BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 9 prill 2008

Data e publikimit: 09.04.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 9 prill 2008, pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Banka e Parë e Investimit, Bullgari AD, miratoi:

1. Revokimin e licencës së Degës në Tiranë të Bankës së Parë të Investimit.

Banka e Parë e Investimit, Bullgari AD ka paraqitur kërkesën për revokimin e licencës bankare të Degës në Tiranë të Bankës së Parë të Investimit, pasi Banka e Parë e Investimeve, Albania e ka marrë licencën përfundimtare në datën 06.07.2007 nga Banka e Shqipërisë, si dhe ka përmbushur të gjitha detyrimet e marrëveshjes, për transferimin e të gjitha veprimtarive nga Dega në Tiranë të Bankës së Parë të Investimit, tek filiali i Bankës së Parë të Investimeve - Albania sh.a..

2. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës shqyrtoi dhe ecurinë e Regjistrit të Kredive, si një
zhvillim të rëndësishëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri dhe një domosdoshmëri për
nivelin aktual të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri.

Ecuria e Regjistrit të Kredive në këta tre muaj, paraqitet si më poshtë :

  • Bankat raportojnë çdo ditë informacion mbi kreditë e reja që lëvrohen, kreditë e paguara dhe të fshira nga bilanci, ndërsa brenda 15 - ditorit të parë të muajit pasardhës, raportojnë përditësimin e të dhënave për gjendjen e portofolit të kredive bashkë me klasifikimet e tyre përkatëse.
  • Bankat kanë raportuar të dhënat për të gjitha kreditë aktive në portofolet e tyre.
  • Informacioni që përfshihet në bazën e të dhënave, mbrohet dhe shfrytëzohet në përputhje me kërkesat e ligjit "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjithashtu, kredimarrësit lejohen që nëpërmjet një procedure të përcaktuar dhe të qartë, t'i drejtohen Bankës së Shqipërisë për të verifikuar informacionin që ekziston rreth tyre në Regjistër dhe për të kërkuar ndryshimet e nevojshme.

Gjatë tre muajve të funksionimit të Regjistrit të Kredive, sistemi i ka ndihmuar bankat për një kredidhënie më me përgjegjësi dhe si një instrument shtesë në administrimin e rrezikut të kredisë. Gjatë kësaj periudhe, Zyra e Regjistrit të Kredisë në Bankën e Shqipërisë ka qenë e angazhuar vazhdimisht për arritjen dhe përmirësimin e plotësisë dhe saktësisë së informacionit, nëpërmjet inspektimeve në vend dhe kontrollit periodik të të dhënave dhe informacionit të hedhur në Regjistër nga bankat.

Në përfundim, mund të themi që sistemi i Regjistrit të Kredive, ka kapërcyer me sukses fazën e implementimit. Ai tashmë po krijon historikun e të dhënave, mbi bazën e të cilit në të ardhmen do të mbështeten një sërë analizash të mbikëqyrjes bankare.