BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 28 qershor 2006

Data e publikimit: 29.06.2006

 

Në mbledhjen e tij të datës 28 qershor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit monetare dhe me propozimin e Departamentit të Politikës Monetare Këshilli Mbikëqyrës vendosi të miratojë :

1. Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për muajin maj të vitit 2006.

Bazuar në të dhënat më të fundit të statistikave ekonomike dhe monetare rezultoi se norma vjetore e inflacionit u rrit në 3.1 për qind në muajin maj 2006. Kjo vlerë shënon rritjen e katërt mujore të inflacionit. Rritja e inflacionit vjetor reflekton kontributin e çmimeve të produkteve bujqësore dhe të naftës. Grupet "Ushqim dhe pije joalkolike" dhe "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" shpjegojnë 82 për qind të inflacionit vjetor. Ulja sezonale e çmimeve të ushqimeve ishte më e vogël sesa pritej, ndoshta si pasojë e ofertës më të ulët të produkteve vendore. Ndërkohë, miksi i politikës monetare dhe fiskale ka rezultuar i efektshëm në administrimin e presioneve të kërkesës agregate dhe në ruajtjen e inflacionit afër objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Rritja vjetore me 10 për qind e ofertës monetare në muajin prill ishte në përputhje me tendencat historike. Zgjerimi monetar në ekonomi ka ardhur kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i kreditimit të sektorit privat, ndërkohë që huamarrja nga sektori publik ka munguar. Ecuria e normave të interesit ka vijuar të ndjekë trendet rënëse të muajve të fundit, ndonëse me një intensitet më të ulët. Nga ana tjetër, kursi i këmbimit të lekut ka qenë i qëndrueshëm.

Mbështetur në zhvillimet e fundit monetare dhe në parashikimin e inflacionit, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5 për qind.

Gjithashtu, bazuar në parashikimet e Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor në 12 muajt e ardhshëm pritet të luhatet rreth objektivit. Megjithatë, specialistët e Bankës së Shqipërisë po analizojnë me kujdes të gjithë faktorët që mund të cënojnë stabilitetin e çmimeve në të ardhmen. Ngushtimi i mëtejshëm i diferencës midis normave të interesit të lekut me ato të valutës si dhe shpërndarja e shpenzimeve buxhetore përgjatë muajve të mbetur të vitit 2006 mbartin rrezikun e shtimit të presioneve mbi kërkesën, e cila nga ana e saj do të rrisë presionet inflacioniste në ekonomi.
Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë bëri disa ndryshime në Programin Monetar të vitit 2006 dhe po përgatit një sërë masash, të cilat përfshijnë lëvizje të mundshme në rritje së normës bazë të interesit, si dhe forcimin e rregullave për një mbikëqyrje bankare sa më të kujdesshme.

2. Disa ndryshime në Programin Monetar të vitit 2006.

Programi monetar i vitit 2006 është hartuar në përputhje me pritshmëritë korente për inflacionin dhe treguesit e tjerë monetarë që ushtrojnë ndikim mbi të në periudhën afatmesme. Programi monetar i rishikuar inkuadron impaktin e pozicionit fiskal të qeverisë me zhvillimet monetare në sektorin privat të ekonomisë, duke garantuar përmbushjen e objektivit të inflacionit. Rishikimi i programit monetar në fund të gjashtëmujorit të parë të çdo viti është pjesë e strategjisë harmonizuese të politikës fiskale me zhvillimet monetare, në përputhje me marrëveshjen trevjeçare me FMN-në.

Gjatë këtij viti pritet një rritje më e lartë e kredisë për sektorin privat krahasuar me parashikimet e fillimvitit. Kjo do të rrisë ofertën monetare dhe pritet të nxisë më tej uljen e shpejtësisë së parasë, një tendencë e parashikuar në planin afatmesëm të hartimit të programit monetar dhe në linjë me zhvillimet tranzitore të ekonomisë. Njëkohësisht, kërkesa për mjete monetare e sektorit publik pritet të realizohet tërësisht në gjysmën e dytë të vitit. Në përputhje me këtë rishikim, oferta monetare parashikohet të rritet me ritme më të larta.

Në gjysmën e parë të vitit, pozicioni fiskal i qeverisë ka rezultuar në neutralizimin e efektit zgjerues të rritjes së kredisë për sektorin privat. Në total gjatë vitit 2006, kërkesa e qeverisë për financim të brendshëm të deficitit buxhetor mbetet e njëjtë në rreth 23.8 miliardë lekë. Ndërmjetësimi i sistemit bankar në financimin e deficitit parashikohet 16.1 miliardë lekë, kundrejt 12.8 miliardë lekëve të parashikuar në programin ekzistues. Stabilizimi i ritmeve të investimit në bono thesari të individëve është realizuar paralelisht me ngushtimin e diferencës së normave të kthimit të bonove të thesarit ndaj normës së interesit të pranimit të depozitave nga sistemi bankar.

Në përputhje me këto tendenca, programi monetar i rishikuar parashikon rritje të ofertës monetare prej rreth 13.6 për qind. Kjo rritje parashikohet të jetë konsistente me një rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në ekonomi afër objektivit prej 3 për qind, në kushtet e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe ekuilibrit të jashtëm të ekonomisë. Rritja e agregatit M3, si treguesi i gjerë i ofertës monetare, do të kontrollohet nëpërmjet kontrollit të objektivave operacionalë të Bankës së Shqipërisë, Rezervës Ndërkombëtare Neto (RNN) dhe Mjeteve të Brendshme Neto (MBN). Administrimi i këtyre dy komponentëve të parasë rezervë, sipas objektivave të përcaktuar në marrëveshjen me FMN dhe të inkuadruar në programin monetar, do t'i shërbejë mbikëqyrjes së rritjes së ofertës monetare.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, programi monetar i rishikuar për vitin 2006 merr parasysh një pozicion të kujdesshëm të qëndrimit të politikës monetare nga ana e Bankës së Shqipërisë si dhe përshtatjen e normës bazë të interesit ndaj zgjerimit të parashikuar të kërkesës agregate në ekonomi.

3. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe propozimet e bëra nga strukturat e Bankës së Shqipërisë për ndryshimin e ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", si dhe mori disa vendime që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi "Gjendjen financiare të sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2006", e cila u vlerësua si më poshtë:

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2006, aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 24.9 miliardë lekë (ose 5 për qind) nga 28.5 miliardë lekë (ose 6.7 për qind) në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Ritmi rritës i aktiveve të sistemit bankar, në perspektivën e përafrimit me sisteme më të konsoliduara bankare dhe ekonomike, do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke kontribuar në përmirësimin e shkallës së ndërmjetësimit të sistemit bankar në ekonomi. Gjatë periudhës, u konstatua një shpërndarje më e mirë e aktiveve dhe burimeve ndërmjet bankave, siç konfirmohet nga prirja në rënie e indeksit të Herfindahlit si për aktivet, ashtu dhe për depozitat. Vlera e indeksit për totalin e tepricës së kredisë përllogaritet në nivele dukshëm më të ulëta sesa vlerat e indeksit për totalin e aktiveve apo depozitave, gjë që tregon për përqendrim të kufizuar të kredidhënies në sistem. Pavarësisht zhvillimeve pozitive, bankat më të mëdha të sistemit, vazhdojnë të mbizotërojnë sistemin bankar. Pesha e totalit të aktivieve për këto banka ndaj totalit të aktiveve të sistemit prej 72.5 për qind, tregon një lloj qëndrueshmërie të veprimtarisë së tyre në kohë.

Gjatë tremujorit të parë 2006, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 10.5 miliardë lekë ose 8.3 për qind. Teprica e kredisë në lekë u rrit me 3.9 miliardë lekë ose 12.7 për qind dhe teprica në valutë me 6.6 miliardë lekë ose 6.8 për qind. Në zgjerimin e kredidhënies së sistemit, në terma absolutë, kontribuan kryesisht bankat e mëdha dhe të mesme. Në terma relativë, kontributi më i madh vjen nga bankat e mesme dhe të vogla.

Analiza e cilësisë së portofolit të kredive tregon për një rritjen e raportitt "kredi me probleme / teprica e kredisë (bruto)", në nivelin 3 për qind, nga 2.3 për qind në tremujorin e mëparshëm. Ky zhvillim është përcaktuar nga ritmi më i lartë rritës i tepricës së kredisë me probleme kundrejt totalit të kredisë për tremujorin e parë. Gjithashtu, edhe aftësia e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë (potencialisht pjesën e pambuluar me provigjone), rezulton 6.1 për qind ndaj 4.3 për qind një tremujor më parë. Ecuria e treguesit në fjalë u përcaktua nga ritmi më i lartë rritës i tepricës neto të kredisë me probleme me 57 për qind, kundrejt rritjes së kapitalit rregullator me 12 për qind.

Sistemi bankar vazhdon të shfaqë një performancë shumë të mirë edhe për tremujorin e parë të vitit 2006, pothuaj i krahasueshëm me tremujorin e fundit të vitit 2005. Vlen të përmendet se rezultati neto nga interesat, që është komponenti përcaktues i rezultatit financiar të sistemit bankar, përllogaritet rreth 830 milionë lekë më i lartë sesa mesatarja tremujore e treguesit në fjalë për vitin 2005. Zhvillimet në këtë komponent të rëndësishëm për vlerësimin e efektivitetit të sistemit bankar, tregojnë për ndryshime të rëndësishme strukturore të bilancit të bankave të orientuar drejt aktiveve më fitimprurëse; ndryshim të strukturës së pasiveve, si edhe reflektojnë evolucionin e lëvizjes së normave të interesit, me karakteristikat e veçanta për rastin e sistemit bankar në Shqipëri, nga fillimi i vitit 2005 deri në tremujorin e parë të vitit 2006. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, performanca e sistemit bankar shfaqet dukshëm më mirë në komponentët kryesorë të saj, ku të ardhurat neto nga interesat janë rreth 1,550 milionë lekë më shumë e përcillen në përllogaritjen e një rezultati neto shumë më të lartë (rreth 364 milionë lekë ose 25 për qind më i lartë).

Kthyeshmëria nga aktivet mesatare, RoAA në bazë vjetore, përllogaritet 1.41 për qind, një nivel ky pothuaj i pandryshuar nga niveli i RoAA për vitin 2005. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja e RoAA është më e dukshme pasi edhe rritja e rezultatit neto është 25.3 për qind më e lartë. Krahasuar me vendet e zhvilluara të rajonit, p.sh Greqia apo vendet e Eurozonës (për bankat vendase me madhësi mesatare) treguesi i RoAA, por edhe i RoAE, rezulton të jetë në një nivel dukshëm më të lartë. Kështu për shëmbëll. treguesi i RoAA për sistemin bankar në Greqi për vitin 2005 raportohet në nivelin 1.1 për qind, ndërsa për Eurozonën në nivelin 0.5 për qind - (1). Besojmë se diferenca në fjalë i atribuohet kryesisht karakteristikave që shoqërojnë nje treg në konsolidim si ai shqiptar, kundrejt tregjeve të vendve më të zhvilluara evropiane që janë të konsoliduara.

Në fund të tremujorit të parë 2006, kapitali aksioner i sistemit bankar arriti në nivelin rreth 33.8 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 823 milionë lekë ose 2.5 për qind krahasuar me fundvitin 2005. Burimi kryesor i rritjes në kapitalin e bankave individuale ishte mbajtja e fitimit të vitit paraardhës në bilanc, në formën e fitimit të pashpërndarë dhe rezervave të detyruara ligjore. Kapitali i paguar vazhdon të mbetet elementi kryesor në kapitalin aksioner të sistemit duke ruajtur një peshë në nivele të larta. Gjatë tremujorit në fjalë ai është rritur me rreth 1.2 miliardë lekë ose rreth 4.2 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar. Në fund të muajit mars kapitali i paguar përbën 78.4 për qind të kapitalit aksioner, ndërsa totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar arriti në rreth 31 miliardë lekë, rreth 3.3 miliardë lekë ose 12 për qind më shumë se sa një tremujor më parë.

Gjatë tremujorit të parë të vitit, bankat ruajtën nivele të kënaqshme likuiditeti. Përbërja e aktiveve likuide nuk ka ndryshuar shumë në këtë tremujor. Peshën më të madhe ndër to, rreth 55 për qind, e zënë investimet në bono thesari. Raporti i aktiveve afatshkurtra ndaj pasiveve afatshkurtra për sistemin ka vazhduar të ndjekë prirjen rënëse të tremujorëve të fundit, duke rënë edhe këtë tremujor me 3 pikë përqindje, në nivelin 77 për qind. Rënia e këtij raporti vjen si pasojë e rritjes më të shpejtë të pasiveve afatshkurtra sesa aktivet me të njëjtin maturim.

Së fundi, të dhënat operative për sistemin bankar flasin për një tepricë likuiditeti që ka ardhur duke u rritur përgjatë muajve të parë të 2006. Rritja e likuiditetit gjatë këtij tremujori i atribuohet kryesisht veprimeve të qeverisë me sistemin bankar, ku arkëtimet më të larta sesa shpenzimet buxhetore, kanë sjellë një kërkesë më të vogël të qeverisë për huamarrje nga sistemi bankar.

(1) - Burim, Banka e Greqisë