BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 prill 2008

Data e publikimit: 30.04.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 30 Prill 2008, pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, presionet nga ambienti i jashtëm në ekonominë vendase janë përkthyer kryesisht në rritjen e vazhduar të çmimeve të mallrave ushqimorë të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës.

Rritja e këtyre çmimeve sjell jo vetëm presione të drejtpërdrejta mbi nivelin e çmimeve të konsumit, por edhe presione më afatgjata mbi nivelin e çmimeve të prodhimit, si edhe rrezikon përkeqësimin e termave të tregtisë së jashtme për shkak të rritjes së lartë të çmimeve të importeve.

Inflacioni vjetor gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte 3.7% ndërkohë që norma vjetore e inflacionit në muajin mars shënoi 4.6%, duke tejkaluar me rreth 0.6 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1 % të synuar nga Banka e Shqipërisë. Kontributin kryesor në këtë normë e ka dhënë inflacioni vjetor i ushqimeve të përpunuara (rreth 3 pikë përqindjeje) si edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars, e cila ka ndikuar me rreth 0.7 pikë përqindjeje në normën e përgjithshme të inflacionit.

Rritja reale e ekonomisë gjatë vitit 2007 ka qenë rreth 6%. Sektori i industrisë, i tregtisë, i transportit dhe i shërbimeve të tjera janë rritur me ritme të larta gjatë këtij viti, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i komunikacionit, kanë regjistruar norma të ulëta rritjeje të shitjeve. Në kushtet e forcimit të presioneve inflacioniste si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ajo e kërkesës së brendshme, Banka e Shqipërisë ka rritur 3 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5% në 6.25%. Efektet e shtrëngimeve të kaluara të politikës monetare duket se po materializohen gradualisht në ngadalësimin e ritmit të rritjes së ofertës monetare dhe në frenimin e rritjes me ritme të larta të çmimeve të ndërtimit. Megjithatë, nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi.

Një zhvillim pozitiv i muajve të fundit është përmirësimi i prodhimit dhe i situatës së humbjeve në sektorin e energjisë. Ndërprerja e kufizimeve masive dhe të gjata të furnizimit të energjisë duket se ka influencuar pozitivisht procesin e prodhimit dhe të konsumit në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, kur kriza e ‘energjisë' shënoi pikun e saj.

Në mënyrë të vazhduar gjatë vitit të kaluar është vënë re një thellim i deficitit korent, i shkaktuar nga rritja proporcionalisht më e lartë e vlerës së importeve në krahasim me eksportet. Në të njëjtën kohë, burimi kryesor i financimit të deficitit korent - prurjet nga emigrantët, ka regjistruar ritme rritjeje në rënie. Zhvillimet aktuale në llogarinë korrente mund të shihen edhe si faktorë që mund të çojnë në një luhatshmëri më të madhe të kursit të këmbimit në një kohë të dytë. Për rëndësinë që ky sektor ka, zhvillimet në çmimet e importit, pozicioni i konkurrueshmërisë së vendit tonë në drejtim të eksporteve, burimet e financimit të deficitit korrent dhe flukset kapitale duhet të monitorohen dhe analizohen me kujdes dhe në mënyrë të rregullt.

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti situata fiskale ka qenë e kontrolluar në drejtim të të ardhurave, por jo shumë aktive në drejtim të kryerjes së shpenzimeve. Konvertimi i tepricës aktuale në deficitin e programuar deri në fund të vitit, duhet të kryhet në mënyrë graduale duke evituar përqendrimin e shpenzimeve në muajt e fundit të vitit.

Përsa i përket zhvillimeve të ardhshme makroekonomike, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike dhe investimi në sektorë strategjikë si bujqësia, energjia dhe ndërtimi, duhet të përbëjnë prioritetet e politikëbërësve në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktualisht presionet nga ana e ofertës janë më të ndjeshme dhe mbizotërojnë ndaj atyre nga krahu i kërkesës. Sipas vlerësimeve të ndryshme, këto rreziqe do të vazhdojnë të jenë të pranishme brenda një periudhe afatmesme. Rritja e çmimeve të drithërave, të naftës dhe të mallrave të tjera bazë pritet të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar.

Nga ana tjetër, politika e pagave dhe e taksave, ecuria e investimeve dhe pritjet e agjentëve ekonomikë në përgjithësi do të përcaktojnë ritmet e rritjes së kërkesës së brendshme.

Në përfundim, mbështetur edhe në parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë për ecurinë e inflacionit në 12 muajt në vijim, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se vendimi i sotëm është në përputhje dhe me objektivin madhor për rritjen ekonomike të vendit.

Banka e Shqipërisë, si autoriteti monetar i vendit, mbetet thellësisht e angazhuar për të marrë vendimet e duhura në përputhje me zhvillimet e faktuara dhe veçanërisht duke vlerësuar mundësinë e materializimit të zhvillimeve të pritshme. Objektiv themelor mbetet ankorimi, në terma afatgjatë, i pritjeve inflacioniste drejt nivelit të synuar si dhe qëndrueshmëria e stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Këshilli Mbikëqyrës, gjithashtu, shqyrtoi e miratoi rregulloren "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave", hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe konsideron Standardet e Komitetit të Bazelit për ekspozimin ndaj rrezikut të përqëndrimit, Direktivën Evropiane, elementë të administrimit dhe vlerësimit të rrezikut sipas Akordit të Ri për Kapitalin, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e administrimit të rrezikut që rrjedh nga ekspozimet e mëdha të bankave.

Rregullorja paraqet kriteret e autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre.

Në rregullore parashihen ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha ne përputhje me përcaktimet e ligjit "Për bankat", vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha.