BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 19 korrik 2007

Data e publikimit: 19.07.2007

 

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 19 korrik 2007, mori në shqyrtim dhe miratoi "Deklaratën e politikës monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007". Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 5.75 për qind.


Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës


Gjashtëmujori i parë i vitit 2007 shënoi një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare në drejtim të konfirmimit të ritmit të programuar të rritjes ekonomike, të konsolidimit të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik dhe të vazhdimit të reformave strukturore në ekonomi. Në tërësinë e tij, zhvillimi ekonomik ka ndjekur kuadrin e parashikuar në programin e zhvillimit ekonomik të vendit, duke respektuar objektivat kryesorë të programit trevjeçar dhe duke shënuar një hap të mëtejshëm në drejtim integrimit ekonomik e financiar në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Paralelisht me këtë, disa zhvillime specifike të kësaj periudhe kanë dëshmuar nevojën për një vëmendje të vazhdueshme ndaj rreziqeve të mundshme, si dhe për hartimin e zbatimin në kohë të politikave parandaluese, për të garantuar ekuilibrat ekonomikë të vendit dhe zhvillimin afatgjatë të tij.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponueshëm, Banka e Shqipërisë konstaton se zhvillimi ekonomik është në linjë me projeksionet e fillimvitit, për një rritje ekonomike në nivelin 6 për qind. Rritja ekonomike ka një bazë të gjerë, duke u mbështetur si në kërkesën e brendshme për mallra e shërbime, ashtu dhe në atë të jashtme. Ajo reflekton zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorët e shërbimeve, të transportit dhe të industrisë. Ndërkohë sektori i ndërtimit ka shënuar një ngadalësim relativ, ndermjet te tjerash, edhe si pasojë e reduktimit të dhënies së lejeve për ndërtim. Kështu, me gjithë ngadalësimin e pritshëm sezonal, indeksi i shitjeve të ekonomisë shënoi një rritje prej 14 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit. Rritja ekonomike pasqyrohet edhe në tregues të tjerë, si rritja e shitjeve me pakicë në ekonomi, zgjerimi i të ardhurave tatimore, rritja e eksporteve, e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi dhe e nivelit të punësimit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është perceptuar edhe nga bizneset e konsumatori shqiptar, të cilët japin përgjithësisht opinione pozitive për ecurinë e tremujorit të parë dhe paraqiten optimistë për ecurinë e aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë.

Aktiviteti ekonomik gjatë kësaj periudhe është mbështetur kryesisht nga forcimi i kërkesës së brendshme, duke u reflektuar në rritje të konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Rritja e kërkesës së ekonomisë për mallra e shërbime është ushqyer nga rritja e kreditimit të ekonomisë dhe nga kushtet monetare, të cilat mbeten ende stimuluese për aktivitetin ekonomik. Gjithashtu, konsolidimi i stabilitetit makroekonomik ka ndikuar pozitivisht në aktivitetin ekonomik, nëpërmjet rritjes së horizontit kohor të planeve të biznesit dhe zbutjes së ciklit të konsumit të familjeve shqiptare. Këta faktorë, kanë ndikuar në ruajtjen e ritmeve të larta të kreditimit të sektorit privat. Në fund të muajit maj kjo kredi arriti në 228 miliardë lekë ose në 24,6 për qind të PBB-së së parashikuar për vitin 2007, duke konfirmuar rolin e saj si konsumatori kryesor i fondeve të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, edhe kërkesa e jashtme për produktet shqiptare ka shënuar rritje, duke u shoqëruar me një rritje prej 26 për qind të eksporteve shqiptare gjatë tremujorit të parë të vitit. Ambienti i përgjithshëm në shkallë botërore, i karakterizuar nga ritme të kënaqshme rritjeje në partnerët tanë kryesorë - Eurozonë dhe vendet e rajonit - ka favorizuar zgjerimin e eksporteve shqiptare.

Aktiviteti i sektorit fiskal, gjatë gjysmës së parë të vitit është karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve por edhe nga krijimi i tepricave fiskale, kryesisht si pasojë e prapambetjes në kryerjen e shpenzimeve kapitale. Treguesit kryesorë fiskalë kanë vazhduar të kenë tendenca pozitive, por me ritme vjetore më të ngadalësuara rritjeje krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të muajit maj, janë mbledhur 95.6 për qind e të ardhurave të parashikuara dhe janë realizuar 83 për qind e shpenzimeve të programuara për këtë periudhë. Aktiviteti fiskal nuk ka ushtruar presion mbi kërkesën e brendshme gjatë gjashtëmujorit të parë, por ndryshimi i sjelljes fiskale në pjesën e dytë të vitit, si pasojë e përqendrimit të shpenzimeve buxhetore dhe të huamarrjes publike, krijon premisa për forcimin e presioneve inflacioniste dhe për rritjen e luhatjeve në tregun e parasë, në këtë periudhë.

Rritja e kërkesës së brendshme është shoqëruar me zgjerimin e deficitit korent gjatë gjysmës së parë të vitit, në prani të një rritjeje të shpejtë të eksporteve dhe të importeve. Ky deficit shënoi një rritje vjetore prej rreth 40 për qind gjatë tremujorit të parë, kryesisht si pasojë e rritjes së importeve në masën 22 për qind dhe të deficitit tregtar në mallra me rreth 25 për qind. Importet për konsum të ndërmjetëm janë rritur më tepër sesa kategoritë e tjera, ndërkohë që rritja e importeve të orientuara drejt investimeve ka vazhduar të jetë e qëndrueshme. Një zhvillim për t'u theksuar në drejtim të sektorit të jashtëm është mbulimi në rritje i shpenzimeve korente me të ardhura kapitale, duke treguar se vendi po orientohet drejt financimit të deficitit korent me hyrje afatgjata të kapitalit dhe investime të huaja.

Pavarësisht rritjes së kërkesës gjatë gjashtëmujorit të parë, presionet mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve kanë qenë të ulëta, si pasojë e zhvillimeve të favorshme në kahun e ofertës. Rritja vjetore në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është luhatur rreth vlerës 2.3 për qind, ndërkohë që inflacioni vjetor regjistroi vlerën 2 për qind në muajin qershor 2007. Ritmet më të larta të rritjes së çmimeve janë shfaqur në kategorinë e ushqimeve të përpunuara, në shërbimet e strehimit dhe në mallrat dhe shërbimet me çmime të administruara. Inflacioni i mallrave të konsumit u ndikua dukshëm nga faktorë sezonalë të përkohshëm, që veprojnë në kahun zbritës dhe nga një balancë relative midis kërkesës dhe ofertës. Në kahun e ofertës, ndikimi pozitiv i prodhimit bujqësor vendas në inflacion është shfaqur mbizotërues ndaj efektit të çmimeve të larta të naftës, ndërkohë që pagat nuk kanë patur rritje të tepërta dhe pritjet inflacioniste kanë mbetur të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në kahun e kërkesës, kushtet ekzistuese monetare kanë rezultuar të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në këtë periudhë.

Ecuria e treguesve të ofertës së parasë ka evidentuar kërkesën e lartë për para gjatë vitit. Oferta e parasë ka shënuar rritje vjetore mesatare prej rreth 17.5 për qind, gjatë vitit 2007. Rritja vjetore e agregatit M2 është luhatur mesatarisht afër 12 për qind kundrejt normave mesatare të rritjes prej rreth 7-8 për qind, në gjysmën e dytë të vitit 2006. Ecuria e agregatit M2 kundrejt rritjes së M3, në terma vjetorë dhe struktura valutore e ofertës së parasë, pasqyrojnë krijimin e mjeteve monetare në valutë në sektorin privat të ekonomisë. Ritmet vjetore të zgjerimit të bazës monetare në ekonomi shënojnë ecuri të qëndrueshme, në rreth 10-12 për qind.

Pavarësisht nga kjo tablo, analiza e zhvillimeve aktuale dhe të pritshme ekonomike sugjeron se presionet inflacioniste mund të vijnë duke u forcuar në periudhën afatmesme. Rritja e kërkesës së brendshme në ekonomi, prirja aktuale e zgjerimit të importeve dhe të deficitit korent, rritja e shpejtë e mjeteve monetare në ekonomi dhe prania e rreziqeve potenciale në dinamikën e pritshme të presioneve inflacioniste, bënë që Banka e Shqipërisë të shtrëngojë politikën monetare në muajin qershor, nëpërmjet rritjes me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit. Duke filluar nga data 28 qershor, norma bazë e interesit të aplikuar në marrëveshjet e riblerjes është 5.75 për qind. Me anë të kësaj rritjeje, Banka e Shqipërisë synon stabilizimin e pritjeve inflacioniste nëpërmjet minimizimit të rreziqeve potenciale që prekin ekuilibrin monetar dhe atë makroekonomik. Përcjellja e këtij sinjali në tregjet financiare, do të nxitë një ribalancim të prirjes aktuale rritëse të kredisë së brendshme, në favor të financimit të rritjes së qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afatgjatë.

Nëpërmjet administrimit të likuiditetit, operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë kanë synuar minimizimin e luhatjeve të normave të interesit në tregjet financiare, në përputhje me politikën afatgjatë të saj. Në zbatim të kësaj politike dhe në varësi të luhatjeve të likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka përdorur operacionet e repo-ve njëjavore, si në kahun e injektimit dhe në atë të tërheqjes së likuiditetit, për të sinjalizuar politikën e saj; dhe repo-t një - dhe tremujore, për administrimin strukturor të likuiditetit në sistem. Teprica e likuiditetit dhe tendenca rënëse e normave të interesit, diktuan praninë e Bankës së Shqipërisë në kahun e tërheqjes së likuidititetit në tremujorin e dytë. Ndërkohë, e njëjta logjikë, por e aplikuar në kushtet e mungesës së likuiditetit në tremujorin e dytë, diktoi praninë e Bankës së Shqipërisë në kahun e injektimit të tij në këtë periudhë. Këto ndërhyrje kanë mundësuar minimizimin e luhatjeve të normave të interesave dhe respektimin e objektivave sasiorë të Bankës së Shqipërisë. Në tregun valutor, kursi i këmbimit ka rezultuar relativisht i qëndrueshëm me një tendencë të lehtë nënçmuese në tremujorin e parë. Ndërkohë, leku ka fituar pikë kundrejt dollarit në tremujorin e dytë dhe ka qenë relativisht i qëndrueshëm kundrejt euros. Banka e Shqipërisë ka qenë e pranishme në tregun valutor me synim stabilizimin e luhatjeve afatshkurtra në këtë treg.

Në përfundim, dëshiroj të ritheksoj se zhvillimet makroekonomike gjatë vitit 2007 kanë shënuar një ecuri pozitive në drejtim të rritjes ekonomike dhe të stabilitetit makroekonomik, kryesisht në sajë të dinamizmit të sektorit privat. Gjithashtu, kjo periudhë ka identifikuar një sërë dobësish strukturore të ekonomisë, ndër të cilat primare mbetet zgjidhja e çështjes energjitike dhe sigurimi i furnizimit me energji elektrike. Zgjidhja e shpejtë dhe përfundimtare e këtij problemi do të jetë një impuls për arritjen e ritmeve të programuara të rritjes ekonomike. Nota e mirë e marrë në përfundim të procesit të vlerësimit të rrezikut të vendit nga agjencia e mirënjohur Moody, i hap Shqipërisë dyert e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe aksesin në fonde, që do të mbështesin nevojat e vendit për zhvillim. Gjithsesi, kjo huamarrje kërkon hartimin e planeve strategjike dhe konsistente të zhvillimit, për të garantuar përdorimin eficient dhe prioritar të fondeve. Gjithashtu, ajo kërkon ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm makroekonomikë, të cilët garantojnë investitorët e huaj dhe ulin e koston e huamarrjes së Shqipërisë. Në aspektin e politikave ekonomike, sfida jonë e së ardhmes do të jetë garantimi i stabilitetit makroekonomik, në kushtet e rritjes së presioneve inflacioniste dhe zgjerimit të deficitit tregtar. Kjo sfidë do të kërkojë angazhimin e të dy politikave bazë ekonomike, politikës monetare dhe fiskale, si dhe koordinimin e tyre jo vetëm në fazën e hartimit por edhe në atë të zbatimit gjatë vitit ushtrimor. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur për të marrë të gjitha masat e duhura politike dhe rregullatore, të cilat do të garantojnë respektimin e objektivit të saj ligjor dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.