BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 27 maj 2008

Data e publikimit: 27.05.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 27 maj 2008, mori në shqyrtim dhe miratoi Opinionin e Bankës së Shqipërisë " Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008". Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Bashkëngjitur do të gjeni fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Fjala e Guvernatorit

Tremujori i parë i vitit 2008, vazhdoi të karakterizohet nga zhvillime relativisht komplekse të ekonomisë botërore. Aktiviteti ekonomik i disa prej ekonomive të zhvilluara, pësoi një lloj frenimi duke rritur shqetësimin për një ngadalësim në rang global. Rritja e çmimeve ka mbizotëruar në shumicën dërrmuese të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore kanë prekur çdo ekonomi, duke rritur shqetësimin për një spirale më të lartë inflacioni në të ardhmen.

Nga ana tjetër, tregjet financiare nuk kanë qenë të qeta, duke reflektuar përhapjen e krizës së kredive që gjeneroi ekonomia e SHBA. Një numër i madh institucionesh financiare janë të prekura nga ky fenomen, ndërkohë që bankat qendrore më të mëdha kanë injektuar vazhdimisht likuiditet në tregun e parasë.

Situata e mësipërme ka detyruar Rezervën Federale të ulë më tej normën bazë të interesit, e pasuar edhe nga Banka e Anglisë. Ndërkohë që Banka Qendrore Evropiane dhe ajo Japoneze, vazhdojnë të qëndrojnë në pozitat e mëparshme. Ndjesitë që vijnë nga tregu financiar janë të përziera, duke pasqyruar nga njëra anë frikën për rritjen e mëtejshme të inflacionit dhe stabilitetin financiar, nga ana tjetër.

Ekonomia shqiptare duke qenë një ekonomi e vogël, relativisht e hapur nuk mund të mos ndikohet nga këto zhvillime, ku si pasojë e drejtpërdrejtë evidentohet përshpejtimi i rritjes së nivelit të përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Në fund të muajit prill inflacioni vjetor shënoi vlerën 4,4 për qind, duke pësuar një zhvendosje të lehtë ndaj nivelit të sipërm, të synuar prej Bankës së Shqipërisë prej 4 për qind. Duke analizuar ndikimin e grupeve të ndryshme bie në sy se në peshën dërrmuese inflacioni është shkaktuar nga rritja e çmimeve të grupit ushqimorë. Brenda këtij të fundit, mbizotëron grupi i mallrave ushqimore e përpunuar.

Një faktor tjetër, që ka ndikuar në këtë drejtim është edhe lëvizja e çmimeve të administruara, e cila konsiston në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars 2007. Pa këtë efekt, norma vjetore e inflacionit do të ishte vetëm 3,7 për qind.

Tregues të tjerë të rëndësishëm, që përshkruajnë më mirë presionet inflacioniste që shkakton kërkesa e brendshme në ekonomi, si treguesi i inflacionit bazë dhe inflacionit të mallrave të patregueshëm, janë ende në vlera të ulëta. Po kështu, edhe pritshmëritë e sistemit bankar, të biznesit dhe të konsumatorëve, vazhdojnë të mbeten në parametra të synuar, me gjithë shmangien e lehtë në kahun rritës.

Këto të fundit mbeten parësore në vlerësimin e rolit të politikës monetare në të ardhmen, veçanërisht në kushtet kur faktorët e rrezikut janë ndjeshëm të lidhur me goditje që gjenerohen nga zhvillimet në ofertën agregate të ekonomisë.

Informacioni statistikor në lidhje me aktivitetin ekonomik të vendit, për pjesën e parë të vitit 2008 është ende i pakët. Për rrjedhim, analiza sektoriale e plotë dhe e detajuar bëhet një detyrë e vështirë.

Të dhënat e reja që lidhen me aktivitetin bujqësor për gjithë vitin 2007 konfirmojnë analizat e kohëve të fundit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me ecurinë e këtij sektori. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë gjatë vitit 2007, është regjistruar një rritje modeste, në masën 1,5 për qind, krahasuar me 4,3 për qind vitin e kaluar.

Në këto rrethana, merr një rëndësi të dorës së parë shfrytëzimi racional i tokës bujqësore, duke synuar shtimin e sipërfaqeve të mbjella si dhe produktivitetin për njësi. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë rithekson domosdoshmërinë për kryerjen e reformave të thella strukturore që kanë të bëjnë me tokën, pasurinë, sistemin grumbullues dhe atë shpërndarës si dhe me infrastrukturën.

Dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008. Ngadalësimi i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik të sektorit të ndërtimit, krahasuar me ecurinë mesatare të viteve të fundit kërkon vëmendje, nisur nga roli dhe kontributi që ky sektor ka në ekonominë vendase.

Situata e mirë hidrike në vend, ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e ofertës së energjisë elektrike, duke përmirësuar bilancin e energjisë elektrike. Prodhimi vendas i rritur në parametra të ngjashëm me ata të vitit 2006, ka mundësuar rënie të importeve të sforcuara të energjisë, duke ndikuar sadopak në përmirësimin e situatës të Korporatës. Nisur nga ndjeshmëria e këtij sektori, Banka e Shqipërisë e gjykon të arsyeshme të sjellë në vëmendjen e opinionit publik se sfida me energjinë është ende e hapur dhe shëndoshja e situatës financiare të KESH-it përbën një domosdoshmëri, për të adresuar një sërë çështjesh të tjera të lidhura me të. Privatizimi i shpejtë i rrjetit të shpërndarjes është përparësi mbi të gjitha përparësitë dhe për këtë qëllim, vlerësojmë se ulja e humbjeve dhe rritja e arkëtimeve janë të një rëndësie themelore.

Gjatë muajve të parë të vitit 2008 ka vazhduar rritja e eksporteve si në raport me tremujorin e fundit ashtu edhe me tremujorin e parë të vitit të kaluar, respektivisht me 4 % dhe me 13 %. Importet, me gjithë rënien e konsiderueshme në raport me fundin e vitit 2007, janë rreth 17 % më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Si rrjedhim, deficiti tregtar është zgjeruar me rreth 17 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në përgjithësi, duhet theksuar se zhvillimet në vlerë, në aktivitetin e tregtisë së jashtme pasqyrojnë edhe efektet e çmimeve të rritura të lëndëve të para, të energjisë dhe të produkteve ushqimore.

Zhvillimet fiskale të tremujorit të parë të vitit 2008, dëshmojnë për një politikë fiskale të përmbajtur, e cila ka rezultuar në një suficit buxhetor mbi nivelin e parashikuar. Grumbullimi i të ardhurave ka ndjekur një prirje në rritje, ndërkohë që shpenzimet për investime, për këtë periudhë të vitit kanë pësuar tkurrje në krahasim me një vit më parë. Huamarrja e qeverisë gjatë kësaj periudhe përfaqësohet nga huamarrja e brendshme.

Rritja vjetore e parasë së gjerë rezultoi 11 % në fund të tremujorit të parë të vitit 2008. Në tërësi, sistemi bankar ka furnizuar ekonominë me mjete monetare kryesisht nëpërmjet injektimit të parasë në formën e kredisë për sektorin privat. Ecuria e mjeteve valutore neto të sistemit dhe akumulimi i balancave monetare të sektorit publik, kanë neutralizuar këtë efekt.

Kredia për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, është rritur mesatarisht me 47.3% në terma vjetorë. Pavarësisht ritmeve rënëse, në terma absolutë kredia vazhdon të zgjerohet sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë. Bankat tregtare shfaqen aktive në tregun e huadhënies, duke thelluar më tej rolin e tyre si ndërmjetës financiarë, gjë që pasqyrohet edhe në rritjen e qëndrueshme të treguesve të ndërmjetësimit. Në muajin mars, raporti i kredisë ndaj parasë së gjerë dhe ndaj PBB-së arriti në nivelet prej 40.9% dhe 31.4%, respektivisht.

Norma bazë e interesit ka mbetur e pandryshuar në nivelin 6.25 për qind në tremujorin e parë të vitit 2008. Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ndërhyri tre herë me nga +25 pikë bazë, në përgjigje të presioneve inflacioniste në ekonomi. Një lëvizje e tillë u pasua nga rritja e normave afatshkurtra në tregun e parasë dhe ato të depozitave në lekë. Në muajt e parë të vitit, ecuria e interesave në tregun ndërbankar dhe atë primar ka qenë e qëndrueshme dhe luhatjet e tyre kanë qenë të lidhura me shpërndarjen asimetrike të likuiditetit në treg. Në të kundërt, normat e interesit për kredinë e re në lekë kanë rënë ndjeshëm, duke ngushtuar diferencën me interesat e tjerë për monedhën vendase, si një shenjë rritjeje e konkurrencës në këtë treg.

Për pjesën e mbetur të vitit dhe deri në tremujorin e parë të vitit në vazhdim, pritet që normat e rritjes vjetore të nivelit të përgjithshëm të çmimeve të luhaten edhe për pak kohë rreth vlerave aktuale, duke u rikthyer në fund të vitit brenda intervalit të tolerancës së synuar nga politika monetare. Megjithatë, rreziqet që mund të devijojnë supozimet e bëra në parashikim janë të pranishme dhe në pjesën më të madhe, janë të vendosura nga kahu i ofertës së jashtme dhe të brendshme. Kostot e shkaktuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore pritet të vazhdojnë të ushtrojnë presione të drejtpërdrejta mbi çmimet e konsumit dhe të japin ndikime të tërthorta mbi çmimet e prodhimit.

Një faktor përcaktues, me origjinë të brendshme, pritet të jetë prodhimi vendas bujqësor. Aktualisht, kemi hyrë në periudhën kur prodhimi vendas fillon e shfaqet në tregtinë me pakicë. Inflacioni në fund të muajt prill 2008, shënoi një ulje prej 0,4 për qind në terma mujorë, prapa të cilës qëndronte kontributi i grupit ushqim dhe pije alkolike. Për këtë arsye, me interes pritet ecuria e këtij faktori në muajt në vijim. Sipas sjelljes historike, dy - tre muajt në vijim regjistrojnë dhe ndikimin më të fortë rënës mbi çmimet e produkteve të papërpunuara ushqimore. Megjithatë duhet theksuar se ky sektor i ekonomisë vazhdon të jetë shumë sensitiv ndaj kushteve të motit dhe ndaj luhatjeve afatshkurtra në kostot e lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës.

Duke bërë një përgjithësim të të gjithë faktorëve të rrezikut si dhe duke u ndalur në mundësinë që ata kanë për t'u materializuar në ekonomi, Banka e Shqipërisë, vlerëson se bilanci mbetet i zhvendosur në kahun rritës. Një argument më shumë në këtë drejtim, përbëjnë të dhënat e fundit në lidhje me pritjet për inflacionin, të cilat dëshmojnë një zhvendosje të lehtë drejt një niveli më të lartë.

I gjithë ky kuadër relativisht kompleks zhvillimesh dhe pritshmërish, e bën të domosdoshëm kujdesin për stabilitetin financiar të sistemit. Rreziqet në këtë drejtim janë të lidhura me ambientin global, me atë rajonal dhe në rrafshin e brendshëm, me shtimin e vrullshëm të kredisë për ekonominë. Përveç rrezikut të kredisë dhe rrezikut të kursit të këmbimit, ekzistojnë dhe rreziqe të lidhura me faktorë të jashtëm. Zgjerimi i krizës së kredive në Evropë, ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik të ekonomive partnere, prania e të njëjtave institucione bankare në shumicën e vendeve të rajonit, janë zhvillime që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

Analiza e vendimeve më të hershme ka vërtetuar se politika e ndërmarrë ka qenë në kahun dhe intensitetin e duhur, duke mundësuar një kontroll të kënaqshëm mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Vendimet e së shkuarës kanë ndikuar pozitivisht në stimulin monetar, që i nevojitet aktivitetit ekonomik të vendit si dhe në stabilitetin financiar të sistemit bankar.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente, veçanërisht në drejtim të zhvillimeve inflacioniste në ekonomi. Për këtë qëllim, ajo do të analizojë me përgjegjshmëri, zhvillimet e faktuara, rreziqet e ndryshme me të cilat përballet e ardhmja e stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar, përfshirë dhe pritshmëritë inflacioniste të agjentëve të ndryshëm në ekonomi. Banka e Shqipërisë mbetet tërësisht e angazhuar në përmbushjen me sukses të objektivit të saj ligjor, angazhim që nënkupton marrjen e vendimeve të përshtatshme në momentin e duhur, duke mos përjashtuar dhe kombinimin e tyre me masa të natyrës administrative.