BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 23 janar 2008

Data e publikimit: 24.01.2008

 

Në mbledhjen e datës 23 janar 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi:

• Kërkesën e aksionerëve të Bankës ProCredit sh.a, për transferimin e pronësisë së 36.25 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës ProCredit sh.a., nga aksionerët International Finance Corporation (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe Fondacioni FEFAD, Shqipëri tek aksioneri ProCredit Holding AG, Gjermani.
Ky transferim konsiston në shitjen e aksioneve të Bankës ProCredit sh.a. të zotëruara nga Fondacioni FEFAD, Shqipëri e International Finance Corporation, pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe blerjen e tyre nga ProCredit Holding AG, Gjermani në masën 36.25 për qind.

Pas këtij miratimi, struktura e aksionerëve të Bankës ProCredit sh.a. do të jetë:

Aksioneri

Pjesëmarrja në përqindje

ProCredit Holding A.G.

80.00

Commerzbank A.G.

20.00

T O T A L I

100.00

ProCredit Holding AG është shoqëri aksionere e regjistruar në Republikën Federale të Gjermanisë, e cila ka investuar në Shqipëri, Angolë, Bolivi, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, Ekuador, El Salvador, Gjeorgji, Ganë, Kosovë, Maqedoni, Moldavi, Mozambik, Nikaragua, Rumani, Serbi, Sierra Leone, Ukrainë, Republikën Demokratike të Kongos, Meksikë, Kolumbi dhe Honduras.

ProCredit Holding AG, në bashkëpunim me aksionerët e tij kryesorë, ka forcuar më tej rolin mbështetës në bankat e grupit ProCredit në fusha të rëndësishme, të tilla si zhvillimi i biznesit, administrimin e rrezikut, kontrolli dhe teknologjia e informacionit, si edhe trainimi i burimeve njerëzore. Bazuar, ndër të tjera në strukturën e fortë dhe të qëndrueshme të aksionerëve, ProCredit Holding AG është në një pozicion shumë të mirë për të rritur më tej kapitalin.

• Në këtë mbledhje, u miratuan edhe Programi i Punës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2008, vendimi për mënyrën e rritjes së fondit të themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe disa vendime të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.