë lekë ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit (mbi baza bruto) përllogaritet në nivelin 4.31 për qind, nga 3.92 për qind në tremujorin e parë. Kjo ecuri jo pozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Edhe treguesi "kredi me probleme / teprica e kredisë (neto)", i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, u përkeqësua, në nivelin 2.43 për qind nga 2.08 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Treguesi "kredi ndaj totalit të depozitave" ka pësuar sërish rritje. Veçanërisht dallohen bankat e mesme, të cilat shfaqin një prirje më të madhe për të rritur peshën e kredive kundrejt depozitave. Treguesi shfaq vlerë të ulët në monedhën vendase dhe në usd. Treguesi në monedhën euro, pas një rënije të lehtë gjatë viteve 2006 dhe 2007,është rritur në tremujorin e parë të vitit 2008, duke arritur vlerën e fundit të vitit 2004 dhe ka vazhduar të rritet më tej, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008.

Performanca e treguesve kryesorë të rentabilitetit, përkatësisht kthimi nga aktivet mesatare (RoAA) dhe kthimi nga kapitali mestar (RoAE), krahasuar me një tremujor më parë, përllogaritet më e lartë. Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të dy treguesit rezultojnë në nivele më të ulta. Gjithashtu, analiza e dinamikës së komponentëve të RoAE në tremujorin e dytë të vitit 2008 apo në fund të muajit qershor, tregon për një shkallë rreziku në rënie si edhe forcim të fuqisë financiare të sistemit bankar.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar raportohet 52.1 miliardë lekë në fund të qershorit 2008. Krahasuar, me tremujorin paraardhës vlera e tij është rritur me 2.9 miliardë lekë apo 5.8 për qind. Totali i aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut, u rrit me 15.9 miliardë lekë apo 5.6 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndërsa, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin paraqet një rritje të pakonsiderueshme prej 0,1 për qind, duke arritur në masën 17,3 për qind.
Kërkesa për kapital rregullator për mbrojtjen nga ndryshimet në kursin e këmbimit e cila përllogaritet me bazë gjashtëmujore, paraqitet në 418 milionë lekë ose 0.7 për qind e kapitalit rregullator të sistemit për qershorin 2008 dhe përfshin 10 banka të sistemit. Norma e përgjithshme e mbulimit të sistemit tregon se kapitali rregullator i sistemit tejkalon me 39 për qind, kapitalin rregullator të nevojshëm për të mbuluar rrezikun e kundëpartisë, rrezikun e normës së interesit dhe rrezikun e kursit të këmbimit.

Performanca e sistemit bankar e matur në vlerë absolute, nëpërmjet rezultatit neto, ka qenë më e mirë se në tremujorin paraardhës. Analiza e komponentëve kryesorë për të ardhurat dhe shpenzimet, tregon se rezultati neto i sistemit bankar në këtë tremujor ka dalë me rreth 623 milionë lekë, më shumë se sa ka rezultuar në tremujorin e parë të këtij viti.

• Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe disa informacione, si dhe miratoi disa vendime, që lidhen me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.