BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 2 maj 2007

Data e publikimit: 02.05.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 2 maj 2007 mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit në ekonomi. Kjo mbledhje, e programuar dhe e bërë publike në kalendarin e punës së Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2007, iu dedikua tërësisht analizës dhe vendimmarrjes së politikës monetare, duke përbërë një zhvillim të ri cilësor dhe duke garantuar rritjen e mëtejshme të efektivitetit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstaton se zhvillimi ekonomiko - financiar i vendit ka qenë përgjithësisht në përputhje me programin afatmesëm të zhvillimit të vendit. Aktiviteti ekonomik i tremujorit të fundit të vitit 2006, sipas treguesve të disponueshëm rezulton i rritur më tej. Kërkesa e brendshme vlerësohet të ketë qenë motori kryesor i nxitjes së rritjes ekonomike gjatë fundit të vitit 2006 dhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2007. Zgjerimi i vëllimit të shitjeve, rritja e eksporteve dhe rritja e theksuar e kredisë tregojnë se kërkesa e brendshme mbetet e lartë, pavarësisht problemeve të shkaktuara nga vështirësitë në prodhimin dhe përdorimin e energjisë elektrike.

Inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2006 dhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2007 kanë qenë relativisht të qëndrueshme, gjë që është reflektuar në një normë vjetore inflacioni pranë nivelit 3 për qind.

Politika monetare ka qenë e aftë në administrimin e presioneve inflacioniste kryesisht nëpërmjet krijimit të kushteve të përshtatshme monetare në ekonomi. Kontribut pozitiv në këtë drejtim ka dhënë dhe politika fiskale, e cila në fund të tremujorit të parë të vitit 2007 llogaritet të ketë rregjistruar një suficit prej rreth 5 miliardë lekësh. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes javore në nivelin 5.5 për qind.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm ku u ndal analiza e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ishte dhe analiza e hollësishme e faktorëve të rrezikut, të cilët janë prezentë si në horizontin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatmesëm. Këta faktorë rrjedhin si nga zhvillimet në krahun e kërkesës ashtu edhe faktorët e ofertës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i kushtoi kujdes të madh peshimit të mundësive për materializimin e tyre në të ardhmen, gjë që do të krijonte premisat për një gjallërim të presioneve inflacioniste në ekonomi, duke e bërë të vështirë ankorimin mëtejshëm të pritshmërive të agjentëve ekonomikë rreth objektivit të synuar prej Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se këta faktorë rreziku ende mbartin potencial të lartë materializimi, fakt që imponon domosdoshmërinë e një vigjilence të lartë nga ana e politikës monetare për minizimin e shmangies në të ardhmen të inflacionit nga niveli i synuar 3 për qind me një zonë tolerance plus/minus 1 për qind.