BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 nëntor 2007

Data e publikimit: 14.11.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 14 nëntor 2007, mori në shqyrtim dhe miratoi rregulloren "Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Sistemeve të Pagesave në Bankën e Shqipërisë", rregulloren "Mbi funksionimin e Sistemit Kontabël dhe të Administrimit të Thesarit (ATM) në Bankën e Shqipërisë" dhe "Një shtesë në strukturën organizative dhe në numrin e punonjësve të Departamentit të Mbikëqyrjes", si dhe shqyrtoi disa informacione të parashikuara në rendin e ditës, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi edhe "Raportin Vjetor të BE-së për Shqipërinë për vitin 2007". Më poshtë po japim pjesën e këtij raporti, ku bëhen vlerësime për aktivitetin e Bankës së Shqipërisë në vitin 2007.

Objektivi kryesor i regjimit të kursit të këmbimit të Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ky objektiv ndiqet nëpërmjet një politike implicite (të nënkuptuar) të inflacionit të shënjestruar dhe një regjimi të lirë të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor në mënyrë sporadike me qëllim zbutjen e luhatjeve dhe grumbullimin e rezervës në monedhë të huaj. Strategjia e bankës qendrore përcakton një normë vjetore inflacioni prej 3%, me një zone tolerance prej ± 1% dhe që zbatohet nëpërmjet ndryshimit të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes. Gjatë vitit 2006, leku mbeti relativisht stabël ndaj euros. Pas një zhvlerësimi të lehtë të lekut ndaj euros me rreth 2.5% në katër muajt e parë të vitit 2007, kursi i këmbimit gradualisht u kthye në nivelet e fillimit të vitit, ndërsa në muajin shtator 2007, pati sërish një vlerësim të lehtë të lekut. Diskutimet kanë vazhduar në Bankën e Shqipërisë mbi mundësinë e ndryshimit të kuadrit të politikës monetare drejt një regjimi inflacioni të shënjestruar eksplicit.

Rritja vjetore e parasë (M3) në qarkullim ka qenë 16.3%, në fund të vitit 2006 dhe mbeti në nivelin 16%, në muajin gusht të vitit 2007. Inflacioni mesatar vjetor arriti në nivelin 2.4% në vitin 2006, ndërsa në muajin shtator të vitit 2007 pësoi një rritje duke shënuar 4.4%, nivel ky i shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve bujqësore.

Në vijim të rritjes së normës së interesit në muajt korrik dhe nëntor të vitit 2006, Banka e Shqipërisë e shtrëngoi edhe më tej politikën e saj monetare në muajin qershor të vitit 2007, duke rritur me 0.25% normën e interesit me synim ndalimin e pritjeve inflacioniste, si rrjedhim i rritjes së shpejtë të kreditimit dhe rritjes relativisht të shpejtë të ofertës së parasë. Në përgjithësi, politika monetare mbeti e besueshme duke mbajtur inflacionin brenda objektivave të vendosur.

Shtrëngimi i politikës monetare nga ana e Bankës së Shqipërisë vazhdoi të synojë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Gjatë vitit 2006, vijuan rregullime të tjera fiskale ndërsa shpenzimet u rritën në vitin 2007, për shkak të performancës së mirë të të ardhurave, të cilat lejuan shpenzime të larta. Objektivat e deficitit dhe borxhit, të vendosura në marrëveshje me FMN-në, janë zbatuar ose tejkaluar. Buxheti suplementar i miratuar në muajin korrik të vitit 2007 rriti në veçanti shpenzimet për investime. Në përgjithësi, politikat makroekonomike vazhduan të mbeten të përshtatshme.

Zhvillimet e sektorit financiar

Sektori financiar është i dominuar nga bankat tregtare, të cilat praktikisht janë të gjitha private. Shkalla e përqendrimit të tregut mbetet mjaft e lartë, përderisa grupi i pesë bankave të mëdha dominon tregun, duke zotëruar 75% të totalit të aseteve. Kjo shifër ka pësuar një ulje me rreth 4% që prej fundit të vitit 2005. Kthimi mesatar nga asetet në vitin 2006 mbeti i qëndrueshëm në nivelin 1.4%, ndërsa mesatarja e kthimit nga aksionet (RoE) pësoi një ulje të lehtë në 20.2%, në vitin 2006 nga 22.2%, që ishte në fund të vitit 2005. Norma mesatare e mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2006 qëndroi në nivelin prej 18.1%, 0.5 pikë përqindje më pak se një vit më parë dhe kjo kryesisht i atribuohet rritjes së shpejtë të aseteve me rrezik të lartë dhe rritjes së shpejtë të kreditimit. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit varioi midis bankave dhe norma më e ulët që u regjistrua ishte 12.4%. Stress test-et e kryera në sektorin bankar treguan një aftësi ripërtëritëse të fortë ndaj dukurive të ndryshme shock që mund të vijnë si rrjedhim i lëvizjeve të kursit të këmbimit, normave të interesit dhe përkeqësimit të cilësisë së kredisë. Në përgjithësi, sektori bankar është duke u rritur dhe mbetet përgjithësisht i shëndoshë.

Rritja vjetore e kredisë (74% në vitin 2005) u moderua disi në vitin 2006 duke shënuar nivelin prej 57%, ndërsa gjatë katër muajve të parë të vitit 2007 u rrit në 58%. Kredia në lekë në vitin 2006 regjistroi rritjen më lartë me rreth 78%, ndërsa kredia në valutë u rrit me 47%. Niveli i ndërmjetësimit financiar mbeti relativisht i ulët. Në fund të vitit 2006, totali i kredisë shënoi 31% të totalit të aseteve të bankave ose 37% të totalit të depozitave. Totali i kredisë në muajin mars të vitit 2007 arriti në 22% të PBB-së, ndërsa kredia për bizneset përbënte 66.5% të portofolit të kredive të bankave. Pjesa e kredisë me probleme ndaj totalit të kredisë, në muajin dhjetor të vitit 2006 u rrit duke shënuar nivelin 3.1%, krahasuar me nivelin 2.3% që ishte në fund të vitit 2005. Në përgjithësi, kredia vazhdoi të zgjerohej me shpejtësi.

Me qëllim mbajtjen e rritjes së kredisë në nivele të qëndrueshme, mbikëqyrja e kujdesshme u forcua në muajin dhjetor të vitit 2006. Kështu, u amendua rregullorja mbi administrimin e rrezikut të kredisë, duke vendosur kërkesa më të mëdha kapitali për bankat, të cilat regjistrojnë rritje kredie që tejkalon kufijtë e vendosur. Gjithashtu, në muajin qershor të vitit 2007, hyri në fuqi ligji i ri për sistemin bankar. Ndërkohë, kanë vazhduar përgatitjet për krijimin e zyrës së regjistrit të kredive dhe përfundimin e draftit për përmirësimin e ekzekutimit të kolateralit. Pas rishikimit të tij të përgjithshëm, kuadri rregullator i mbikëqyrjes bankare është i zhvilluar mirë dhe po vazhdon procesin e përshtatjes me praktikat ndërkombëtare.

Njëfarë progresi mund të raportohet në lidhje me shërbimet financiare. Kuadri ligjor dhe mbikëqyrës për sektorin bankar është forcuar. Ligji i ri mbi bankat ka hyrë në fuqi në qershor 2007, duke e sjellë legjislacionin në këtë fushë më afër standardeve të BE-së. Ky ligj hoqi diskriminimin në lidhje me mënyrën e trajtimit të degëve të bankave të huaja. Rregullorja mbi administrimin e rrezikut të kredisë pësoi ndryshime, duke rritur kërkesat për kapital për banka të caktuara. Puna është në vijimësi për transferimin e plotë të përgjegjësisë për mbikëqyrjen e sektorit të qirasë financiare (leasing-ut) në Bankën e Shqipërisë. Megjithatë, akoma ka nevojë për përpjekje në drejtim të përafrimit të mëtejshëm të ligjit të ri bankar me acquis-in. Regjistri i kredive nuk është ngritur ende. Megjithëse mbikëqyrja e kujdesshme bankare është forcuar, përmirësime të mëtejshme janë të nevojshme. Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për mbikëqyrjen e sektorëve të ndryshëm financiarem, ka nevojë për përmirësim.