BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 29 gusht 2007

Data e publikimit: 29.08.2007

 

1. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 29 gusht 2007, pasi mori në shqyrtim "Raportin e politikës monetare për muajin korrik 2007" vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 5.75 për qind.

Inflacioni vjetor në muajin korrik rezultoi 2.1 për qind, duke qenë pranë shifrës mesatare historike. Kushtet ekzistuese monetare dhe aktiviteti fiskal kanë rezultuar të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në këtë periudhë. Prodhimi bujqësor vendas dhe inflacioni i importuar janë shfaqur mbizotërues në ecurinë e normës së inflacionit, duke ndikuar në uljen e tij. Megjithatë, ecuria në rritje e normës vjetore të inflacionit bazë gjatë dy muajve të fundit, sinjalizon praninë e presioneve të gjeneruara nga krahu i kërkesës, të cilave u janë shtuar edhe presionet nga krahu i ofertës.

Zhvillimet në treguesit monetarë, në muajin qershor, kanë regjistruar ritme më të ngadalta rritjeje se në muajt e parë të vitit. Pakësimi i pretendimeve neto ndaj qeverisë dhe ngadalësimi i rritjes së kërkesës së sektorit privat për mjete monetare kanë qenë faktorët përcaktues të rritjeve më të ulta të vitit për treguesit monetarë, në këtë periudhë. Teprica e kredisë për ekonominë, me rritje vjetore prej 53.6 për qind, arriti në 25 për qind të PBB-së së programuar për vitin 2007. Vemendja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u ndal edhe në cilësinë e portofolit të kredisë, duke insistuar edhe njëherë në nevojën për adoptimin e praktikave më të kujdesshme kredituese nga ana e sistemit bankar.

Rritja e normës bazë të interesit në fund të qershorit 2007, është pasqyruar edhe në rritjen e normave të interesit në sistemin bankar dhe në tregun e parasë në këtë periudhë. Administrimi i likuiditetit ka qenë i favorshëm për stabilizimin e yield-eve të bonove të thesarit. Në tregun valutor, leku ka respektuar sjelljen sezonale të tij gjatë muajve të verës, ndonëse me një intesitet më të ulët. Banka e Shqipërisë ka qenë e pranishme në këtë treg, në kahun e blerjes së valutës, me synim frenimin e ç'rregullimeve në tregun valutor.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve të pritshme në çmimet e konsumit. Analiza e balancës së rreziqeve, si dhe parashikimet për inflacionin në 12 muajt në vijim, japin sinjale të qarta për një gjallërim të presioneve inflacioniste në të ardhmen. Ndërveprimi i faktorëve të ndryshëm, të lidhur si me ofertën ashtu dhe me kërkesën, mbart rrezikun potencial për të ndikuar negativisht, veçanërisht, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin.

Ndër këto rreziqe, Këshilli Mbikëqyrës veçoi situatën e vështirë energjetike që po kalon vendi, pasojat e të cilës do të varen ndjeshëm edhe nga kohëzgjatja e saj. Intensiteti dhe shtrirja e pasojave të drejtëpërdrejta si dhe e atyre të raundit të dytë, do të jenë subjekt i kohëzgjatjes së saj, veçanërisht në rastin kur ajo do të kalojë kufijtë e parashikuar dhe të faktorizuar nga agjentët ekonomikë. Për këtë qëllim u vlerësua se është e domosdoshme një studim më i gjerë i të gjithë informacionit të disponueshëm ndërkohë që informacion i ri, veçanërisht mbi aktivitetin e ekonomik të vendit, pritet të publikohet së shpejti. Në përgjigje të kristalizimit të mundshëm të këtyre rreziqeve, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të mbajtur të pandryshuara pritjet inflacioniste, të anakoruara në nivelin objektiv 3 për qind, me një zonë tolerance plus/minus 1 pikë përqindje.

2. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi kërkesën e Bankës Italo Shqiptare sh.a. (BISH) "Për miratimin e transferimit të pronësisë së aksioneve të kapitalit aksioner të saj nga shoqëria SanPaolo IMI S.p.A. tek shoqëria Intesa Sanpaolo S.p.A."

Ky ndryshim i aksionerit të bankës konsiston në bashkimin dhe përthithjen e shoqërisë SanPaolo IMI S.p.A. me shoqërinë Intesa S.p.A. Bashkimi i tyre është bërë mbi bazën e aktit të bashkimit i cili është nënshkruar nga të dy përfaqësuesit ligjorë respektive dhe ky bashkim është miratuar nga Banca d'Italia. Shoqëria Intesa Sanpaolo, që rezulton nga bashkimi me përthithje i SanPaolo IMI S.p.A. nga Banka Intesa S.p.A., do të jetë aksioneri i ri dhe do të ruajë të njëjtën pjesë të zotërimit të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italo Shqiptare që përbën 76.129 përqind të tij.

Grupi Intesa Sanpaolo parashikohet të jetë lider i padiskutueshëm në të gjithë segmentet me një pjesë të tregut për kreditë për klientët dhe për depozitat mbi 20 përqind, në shumicën e produkteve atraktivë, me një bazë kapitali të fuqishme dhe cilësinë më të mirë të aktiveve. Grupi do të ketë rrjetin më të madh të degëve në vend (Itali) me rreth 5,500 degë, do të ketë rreth 17 përqind të tregut dhe rreth 12 milion klientë. Grupi do të ketë një prezencë të fuqishme dhe komplementare në Evropën Qendrore dhe Lindore duke arritur në 6 milionë klientë në 10 vende nëpërmjet 1,400 degëve. Grupi do të ketë shtrirjen më të gjerë ndërkombëtare ndërmjet bankave italiane me një prezencë në 34 vende.

Miratimi i këtij ndryshimi në strukturën e aksionerëve të BISH është bërë në bazë të kërkesave të rregullores për "Dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Struktura e aksionerëve të Bankës Italo Shqiptare pas miratimit të këtij transferimi të pronësisë do të jetë si më poshtë:

 

E m ë r t i m i i aksionerit

Pjesëmarrja në kapitalin aksioner të BISH (në përqindje)

1. Intesa Sanpaolo S.p.A.

76,129 %

2. EBRD (BERZH)

20,000 %

3. SIMEST S.p.A.

3,871 %

T o t a l i

100,00 %