BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 27 dhjetor 2007

Data e publikimit: 27.12.2007

 


Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 27 dhjetor 2007, pasi mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit ekonomiko - financiare vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 6.25 për qind.

Norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor rezultoi 3.5 për qind duke iu afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni vjetor në muajin nëntor shënoi një vlerë në rënie krahasuar me muajt paraardhës, kryesisht për shkak të kontributit më të ulët të kategorisë së ushqimeve të papërpunuara në inflacionin total.

Gjatë muajit tetor 2007, është evidentuar një ngadalësim në ritmet e zgjerimit të parasë në ekonomi. Në kushtet kur pretendimet neto ndaj qeverisë vazhdojnë të regjistrojnë rënie në raport me vitin e kaluar, zgjerimi monetar vijon të pasqyrojë rritjen e kredisë për sektorin privat.

Kërkesa e sektorit privat të ekonomisë për fonde monetare në muajin nëntor vijoi të jetë e lartë, ndërkohë që kreditimi në monedhë të huaj dhe me afat të gjatë maturimi, dominoi procesin e huadhënies në sistemin bankar. Teprica e kredisë, u rrit me rreth 8 miliardë lekë brenda muajit, ndërkohë që ritmi vjetor i rritjes vijoi prirjen rënëse duke rezultuar 50.4 për qind në muajin nëntor. Nxitësi kryesor i rritjes së portofolit të kredisë mbetet biznesi. Ritmi vjetor i rritjes së kredisë për të rezultoi 43 për qind.

Në përgjithësi, normat e interesit kanë vazhduar të rriten gjatë muajit nëntor, në vijim të vendimeve të politikës monetare për rritjen e normës bazë të interesit gjatë pjesës së dytë të vitit. Në fund të muajit nëntor, norma bazë e interesit u rrit me 0.25 pikë përqindjeje duke arritur nivelin 6.25 për qind. Kjo lëvizje vlerësohet të jetë reflektuar në tregun e parasë, ndërkohë që të dhënat paraprake flasin për një përçim të saj dhe në përqindjet në lekë për depozitat, për bonot e thesarit dhe kredisë për ekonominë.

Muaji nëntor ka vijuar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit në sistemin bankar, si pasojë e tepricave të larta buxhetore. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun e parasë me qëllim plotësimin e këtyre mungesave në terma afatshkurtër. Operacionet në treg të hapur kanë synuar të sinjalizojnë dhe kahun e politikës monetare të bankës qendrore dhe si të tilla ato janë organizuar në formën e ankandeve të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes njëjavore me shumë të kufizuar. Interesi mesatar në këto operacione llogaritet 6.48 për qind në fillim të muajit dhjetor nga 6.30 për qind në muajin tetor.

Ndër zhvillimet e tjera, analiza u ndal edhe në ecurinë e sektorit të jashtëm të ekonomisë. Llogaria korente në nëntë muajt e parë të vitit regjistron një deficit në masën 10 për qind të PBB-së, krahasuar me 8 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin më të madh në thellimin e deficitit e ka dhënë zgjerimi i deficitit të tregtisë në mallra. Ky deficit për nëntë muajt e parë të këtij viti arriti në 26 për qind të PBB-së, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit 2006 ai ishte sa 22.6 për qind e PBB-së.

Muaji nëntor dhe javët e para të muajit dhjetor, janë karakterizuar nga një forcim i lekut kundrejt dy valutave kryesore, dollarit amerikan dhe euros, përkatësisht me 7.0 për qind dhe 0.6 për qind në terma mujorë. Forcimi i shpejtë i lekut kundrejt dollarit amerikan ka vazhduar të pasqyrojë si lëvizjet në tregun ndërkombëtar, ku kjo monedhë ka humbur pikë kundrejt monedhës evropiane ashtu edhe praninë e ofertës së lartë të bankave në këtë valutë. Mungesa e kërkesës sezonale për euron e mbështetur dhe nga një ofertë relativisht e lartë e bankave ka ndikuar në mbiçmimin e lekut edhe kundrejt kësaj monedhe. Në terma nominalë vjetor efektivë, leku rezulton i mbiçmuar me 4.3 për qind.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe parashikimeve të bëra nga strukturat përkatëse të Bankës së Shqipërisë për 12 muajt në vijim, si dhe pritshmërive të sistemit bankar në lidhje me inflacionin, me kursin e këmbimit dhe me përqindjen bazë të interesit.

Analiza e balancës së rreziqeve, si dhe parashikimet për inflacionin në 12 muajt në vijim, japin sinjale për një situatë më të balancuar midis faktorëve me natyrë nxitëse dhe frenuese ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi. Megjithatë, faktorët e rrezikut janë ende të pranishëm dhe të njëjtë me ata që u cituan në njoftimin për shtyp të muajit të kaluar.

Për këtë qëllim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e vlerëson të domosdoshëm thellimin e mëtejshëm të analizave mbi balancën e rreziqeve, me synim ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth objektivit numerik prej 3 për qind.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës miratoi Programin Monetar dhe Dokumentin e Politikës Monetare për vitin 2008, si dhe disa vendime që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.