BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 25 tetor 2006

Data e publikimit: 25.10.2006

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 25 tetor 2006, me propozimin e Departamentit të Politkës Monetare mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Opinionin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e ekonomisë në tremujorin e tretë të vitit 2006".

Ekonomia shqiptare është zhvilluar përgjithësisht në përputhje me parashikimet gjatë gjysmës së parë të vitit 2006. Ecuria e shitjeve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, realizimi i planit të të ardhurave buxhetore dhe ritmi i shpejtë i absorbimit të kredisë nga sektori privat mbështetin projeksionin e një rritjeje ekonomike prej 5 për qind për vitin 2006.

Aktiviteti ekonomik është favorizuar nga stabiliteti makroekonomik dhe nga kushtet e favorshme monetare. Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qëndruar në nivele të kontrolluara, duke u luhatur rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Aktiviteti fiskal është karakterizuar nga një rritje e qëndrueshme e të ardhurave buxhetore përkundrejt vonesës në kryerjen e shpenzimeve, veçanërisht të atyre kapitale, duke prodhuar një suficit buxhetor gjatë kësaj periudhe. Shkëmbimet tregtare me jashtë janë zgjeruar më tej. Eksportet dhe importet e mallrave kanë ruajtur ritmet e rritjes të viteve të mëparshme, duke rezultuar në thellim të deficitit tregtar. Zhvillimet monetare janë karakterizuar nga një stabilitet relativ i treguesve, luhatje e normave të interesit rreth niveleve minimale historike, qëndrueshmëri e kursit të këmbimit dhe kreditim i shpejtë i ekonomisë. Teprica e kredisë u rrit me 38 miliardë lekë gjatë tetë muajve të parë të vitit, duke mbëshetur rritjen e konsumit dhe investimeve në ekonomi. Kursi i këmbimit të monedhës sonë kombëtare, lekut, ka qëndruar pothuajse i pandryshuar përgjatë gjithë periudhës.

Rritja vjetore e shitjeve për gjashtëmujorin e parë ishte në nivelin 11 për qind, duke qenë afër mesatares së regjistruar gjatë viteve të fundit. Ritja e shitjeve është suportuar kryesisht nga zhvillimet e tremujorit të parë, ndërkohë që tremujori i dytë ka regjistruar një rritje më të ngadaltë të shitjeve. Ky zhvillim mund të shpjegohet me përpjekjet e sektorit privat për të rikuperuar aktivitetin e munguar gjatë krizës energjitike të fundit të vitit të kaluar në tremujorin e parë. Nga ana tjetër, edhe zhvillimet sektoriale të ekonomisë paraqesin një rritje ekonomike jo të njëtrajtshme midis sektorëve të prodhimit. Sektori i tregtisë, i cili mban peshën kryesore në vëllimin total të shitjeve, ka patur ritmin më të lartë të rritjes, duke dhënë kontributin më të lartë në rritjen e shitjeve. Tendencë pozitive është vënë re edhe në ecurinë e shitjeve të shërbimeve të tjera, ndër të cilat spikasin shërbimet financiare dhe transaksionet në pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, shitjet e sektorit të ndërtimit dhe të atij të transportit kanë shfaqur shenja ngadalësimi prej disa tremujorësh, duke zbehur një nga nxitësit historikë të rritjes ekonomike. Për rëndësinë që kanë këta sektorë në ekonominë e vendit, ecuria e tyre meriton një vëmendje të vecantë, duke qenë se ajo do të kushtëzojë ritmet e rritjes ekonomike në periudhën afatmesme.

Në lëmin e politikës fiskale veçohet prania e zgjatur e një suficiti buxhetor. Bilanci buxhetor në fund të muajit gusht rezulton me një tepricë pozitive në nivelin 10.9 miliardë lekë. Megjithatë, periudha në vijim, ne kushtet kur qeveria synon të realizojë të gjithë financimin e brendshëm të planifikuar (rreth 22 miliardë lekë), mbart shqetësime në lidhje me ecurinë e yield-eve të bonove të thesarit si dhe me ecurinë e likuiditetit në sistem. Rritja e evidentuar kohët e fundit e ilustron më së miri shqetësimin e mësipërm. Pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë mbetet e pandryshuar në qëndrimin e saj për të respektuar me rigorozitet të gjitha detyrimet ligjore dhe ato që rrjedhin nga marrëveshjet shumëpalëshe dhe ato bilaterale me FMN-në dhe Ministrinë e Financave.

Sipas të dhënave paraprake të bilancit tregtar për gjysmën e parë të vitit 2006, deficiti i bilancit të tregtisë së mallrave ka arritur në rreth 830 milion euro apo rreth 22 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shtimi i kredisë konsumatore, i asaj për financimin e nevojave teknollogjike si dhe qendrueshmëria në të ardhurat nga emigracioni përbëjnë faktorët bazë që ndikojnë në një kërkesë të lartë për importin e të mirave materiale.

Inflacioni vjetor është luhatur rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit. Pasi u ngjit në nivelin 3.2 për qind në muajin korrik 2006, ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit ndoqi një prirje në rënie në dy muajt në vazhdim. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka konstatuar se presionet inflacioniste kanë shënuar rritje gjatë vitit 2006. Presionet inflacioniste të cilat ndikuan rritjen e çmimeve të konsumit gjatë gjysmës së parë të vitit u ndjenë edhe gjatë tremujorit të tretë. Norma mesatare e inflacionit gjatë tremujorit të tretë ishte rreth 0.5 pikë përqindjeje më e lartë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të shkuar.

Presionet vlerësohet të kenë qenë më të forta sesa për të njëjtën periudhë një vit më parë. Niveli mesatar i inflacionit vjetor për tremujorin e tretë të vitit 2006 rezultoi 2.9 për qind, kundrejt 2.4 për qind të një viti më parë. Ndër ngjarjet që kushtëzuan zhvillimet në inflacion vlerësohet se ato të krahut të ofertës janë transmetuar në mënyrë më të shpejtë e më të drejpërdrejtë në nivelin e çmimeve. Rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike, e aplikuar gjatë muajit gusht, si edhe rritjet në çmimet e disa mallrave të akcizës prekën drejtpërdrejt nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Ndërkohë nxitjet pro-inflacioniste kanë qenë të pranishme pothuaj gjatë gjithë nëntëmujorit edhe në grupin e çmimeve të karburanteve, zhvillime këto të kushtëzuara nga situata e tensionuar në tregun ndërkombëtar të naftës. Po kështu, normat vjetore të inflacionit për mallrat ushqimore në Eurozonë dhe në partneret kryesorë tregtarë të Shqipërisë, kanë dëshmuar për një prirje rritëse të tij gjatë kësaj periudhe të vitit. Ndërsa aktiviteti kreditues në sektorin privat të ekonomisë ka vijuar të shënojë ritme të larta rritjeje, niveli i ulët i shpenzimeve buxhetore gjatë tetë muajve të parë vitit, ka ndikuar në kontrollin e kërkesës agregate dhe të presioneve inflacioniste.

Presionet e shtuara inflacioniste në pjesën e parë të vitit 2006 kanë çuar në rishikimin e qëndrimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë rriti koston e parasë në muajin korrik, duke shtuar me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Kjo lëvizje synonte sjelljen e kushteve monetare në përputhje me objektivin atamesëm të inflacionit. Rritja e normës bazë të interesit faktorizoi, ndër të tjera, hapat e shpejtë të zgjerimit të kredisë për ekonominë, ngushtimin e diferencës së normave të interesit midis lekut dhe valutës dhe pritjet për përqendrimin e shpenzimeve buxhetore në pjesën e mbetur të vitit.

Qëndrimi shtrëngues i politikës monetare është reflektuar edhe në operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë. Ndryshimi i normës bazë është zbatuar në normën e interesit të repove njëjavore për tërheqjen e likuiditetit të sistemit dhe në interesat e instrumenteve mbështetëse. Sistemi bankar ka reaguar me rritje të normave të interesit, duke u treguar më i shpejtë në përqindjet e tregut ndërbankar dhe në yield-in e bonove të thesarit.

Duhet theksuar se e gjithë kjo situatë ka përkuar me një agresivitet në rritje për financim të brendshëm nga ana e qeverisë ndërkohë që ritmet e larta të kredisë për ekonominë nuk lënë shumë hapërsira në këtë drejtim. Në këto rrethana, likuditeti në sistem ka ardhur në rënie, duke reflektuar në një mënyrë edhe gjendjen e lartë të likuiditetit të llogarisë së qeverisë për gjatë gjithë kohës.

Për rrjedhim, është evidentuar një rritje e yield-eve të bonove të thesarit me rreth 1.0 pikë përqindjeje. Banka e Shqipërisë ka hedhur likuiditet në sistem duke synuar uljen e luhatjeve të tij dhe balancimin e kërkesës dhe duke amortizuar disi presionet mbi yield-in e bonove të thesarit. Paralelisht me operacionet në tregun e parasë, ndërhyrjet në tregun valutor kanë plotësuar kërkesën sezonale për para likuide të ekonomisë me rreth 4.5 miliardë lekë. Prania e Bankës së Shqipërisë në tregjet e parasë nëpërmjet operacioneve monetare, gjatë tremujorit të tretë, ka mundësuar ruajtjen e treguesve të saj brenda objektivave.

Stabiliteti i sistemit bankar në veçanti dhe i atij financiar në përgjithësi përbën një përparësi të përhershme të Bankës së Shqipërisë. Përkushtimi ynë në këtë drejtim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve në tregun e kredisë, e cila ka vazhduar të shënojë rritje. Siç u nënvizua edhe në raportin e mbikëqyrjes për tremujorin e dytë, sistemi bankar paraqitet në një pozicion financiar të shëndoshë, duke qenë në përputhje me të gjithë parametrat e vendosur nga normat e mbikëqyrjes bankare. Sistemi bankar vazhdon të operojë me fitim dhe të jetë i kapitalizuar sipas normave ndërkombëtare, duke regjistruar një zgjerim të vazhduar të aktivitetit.

Në përfundim, do të theksoja se Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë të ndjekë me kujdes ecurinë e ekonomisë dhe të tregut financiar duke u përqendruar në ato zhvillime, të cilat mund të ndikojnë negativisht stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar. Banka e Shqipërisë po vlerëson me kujdes këto zhvillime duke qenë e angazhuar për të mbajtur qëndrimin e duhur me synimin për të nxitur një ecuri sa më të mirë të ekonomisë.

Opinionin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e ekonomisë për tremujorin e tretë të vitit 2006" do të publikohet e plotë në faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.



* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *



Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin që : "Të miratojë Credit Agricol s.a., Francë, si zotërues i tërthortë i të drejtës së pronësisë në masën prej 71,97 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Emporiki Shqipëri sh.a." dhe vendimin "Për politikën e sigurisë së informacionit në Bankën e Shqipërisë", si dhe shqyrtoi disa materiale e mori disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.