BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 24 qershor 2009

Data e publikimit: 24.06.2009

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 qershor 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind.


Analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore. Ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit e konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie. Ky zhvillim është reflektuar në reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve dhe në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste. Nga ana tjetër, presionet e jashtme inflacioniste kanë ardhur në rritje: ulja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore është kompensuar nga nënçmimi i lekut gjatë kësaj periudhe, duke rezultuar në rritjen e çmimeve në vend të disa mallrave të importit dhe duke sjellë një rritje të lehtë të inflacionit në muajin maj kundrejt nivelit të shënuar në muajin e shkuar. Ndikimi i nënçmimit të kursit të këmbimit pritet të shfaqet më i plotë gjatë muajve në vijim, duke ekuilibruar presionet e reduktuara inflacioniste të kërkesës së brendshme. Për rrjedhojë, bilanci i presioneve inflacioniste duket i balancuar dhe ecuria e inflacionit të çmimeve të konsumit pritet të luhatet brenda nivelit objektiv të Bankës së Shqipërisë gjatë periudhës së ardhme. Ky parashikim mbështetet edhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë, të cilat mbeten të ankoruara rreth nivelit 3 për qind.

Aktiviteti ekonomik botëror, i matur nga rritja ekonomike, niveli i tregtisë globale dhe i lëvizjes së flukseve të kapitalit, ka vijuar të ngadalësohet më tej gjatë muajve prill-maj. Në vendet e zhvilluara, vërehet një moderim i ritmeve të rënies por treguesit ekonomikë ende nuk flasin për një përfundim të shpejtë të recesionit ekonomik. Zgjatja dhe intensiteti i lartë i krizës kanë sjellë përkeqësimin e situatës ekonomike të vendeve në zhvillim, duke përfshirë edhe vendet e rajonit, ndërkohë që disa prej tyre kanë rënë në recesion. Çmimet e lëndëve të para dhe bazë mbeten më të ulëta se ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e inflacionit në vend në muajin maj, ka vijuar të pasqyrojë në mënyrë më të plotë prirjen nënçmuese të kursit të këmbimit në çmimet e mallrave të konsumit që kanë origjinë importi. Inflacioni vjetor në muajin maj të vitit 2009 rezultoi 2.1 për qind, duke u rikthyer brenda intervalit të tolerancës rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Kontributin kryesor në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet e papërpunuara me 1.8 pikë përqindjeje dhe ato të përpunuara me 0.3 pikë përqindjeje. Çmimet e administruara dhanë kontribut negativ prej 0.4 pikë përqindjeje duke kompensuar kontributin pozitiv të kategorisë “Shërbime”. Goditje relativisht të lehta nga krahu i ofertës, si rritja e çmimit të naftës, kanë gjetur reflektim në rritje e inflacionit të muajit maj.

Informacioni më i fundit dhe analizat përkatëse sugjerojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend në tremujorin e parë, i shprehur ky në ngushtimin e aktivitetit kredidhënës për sektorin privat, në rënien e eksporteve, në ngdalësimin e ritmit të zgjerimit monetar dhe në mosrealizimin e planit të të ardhurave fiskale. Rezultatet e vrojtimeve të besimit konfirmojnë rënien e ritmit të rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë dhe të dytë 2009, duke sinjalizuar dobësimin e kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Tremujori i parë i vitit 2009 dëshmon për përkeqësim të pozicionit të jashtëm të vendit si pasojë e zgjerimit të deficitit korent, i cili ka rezultuar rreth 25 për qind më i lartë se një vit më parë. Rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme ka sjellë rënien e importeve dhe të eksporteve, duke rezultuar me një ngushtim të lehtë të deficitit të bilancit tregtar. Eksportet dhe importet e mallrave shënuan rënie vjetore, respektivisht prej 14.7 për qind dhe 5.6 për qind. Megjithatë, rënia e suficitit të të ardhurave korente dhe të shërbimeve, ka sjellë zgjerimin e deficitit të llogarisë korente. Ky zgjerim nuk është mbuluar plotësisht nga të hyrat e llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në një deficit të lehtë të bilancit të pagesave për këtë periudhë. Një zhvillim i tillë është duke u monitoruar me kujdesin e duhur nga Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar implikimet e mundshme të tij për ekuilibrat makroekonomikë dhe duke faktorizuar nevojën për një qëndrueshmëri afatgjatë të pozicionit të jashtëm valutor të ekonomisë në vendimmarrjen e saj.

Treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe e shpenzimeve buxhetore gjatë muajve të parë të vitit, por të dy këta tregues kanë qenë poshtë nivelit të planifikuar për këtë periudhë. Rritja e shpenzimeve është diktuar në një masë të madhe nga rritja e shpenzimeve kapitale ndërkohë që ecuria e të ardhurave ka reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit. Bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve ka rezultuar në një rritje të deficitit buxhetor përtej shifrave të planifikuara. Ky zhvillim kërkon vëmendjen e duhur të autoriteteve fiskale, për të bërë të mundur në çdo rast një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore. Ruajtja e parametrave të planifikuar buxhetorë do të ndihmojë kontrollin e ekuilibrave makroekonomikë të vendit dhe do të lehtësojë administrimin e tregut të brendshëm financiar.

Duke filluar nga muaji prill, situata e likuiditetit në sistemin bankar ka ardhur duke u përmirësuar. Ky zhvillim është reflektuar në rritjen e aktivitetit të tregut ndërbankar dhe uljen e normave afatshkurtra të interesit në të. Ndërkohë, normat më afatgjata të interesit kanë shënuar një rritje të mëtejshme, duke reflektuar si ç’balancimin e kërkesës dhe ofertës për fonde në këto maturitete, ashtu edhe rritjen e primeve perceptuar të rrezikut nga ana e ofruesve të fondeve. Këto zhvillime janë pasqyruar edhe në rritjen e normave të interesit të kredive në lekë, të cilat ndjekin nga afër ecurinë e normave të interesit të letrave afatgjata të borxhit të qeverisë. Nga ana tjetër, rënia e normave të interesit në tregun ndërkombëtar nuk ka çuar në uljen e interesave të kredisë në valutë në tregun e brendshëm. Edhe gjatë muajit maj ecuria e lekut ka vijuar thellimin e tendencës nënçmuese, ndërkohë që ecuria e tij në muajin qershor paraqet një sjellje mbiçmuese, kryesisht nën efektin e faktorëve sezonalë.

Në përgjigje të zhvillimeve të ekonomisë reale dhe të ecurisë së tregut financiar, kredia për ekonominë ka vijuar ngadalësohet më tej në muajin prill. Norma vjetore e rritjes së saj (e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit), shënoi vlerën 21 për qind në muajin prill kundrejt vlerës 25 për qind të shënuar në muajin mars. Shtrëngimi i kushteve të përgjithshme të kredidhënies është ndjerë më tepër në plotësimin e kërkesës për huamarrje në valutë. Në muajin prill, pesha e kredisë në lekë ndaj totalit të kredisë u rrit në 31 për qind, nga 28 për qind në fund të vitit 2008.

* * *

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, në inflacion si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin “Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend. Ai siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky qëndrim mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare.