BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 nëntor 2006

Data e publikimit: 30.11.2006

 

Në mbledhjen e datës 30 nëntor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, vendosi të miratojë rritjen me 0,25 pikë përqindje të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta te riblerjes (repo dhe repo të anasjellta). Norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes rritet nga 5,25 për qind në 5.5 për qind.

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës diskutoi dhe mbi vlerësimin e gjendjes financiare të sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit 2006.

Tremujori i tretë i vitit 2006 shënoi rritje të aktiveve të sistemit bankar me rreth 4.5 për qind, krahasuar me nivelin prej 4.2 për qind në tremujorin e mëparshëm. Ky tremujor dallon rritjen e shkallës së ndërmjetësimit të sektorit bankar në ekonomi, ndërkohë që treguesi i Herfindahl-it sugjeron përgjithësisht një përmirësim të kushteve të konkurrencës apo përqendrimit të aktivitetit në sistemin bankar

Dinamika në strukturën e aktiveve të sistemit bankar u përcaktua kryesisht nga zhvillime të tilla si: tendenca në rritje e peshës së kredidhënies, duke rezultuar në rreth 30.4 për qind e totalit të aktiveve të sistemit bankar dhe rritja e investimeve në letra të tjera me vlerë, pa përfshirë bonot e thesarit të Qeverisë Shqiptare. Ndërkohë, ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit e dhanë depozitat e klientëve.

Gjatë tremujorit të tretë, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 15.4 miliardë lekë ose 9.8 për qind. Teprica e kredisë në lekë evidenton rritje më të madhe se ajo në monedhë të huaj, ndonëse kjo e fundit vazhdon të japë kontributin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë në tërësi.
Rritja e tepricës së kredisë dhënë individëve prej 66 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, përbën një zhvillim të spikatur, ndonëse pesha kryesore në vëllimin e kredisë së akorduar sektorit privat, vazhdon t'i atribuohet korporatave dhe SME-ve.

Në lidhje me kontributin e grupbankave në rritjen e tepricës së kredisë për tremujorin e tretë të vitit, evidentohen grupet G3 (bankat me aktive mbi 7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar), G2 (bankat me aktive 2-7% të totalit të aktiveve të sistemit bankat) dhe G1(bankat me aktive nën 2% të totalit të aktiveve të sistemit bankar) respektivisht me 9.9 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë dhe 1.6 miliardë lekë, duke rritur më tej peshën që zënë bankat e mëdha në totalin e portofolit të kredisë.

Tremujori i tretë shënon rënien e tepricës së kredisë me probleme me 386 milionë lekë ose 6.4 për qind, nga rritja e saj me 1.9 miliardë lekë ose 45.1 për qind në tremujorin e mëparshëm. Si rrjedhojë, raporti "kredi me probleme/tepricës së kredisë (bruto)" përllogaritet në rënie, 3.3 për qind nga 3.8 për qind në tremujorin e mëparshëm, ndërkohë që struktura e kredisë sipas kategorive të cilësisë prezanton rritjen e peshave të tepricave të klasifikuara "standarde", "në ndjekje", "nënstandarde", si edhe reduktimin e kategorisë "të dyshimta".

Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (neto), i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet 1.5 për qind nga rreth 1.9 për qind në tremujorin e dytë. Ndërkohë, aftësia e sektorit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë llogaritet 7.2 për qind nga 8.9 për qind në tremujorin e dytë.

Performanca e sistemit bankar, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2006, shfaqet e përmirësuar në krahasim me periudhën e kaluar. Rezultati neto përllogaritet rreth 31 për qind më i lartë krahasimisht me tremujorin e mëparshëm. Analiza e komponentëve kryesorë të të ardhurave dhe shpenzimeve nxjerr në pah rënien e shpenzimeve për provigjone (me rreth 573 milionë lekë) dhe rritjen e shpenzimeve të veprimtarisë (me rreth 253 milionë lekë), të cilat kanë përcaktuar diferencën e rezultatit neto për dy periudhat e fundit.

Treguesi i kthimit nga aktivet mesatare (RoAA), i cili ishte në nivele të larta në fillimin e vitit, pësoi një rënie të konsiderueshme në gjysmën e tij, për t'u rritur në mënyrë të moderuar në tremujorin e tretë. Sidoqoftë, niveli i RoAA prej 1.28 për qind, përbën një kthim të arsyeshëm nga aktivet mesatare dhe tregon për një performancë të mirë të sistemit bankar. Analiza e treguesit RoAA sipas grupbankave vazhdon të identifikojë bankat e G3, si bankat me rentabilitet më të lartë. Dy grupet e tjera, G2 dhe G1, paraqiten përkatësisht me RoAA në nivelet 0.72 për qind dhe -0.97 për qind. Gjithsesi, performanca e këtyre dy grupeve për tremujorin e tretë duket të ketë qenë më e lartë në krahasim me periudhën e mëparshme.

Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2006, kapitali aksioner i sistemit arriti në nivelin 39.9 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 3.7 miliardë lekë ose 10.3 për qind në krahasim me tremujorin paraardhës. Peshën më të madhe në rritjen e kapitalit aksioner të sistemit e përbëjnë bankat e mëdha (G3) dhe ato të mesme (G2), kapitali aksioner i të cilave është rritur përkatësisht me 2.0 miliardë lekë ose 10.7 për qind dhe 1.2 miliardë lekë ose 11 për qind.

Ritmi më i lartë rritës i aktiveve të ponderuara sipas rrezikut kundrejt madhësisë së kapitalit rregullator shpjegon rënien e lehtë të normës së mjaftueshmërisë në 18.3 për qind, për tremujorin e tretë të vitit.

Në mbyllje, sistemi bankar shqiptar vazhdon të prezantojë gjendje të shëndoshë financiare, duke respektuar kuadrin rregullator mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për muajin tetor 2006; informacionin mbi raport progresin të Komisionit Evropian për Shqipërinë, për vitin 2006 si dhe mori disa vendime, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.