BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 shkurt 2007

Data e publikimit: 14.02.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 14 shkurt 2007 mori në shqyrtim informacionet e Departamentit të Politikës Monetare "Mbi regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe mbi përgatitjet për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë në të ardhmen".

Inflacioni i çmimeve të konsumit është luhatur brenda intervalit 2-4 për qind gjatë viteve të fundit, duke qëndruar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë pa dyshim ka kontribuar në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi monetar të përshtatshëm për kontrollin e presioneve inflacioniste. Kjo politikë ka synuar balancimin e stimulimit financiar të aktivitetit ekonomik me nevojën për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe të stabilitetit makroekonomik. Megjithë suksesin e saj, dinamizmi në rritje i ekonomisë shqiptare e bën të nevojshme monitorimin e kujdesshëm të performancës së regjimit të politikës monetare dhe rritjen e aftësive të tij për t'u përballur me sukses me sfidat e së ardhmes. Në veçanti, zhvillimi i tregjeve financiare shtron nevojën e përqasjeve më të sofistikuara dhe më moderne të politikës monetare, në drejtim të vendimmarrjes, të përcjelljes më efektive të saj në tregjet financiare dhe të një komunikimi më efektiv me publikun.

Në këtë këndvështrim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe analizoi parapërgatitjet e bëra nga Banka e Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit për adoptimin e regjimit të ardhshëm monetar Bankës së Shqipërisë. Gjatë viteve 2005-2006 kjo punë ka konsistuar në eksplorimin e regjimeve të përshtatshme monetare për rastin e Shqipërisë, në vlerësimin e parakushteve për adoptimin e suksesshëm të tyre dhe në përmirësimet e nevojshme teknike dhe institucionale brenda Bankës së Shqipërisë. Rezultatet e kësaj pune janë prezantuar para një publik profesional në dy konferenca ndërkombëtare të organizuara nga Banka e Shqipërisë në vitet 2005 dhe 2006.

Kjo punë përgatitore do të vazhdojë edhe gjatë dy viteve të ardhshme, duke u materializuar në ndërmarrjen e një hapi cilësor të politikës monetare në vitin 2008, periudhë e cila përkon edhe me përfundimin e Marrëveshjes PRGF / EFF me FMN-në.


* * *

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi transferimin e pronësisë së 14.67 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Credins sh.a., nga aksioneri Muamet Malo tek aksioneri Renis Tërshana dhe analizoi studimin e paraqitur për konkurencën në sistemin bankar shqiptar, si dhe shqyrtoi Raportin e Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe informacionin për organizimin e evenimenteve të ndryshme lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2006.