BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 6 shkurt 2008

Data e publikimit: 06.02.2008

 

Në mbledhjen e datës 6 shkurt 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi:

  • Rregulloren "Për Instrumentet e Pagesave Elektronike".

Kjo rregullore synon të përmirësojë kuadrin rregullativ për emetimin dhe përdorimin e instrumenteve të pagesave elektronike, në zbatim të funksionit të Bankës së Shqipërisë për nxitjen dhe mbikëqyrjen e funksionimit të sigurt dhe eficient të sistemit të pagesave në Republikën e Shqipërisë. Objekti i saj është përcaktimi i standardeve të transparencës ndaj klientit lidhur me kushtet, rregullat dhe procedurat e kryerjes së pagesave nëpërmjet instrumenteve të pagesave elektronike në Republikën e Shqipërisë, përcaktimin e llojeve të instrumenteve të pagesave elektronike në Republikën e Shqipërisë, si dhe mënyrën e mbrojtjes dhe raportimit të informacionit gjatë përdorimit të tyre.
Rishikimi i rregullores aktuale për pagesat elektronike ka synuar të adoptojë standardet më të mira, në lidhje me emetimin dhe përdorimin e instrumenteve të pagesave elektronike në përputhje me direktivat dhe rekomandimet e BE-së, si dhe praktikat më të mira të Bankave Qendrore. Në rregullore janë përcaktuar qartë llojet e instrumenteve të pagesave elektronike, klasifikuar në dy grupe të mëdha: (i) Instrumente të pagesave me akses në distancë; dhe (ii) instrumente të parasë elektronike.
Në ndryshim nga rregullorja ekzistuese, ky akt rregullon me dispozita të veçanta marrëdhënien midis bankës pranuese dhe tregtarit. Në zbatim të marrëveshjeve midis bankave dhe shoqërive ndërkombëtare të kartave si Visa, Mastercard etj., banka mund të ketë funksion emetues (në marrëdhënie me mbajtësin e instrumentit të pagesave elektronike), funksion pranues (në marrëdhënie me tregtarin), ose të dyja funksionet njëkohësisht. Kjo skemë është përcaktuar edhe në bazën rregullative të projektit SEPA (Single Euro Payment Area), që ka hyrë në zbatim në vendet e BE-së, në datën 28 janar 2008.
Rregullorja përcakton termat dhe kushtet minimale që një bankë duhet të përfshijë në kontratën me tregtarin, në funksion të mbrojtjes dhe transparencës ndaj klientit, mbajtës i IPE-s. Mbikëqyrja e zbatimit të detyrimeve të tregtarit, në lidhje me pranimin e pagesave elektronike, nga vetë banka pranuese që lidh marrëveshje me të, synon rritjen e eficiencës së instrumenteve të pagesave si dhe mbrojtjen e konsumatorit gjatë kryerjes së pagesave elektronike.
Në rregullore janë shtjelluar me dispozita të veçanta karakteristikat e parasë elektronike, llojet e instrumenteve të parasë elektronike dhe marrëdhëniet midis palëve kontraktore. Instrumentet e parasë elektronike, përbëjnë një instrument relativisht të ri në shërbimet e pagesave elektronike. Eksperienca e shteteve të huaja dhe rekomandimet e BE-së i njohin të drejtën e emetimit të parasë elektronike edhe institucioneve të parasë elektronike (institucione financiare ose kompani), përveç se bankave, duke i kushtuar mjaft vëmendje monitorimit të institucionit të parasë elektronike (jo-bankë) për mbrojtjen e konsumatorit. Aktualisht, në Shqipëri asnjë bankë nuk ka emetuar para elektronike, por rregullorja synon krijimin e kuadrit rregullativ për emetimin në të ardhmen të instrumenteve të parasë elektronike.

  • Në këtë mbledhje, u miratuan edhe disa vendime të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.