BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 19 nëntor 2008

Data e publikimit: 19.11.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 19 nëntor 2008, mori në shqyrtim raportin "Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008".

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në ecurinë e sistemit bankar:

Aktivet e sistemit bankar u rritën edhe në tremujorin e tretë të vitit 2008 me rreth 50.06 miliardë lekë ose 6.2 për qind. Ndryshimi i aktiveve sipas grupbankave dallon grupin e bankave të vogla (G1) me normën më të lartë të rritjes dhe konkretisht me 12.6 për qind ose me rreth 3.5 miliardë lekë, pasuar nga G2 dhe G3.

Depozitat me afat, të vendosura në institucione financiare jorezidente përfaqësojnë vendosjet kryesore në këto institucione, rreth 91 për qind në tetor'08. Ato ndiqen nga llogaritë rrjedhëse të cilat përbëjnë rreth 5.2 për qind të vendosjeve dhe huatë dhënë këtyre institucioneve me peshë 3.8 për qind. Rreth 67.5 për qind e depozitave në institucione financiare jorezidente në fund të muajit tetor, janë me afat maturimi deri në një muaj.

Struktura e marrëdhënieve1 me institucionet financiare jorezidente sipas shteteve ku ato operojnë, pasqyron politikën e bankave për të investuar fondet e lira pranë bankës mëmë, kryesisht në vende si Greqi, Itali, Austri etj.. Marrëdhëniet e bankave që operojnë në tregun shqiptar me institucionet financiare jorezidente që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë vetëm 0.12 për qind2 të totalit të këtyre marrëdhënieve.

Teprica e kredisë së sistemit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 shënoi rritje me rreth 30.8 miliardë lekë ose me 8.9 për qind, nga rritja me 33.5 miliardë lekë ose me 10.7 për qind tremujorin paraardhës dhe nga 20.6 miliardë ose 8.6 për qind, për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe këtë tremujor, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive dallon për ritmin më të lartë rritës të kredisë akorduar bizneseve, kundrejt kredisë dhënë individëve. Tendenca e periudhave të fundit, gjatë të cilave portofoli i kredive akorduar individëve prezantonte peshë në rritje në portofolin e kredive, ka ndryshuar kah në tremujorin e dytë duke u prezantuar në rënie krahasuar me periudhën e mëparshme dhe vazhdon edhe në këtë tremujor të tretë të vitit.

Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë (biznes dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, dallon në tremujorin e tretë të vitit 2008 peshën më të madhe të kredisë për "investime në pasuri të paluajtshme" dhënë individëve, me 23.0 për qind3 të tepricës totale të kredisë, pasuar nga "investimet në blerje pajisjesh" të bizneseve, me 18.6 për qind të totalit. Ndërsa, struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë në shtator 2008 (referuar vetëm klientëve rezidentë) vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme. Vlerësojmë se struktura paraqitet përgjithësisht e diversifikuar duke ofruar mundësi për stabilitet të portofolit të kredive nga pikëpamja cilësore dhe kontribut relativisht optimal për zhvillimin e ekonomisë. Megjithëkëtë, veçojmë sektorin e bujqësisë që ende mbetet i nënvlerësuar dhe pa mbështetje nga sektori bankar ndërkohë që kreditimi i tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë, mbetet më i parapëlqyer.

Tremujori i tretë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 4.3 për qind, nga rritja me 25.2 për qind në tremujorin e parë dhe 21.6 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2008. Ndërsa, treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit "kredi me probleme/totali i kredive" u përmirësua, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë. Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit, tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon.

Raporti kredi ndaj depozitave, në të gjitha monedhat, për sistemin është rritur me 1.1 pikë përqindje, duke arritur në 54.4 për qind. Ky tregues është në nivel të kënaqshëm, por në rritje graduale gjatë tremujorëve të këtij viti.

Në tremujorin e tretë të vitit 2008, kapitali aksioner i sistemit u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë apo 6.5 për qind, duke arritur në 68.5 miliardë lekë në fund të shtatorit 2008. Këtë tremujor, të tre grupbankat kanë prezantuar rritje të kapitalit aksioner. Raporti i aktiveve mbi kapitalin aksioner të sistemit ose ndryshe leva financiare e sistemit është zvogeluar nga 13.1 në 12.5 përgjatë një viti, që do të thotë se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar raportohet në 58.4 miliardë lekë, në fund të shtatorit 2008. Krahasuar me tremujorin paraardhës vlera e tij është rritur me 6.3 miliardë lekë apo 12 për qind. Të dy komponentët e kapitalit rregullator, kapitali bazë dhe ai shtesë janë rritur. Kapitali bazë vijon të dominojë në përbërjen e kapitalit rregullator të sistemit, dukë zënë 95.1 për qind, edhe pse në nivele më të ulta sesa një periudhë më parë, ndërkohë që aftësia e sistemit për të mbuluar me kapital rregullator humbjet potenciale nga kredia, rezulton më e lartë.

Treguesi i raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin ka shfaqur përgjithësisht tendencë rënëse deri në dhjetor 2007, ndërsa gjatë tremujorëve të vitit aktual ky tregues ka ardhur në rritje dhe këtë tremujor është rritur me 0.2 pikë përqindje, duke arritur mesatarisht në nivelin 17.5 për qind.

Performanca e sistemit bankar e matur në vlerë absolute, nëpërmjet rezultatit neto, ka qenë më pak e mirë se një periudhë më parë, ndërkohë që treguesit e tjerë që vlerësojnë cilësisht efektivitetin e sistemit bankar, tregojnë për një performancë të krahasueshme me fundin e qershorit. Referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë, treguesit e efektivitetit përgjithësisht janë më të ulët si pasojë e rritjes së shpenzimeve për provigjone gjatë vitit 2008 dhe e rritjes së shpenzimeve të veprimtarisë së bankave, ndërkohë që e ardhura operative nuk ka qenë plotësisht në nivelin e duhur, për të mbuluar shpenzimet e rritura.

_________________________________________________________________________________________________
1Përfshirë këtu vendosjet dhe financimet.
2Në fund të tetorit'08 nga 0.26 për qind në shtator'08.
3Kredia dhënë individëve për qëllime investimi në pasuri të paluajtshme përbën rreth 65.7 për qind të kredisë dhënë individëve. Ovërdraftet pëbëjnë vetëm 4.8 për qind të kësaj teprice.