BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 26 mars 2008

Data e publikimit: 26.03.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 26 mars 2008, pasi u njoh me zhvillimet e fundit në ekonomi, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Norma vjetore e inflacionit në muajin shkurt rezultoi 3.56%, vlerë brenda kufirit të tolerancës së objektivit së Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare vjetore e inflacionit është e njëjtë me vlerën e objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3.0 për qind, duke reflektuar normën e ulët të inflacionit në fillimin e vitit 2007.

Inflacioni vjetor i muajit shkurt, ashtu siç pritej u ndikua nga rritja e çmimeve të disa artikujve ushqimorë ndërkohë që mallrat dhe shërbimet e tjera nuk pësuan ndryshime të rëndësishme të çmimeve.

Zhvillimet në treguesit monetarë e financiarë, si dhe ecuria e kursit të këmbimit janë në përputhje me pritjet më të hershme të Bankës së Shqipërisë. Të dhënat flasin për ngadalësim të ritmit të rritjes së agregatit M3 dhe asaj të kredidhënies për sektorin privat. Tregjet financiare kanë shfaqur qëndrueshmëri të normave të interesit, të cilat në pjesën më të mirë kanë përcjellë sinjalizimet e politikës monetare.

Nga informacioni i deritanishëm, vlerësojmë se faktorë të kërkesës së brendshme me natyrë nxitëse ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi, janë më të balancuar. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për dymbëdhjetë muajt në vijim evidentojnë se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishme në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve të raundit të dytë, në një kohë të mëvonshme.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillim në javët në vijim. Ajo mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e saj do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj.

• Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren "Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja".

Kjo rregullore është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe konsideron Standardet Minimale të Komitetit të Bazelit për kontrollin e brendshëm, Direktivën Evropiane, si dhe përvojën e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e veprimtarisë së kontrollit të brendshëm në banka dhe degët e bankave të huaja.

Regullorja fokuson procesin dhe sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja, si pjesë e rëndësishme e qeverisjes së përgjegjshme të bankave. Kjo parasheh kërkesat dhe rregullat për organizimin e kontrollit të brendshëm, të zbatueshëm nga subjektet e kësaj rregulloreje. Ajo përfshin disa kritere bazë, që synojnë promovimin e një sistemi të mjaftueshëm të kontrollit të brendshëm, si faktor kryesor në drejtimin dhe administrimin e bankave.

Rregullorja "Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja" do të publikohet në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë dhe në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Regullorja do të hyjë në fuqi pasi të botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

• Në këtë mbledhje u miratua edhe Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2007, i cili së shpejti do të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.