BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 19 mars 2007

Data e publikimit: 19.03.2007

 

Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të datës 19 mars 2007, u shqyrtua dhe u miratua "Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2006", i cili së shpejti do të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.

Njëkohësisht, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës u analizua dhe "Gjendja financiare e sistemit bankar në tremujorin e katërt të vitit 2006", e cila shkurtimisht paraqitet si më poshtë vijon:

Viti 2006 dallon zhvillime përgjithësisht pozitive dhe të qëndrueshme në sistemin bankar. Gjendja financiare e tij vlerësohet e mirë, me ecuri të kënaqshme të treguesve të rentabilitetit; qëndrueshmëri të treguesit neto të cilësisë së portofolit të kredive; përmirësim të aftësive të sektorit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë; mjaftueshmëri kapitali mbi nivelin minimal të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë; rritje të ndërmjetësimit bankar (në optikën e rritjes së raporteve të portofolit të huave dhe totalit të aktiveve ndaj PBB-së); zgjerim në vazhdimësi të rrjetit të bankave, me rreth 62 degë dhe agjenci; hyrja e bankave të reja në treg si Banka Union si dhe shtrirja e produkteve të reja bankare si ATM dhe e-banking. Situata e likuiditetit ka qenë e kënaqshme, ku Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol aktiv në ofrimin e instrumenteve lehtësuese për mundësimin e administrimit të likuiditetit të sistemit; reduktim gradual të përqendrimit të aktiveve dhe depozitave; përmirësim të eficiencës së sektorit bankar krahasimisht me sektorë të tjerë të ekonomisë, si shprehje e rritjes së peshës së rezultatit neto ndaj PBB-së.

Gjatë vitit 2006, aktivet e sistemit bankar u rritën me 127.7 miliardë lekë ose 25.7 për qind. Rritja vlerësohet rreth 57.6 miliardë lekë më e lartë se për vitin 2005. Dinamika në strukturën e aktiveve të sistemit bankar, gjatë vitit 2006, u përcaktua kryesisht nga rënia e investimeve në bono thesari të Qeverisë Shqiptare me rreth 6.3 për qind, rritja e kredidhënies me rreth 55 për qind si dhe rritja e peshës së investimeve në obligacione të Qeverisë Shqiptare dhe letra të tjera me vlerë. Ndërkohë, ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të sistemit, për vitin 2006, e dhanë depozitat e klientëve me 87.3 miliardë lekë (ose 20.2 për qind ).

Teprica e kredisë së sistemit shënoi rritje me 70.2 miliardë lekë ose 55 për qind, nga 57.6 miliardë lekë ose 82.1 për qind një vit më parë. Bankat e mëdha (G3) evidentohen me ndikimin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë së sistemit, me 43.3 miliardë lekë, shoqëruar nga bankat e mesme (G2) me 20.7 miliardë lekë dhe bankat e vogla (G3) me 6.2 miliardë lekë. Vetëm për tremujorin e fundit të vitit, teprica e kredisë së sistemit shënoi rritje me 25.5 miliardë lekë ose 14.8 për qind, nga 15.4 miliardë lekë ose 9.8 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Viti 2006 dallon rritje të rëndësishme të kredisë së akorduar sektorit privat dhe individëve. Pavarësisht prirjes së dukshme në rritje të kredive për individë, sektori i korporatave vazhdon të jetë segmenti më i kredituar. Gjithashtu, struktura e kredisë sipas afatit dallon zhvendosje të kredisë afatshkurtër drejt asaj afatgjatë.

Portofoli i kredive në lekë, megjithë dominimin e kredisë në valutë, prezanton ritëm rritjeje të konsiderueshëm. Kredia në lekë u rrit rreth 78.2 për qind në krahasim me fundvitin 2005. Për rrjedhojë, gjatë vitit 2006, pesha e portofolit të kredive në lekë ndaj totalit të kredive dallon rritje në 28.1 për qind, nga niveli 24.4 për qind

Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë bruto në fund të vitit 2006, ishte në nivelin 3.1 për qind, nga 3.3 për qind tremujorin e mëparshëm dhe 2.4 për qind një vit më parë. Ndërsa, treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë neto, i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet 1.4 për qind nga rreth 1.5 për qind në tremujorin e tretë. Edhe aftësia e sektorit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë, potencialisht pjesën e pambuluar me provigjone, evidentohet e përmirësuar.

Rezultati neto i sistemit bankar për vitin 2006, raportohet rreth 7.45 miliardë lekë, nga 6.6 miliardë lekë një vit më parë apo 12.9 për qind më i lartë. Të ardhurat nga aktivitetet kryesore, të cilat pasqyrohen në të ardhurat neto nga interesi, rezultojnë 31.2 për qind më shumë se vitin e mëparshëm.

Performanca e treguesve kryesorë të rentabilitetit, përkatësisht kthimi nga aktivet mesatare (RoAA) dhe kthimi nga kapitali mestar (RoAE), ishte mjaft e mirë edhe për vitin 2006. Zhvillime u reflektuan edhe në ecurinë e treguesit të marzhit neto nga interesat (NIM), i cili u rrit me rreth 0.5 për qind. Vetëm për tremujorin e fundit, treguesi NIM shfaq një rënie jo të rëndësishme.

Në tremujorin e fundit të vitit 2006, kapitali aksioner i sistemit arriti në 42 miliardë lekë, rreth 2.3 miliardë lekë ose 5.7 për qind më shumë se në tremujorin e tretë. Ndërkohë, krahasuar me fundin e vitit 2005, rritja paraqitet rreth 9.1 miliardë lekë ose 27.7 për qind. Totali i aktiveve të financuara nga kapitali aksioner, në fund të vitit 2006 paraqet një rritje të lehtë në 6.75 për qind nga rreth 6.65 për qind, në fund të muajit dhjetor 2005. Për rrjedhojë, sistemi bankar evidenton përdorim më të ulët të levës financiare.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit arriti në 39 miliardë lekë, rreth 11.4 milionë lekë ose 41 për qind më i lartë se në fundvitin 2005. Në terma të grupeve të bankave, kjo rritje shkaktohet kryesisht nga grupi i bankave të mëdha G3, kapitali rregullator i të cilave u rrit me 7.5 miliardë lekë, i ndjekur nga grupi G2 me një rritje prej 3.1 miliardë lekësh dhe ai G1, me një rritje rreth 712 milionë lekë.

Së fundi, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të vitit 2006, paraqitet, në nivelin 18.1 për qind apo 0.5 pikë përqindje më pak, krahasuar me fundvitin 2005, por mbi nivelin minimal të kërkuar prej 12 për qind. Treguesi ka ruajtur prirjen rënëse të evidentuar gjatë viteve të fundit, e cila tregon për një administrim më efektiv të burimeve të sistemit. Në terma të grupeve të bankave, treguesi i mjaftueshmërisë vazhdon të shfaqë nivele më të larta në grupin e bankave të vogla G1 (rreth 41.3%), ndjekur nga grupi i bankave të mëdha dhe atyre të mesme, përkatësisht me 16 për qind dhe 15.9 për qind.