BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 27 shkurt 2008

Data e publikimit: 27.02.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 27 shkurt 2008, mori në shqyrtim dhe miratoi "Deklaratën e politikës monetare për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007". Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.
Bashkëngjitur do të gjeni të plotë fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Fjala e Guvernatorit

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2007 ka shënuar një ecuri pozitive, karakterizuar nga rritje e qëndrueshme vjetore, në përputhje me parashikimet, mbajtje të inflacionit nën kontroll, si dhe konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit financiar. Ruajtja e parametrave optimalë makroekonomikë gjatë këtij viti ka kërkuar vëmendje të lartë ndaj zhvillimeve në tregjet botërore dhe brenda vendit, analizë të kujdesshme të këtyre zhvillimeve, si dhe ndërmarrjen në kohë të masave parandaluese me qëllim evitimin e implikimeve negative në një periudhë afatmesme. Parashikimet paraprake flasin për vazhdueshmëri të rritjes aktuale ekonomike edhe gjatë vitit 2008, ndërkohë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente ndaj zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit, për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit prej 3 për qind.

Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe sipas parashikimeve. Rritja ekonomike reale gjatë vitit 2007 vlerësohet të ketë qenë rreth 6 për qind, ose e njëjtë me rritjen e një viti më parë. Kontribuesit kryesorë në këtë rritje kanë qenë veçanërisht sektorët e transportit dhe telekomunikacionit, tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve, si dhe ai i industrisë. Rritja e aktivitetit në këta sektorë ka balancuar ngadalësimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit. Pavarësisht kërkesës së lartë për investime në pasuri të paluajtshme, në sektorin e ndërtimit regjistrohet një rënie vjetore në vëllimin e ndërtimeve të reja prej 19 për qind. Banka e Shqipërisë rithekson nevojën e ndërmarrjes së reformave strukturore në bujqësi, me qëllim rritjen e eficiencës dhe prodhimit në këtë sektor, në mënyrë që në një periudhë afatmesme të mund të zvogëlohen përmasat dhe efektet e goditjeve nga jashtë që kanë të bëjnë me prodhimet bujqësore.

Norma mesatare e inflacionit vjetor për vitin 2007 rezultoi 2.9 për qind, duke qenë mjaft pranë objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Objektivi i inflacionit u arrit në terma mesatarë, pavarësisht luhatjeve të ndjeshme midis tremujorëve, si pasojë e goditjeve nga ana e faktorëve të ofertës, të cilët ishin kryesisht me origjinë nga jashtë ekonomisë sonë dhe të paparashikueshëm në një kohë më të hershme. Kriza energjetike, çmimet në rritje të naftës dhe drithërave, si dhe rritja e çmimeve të importit, kanë qenë faktorët kryesorë të ofertës që kanë ndikuar në norma më të larta të inflacionit gjatë periudhës gusht - shtator 2007. Në të njëjtën kohë, në kahun e kërkesës, ka vepruar edhe rritja e vazhdueshme e kredisë për sektorin privat, e cila, megjithëse ka vijuar të rritet me norma më të ulëta këto dy vitet e fundit, mbetet një faktor potencial që mbart rrezik në arritjen e objektivit të inflacionit.

Banka e Shqipërisë, në përgjigje të zhvillimeve të mësipërme dhe të madhësisë së materializimit të tyre në normat e ardhshme të inflacionit, gjykoi të nevojshme rritjen e normës bazë të interesit tre herë gjatë vitit 2007, me 75 pikë bazë gjithsej, duke e çuar atë në nivelin 6.25 për qind. Nëpërmjet këtyre vendimeve, Banka e Shqipërisë ka synuar sterilizimin e presioneve të pritshme inflacioniste në ekonomi, në funksion të ruajtjes së stabilitetit afatmesëm të çmimeve të konsumit.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë dëshmojnë për një rritje të mëtejshme të kërkesës së brendshme. Pavarësisht rritjes së eksporteve me ritme të njëjta me ato të rritjes së importeve, deficiti tregtar është rritur me 27 për qind në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 28 për qind ndaj PBB-së.

Gjysma e dytë e vitit është karakterizuar nga një ecuri normale e realizimit të shpenzimeve buxhetore, si dhe nga respektimi i objektivave të politikës së re fiskale, të shpallur në fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit, në drejtim të realizimit të të ardhurave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, balanca fiskale në fund të muajit nëntor ka rezultuar me një suficit prej 4.7 miliardë lekë, nga një deficit i planifikuar në shumën 25.9 miliardë lekë. Arsyeja kryesore e kësaj diference mbetet realizimi i shpenzimeve kapitale, të cilat kanë qenë vetëm 3.4 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zhvillimet monetare në ekonomi gjatë tremujorit të fundit të vitit 2007 kanë qenë në linjë me ecurinë e aktivitetit real të ekonomisë, si dhe kanë ndjekur tendencat e projektuara në programin monetar. Zgjerimi i parasë së gjerë në ekonomi është karakterizuar nga një normë e qëndrueshme rritjeje, mbështetur kryesisht nga ruajtja e ritmeve të larta të kreditimit të sektorit privat nga sistemi bankar.

Tendenca forcuese e lekut kundrejt shportës së valutave, e vërejtur gjatë tremujorit të tretë vitit 2007, ka vazhduar të theksohet në tremujorin e fundit të tij, si në terma nominalë, ashtu edhe në terma realë, duke reflektuar qëndrueshmërinë makroekonomike në vend, thellimin e diferencës së normave të interesit midis lekut dhe monedhave të huaja, si dhe nivelet e krahasueshme të inflacionit me partnerët kryesorë tregtarë. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, gjatë vitit 2007, leku paraqet një luhatshmëri më të lartë si pasojë e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe të pjesëmarrjes më aktive të agjentëve vendas në tregun valutor.

Pavarësisht se normat e rritjes së kredisë kanë qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, ato mbeten ende në nivele të larta, prej rreth 48.5 për qind, në prezencë të kërkesës së lartë të sektorit privat për kredi, si dhe të gatishmërisë së lartë nga ana e bankave për të kënaqur këtë kërkesë. Gjatë vitit 2007, raporti i kredisë për ekonominë ndaj PBB-së ka regjistruar zgjerim të ndjeshëm me 8.8 pikë përqindjeje, duke arritur në 30 për qind në muajin dhjetor.

Duhet pasur parasysh se ritme të larta të zgjerimit të portofolit të kredisë përfaqësojnë një proces normal për një ekonomi në zhvillim si e jona, në nevojë për thellim të mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar. E rëndësishme në këtë proces është që rritja e kreditimit të jetë e kontrolluar, për të mos paraqitur rrezik për stabilitetin e çmimeve, dhe njëkohësisht të vazhdojë të jetë e shëndetshme, në mënyrë që të evitohen implikime të padëshiruara për stabilitetin financiar në vend. Angazhimi i Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim ka qenë dhe mbetet maksimal. Përveç masave makroprudenciale për zbutjen e rritjes së kredisë dhe ruajtjen e cilësisë së saj, të ndërmarra në fillim të vitit 2007, fillimi i vitit 2008 shënoi një progres të rëndësishëm në punën për ruajtjen e stabilitetit financiar, me krijimin e Regjistrit të Kredive.

Gjatë vitit 2007, u bëmë sërish dëshmitarë të rëndësisë jetike të sistemit financiar për mbarë ekonominë, të përmasave dhe formave të reja që mund të marrin krizat financiare si rrjedhojë e transformimit të riskut, si dhe të shpejtësisë dhe shkallës së lartë të përhapjes së tyre si pasojë e globalizimit të tregjeve financiare. Ndonëse sistemi ynë financiar nuk vlerësohet të jetë prekur nga këto zhvillime, ato kanë patur vëmendjen tonë maksimale, për t'i paraprirë zhvillimeve të ngjashme në të ardhmen, kur tregjet tona të bëhen më të ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme si pasojë e integrimit dhe thellimit të mëtejshëm të tyre.

Në përfundim, dëshiroj të ritheksoj angazhimin e Bankës së Shqipërisë ndaj përmbushjes së objektivit të stabilitetit të çmimeve. Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të reaguar në kohë dhe në drejtimin e duhur ndaj shtimit të presioneve inflacioniste ose kërcimit të pritshmërive inflacioniste në nivele përtej objektivit tonë për inflacionin. Dëshiroj të theksoj gjithashtu, që ankorimi i pritjeve inflacioniste është një detyrë dhe përgjegjësi që duhet ndarë nga të gjithë institucionet vendimmarrëse në të mirë të punës dhe suksesit të përbashkët drejt arritjes së një stabiliteti afatgjatë.