BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 janar 2008

Data e publikimit: 30.01.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e dedikuar tërësisht vendimmarrjes së politikës monetare, pasi u njoh dhe mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit ekonomiko - financiare vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Norma vjetore e inflacionit në muajin dhjetor rezultoi 3.1 për qind, shumë afër objektivit të synuar prej Bankës së Shqipërisë. Muaji dhjetor vazhdoi prirjen rënëse që u shfaq në muajin nëntor. Zhvillimet në çmimet e konsumit pasqyrojnë kryesisht efektin e artikujve ushqimorë.

Në muajin nëntor norma e rritjes vjetore të agregatit M3 ra në 12.3 për qind nga niveli mesatar prej 16 për qind i gjithë vitit 2007. Pjesa e dytë e vitit është karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes së treguesve monetarë, deri pranë vlerave minimale të zgjerimit monetar të shënuara në 2-3 vitet e fundit. Kjo sjellje është ndikuar nga balanca pozitive e sektorit fiskal, si dhe nga zvogëlimi i pozicionit valutor të sistemit bankar.

Në muajin nëntor, ritmi vjetor i kredisë për sektorin privat është ngadalësuar në 49 për qind, ndërsa pesha e kredisë ndaj M3 është rritur në 37 për qind. Megjithë ngadalësimin e ritmit vjetor, ndikimi i kredisë në zhvillimet monetare dhe ato makroekonomike mbetet i qëndrueshëm. Rritja aktuale e kredisë ka ruajtur ndikimin kryesor në zgjerimin e parasë së gjerë në ekonomi dhe pjesërisht, në llogarinë e jashtme.

Sinjalizimi për shtrëngimin e kushteve monetare në tremujorin e fundit të vitit ka vazhduar të përcillet në tregje edhe gjatë muajit dhjetor. Të dhënat e fundvitit flasin për rritje të përqindjeve në tregun e parasë, në tregun e letrave me vlerë, në depozitat dhe në kredinë për ekonominë.

Në muajin dhjetor leku, në terma nominalë efektivë me bazë vjetore rezulton i mbiçmuar me 1.5 për qind. Kjo shifër është e krahasueshme me atë të një viti më parë. Situata e qëndrueshme makroekonomike si dhe zgjerimi i diferencës midis normave të interesit të monedhës vendase dhe atyre të huaja sigurojnë mbështetje të presioneve mbiçmuese të monedhës vendase.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i kushtoi një vëmendje të veçantë parashikimeve të specialistëve të Bankës së Shqipërisë për dymbëdhjetë muajt në vijim, si dhe pritshmërive të sistemit bankar në lidhje me inflacionin, me kursin e këmbimit dhe me përqindjen bazë të interesit.

Analiza e balancës së rreziqeve, si dhe parashikimet për inflacionin në dymbëdhjetë muajt në vijim, japin sinjale për një situatë më të balancuar midis faktorëve me natyrë nxitëse dhe frenuese ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi. Megjithatë, faktorët e rrezikut janë ende të pranishëm dhe të njëjtë me ata të cituar më parë nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ankorimi i pritjeve inflacioniste rreth objektivit numerik prej 3 për qind në të ardhmen e afërt dhe atë më të largët, dikton nevojën për një kujdes të madh në analizën e bilancit të faktorëve të rrezikut.