BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 31 janar 2007

Data e publikimit: 31.01.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 31 janar 2007 mori në shqyrtim zhvillimet monetare në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006 dhe me propozimin e Departamentit të Politikës Monetare vendosi të miratojë :

1. Deklaratën e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006.

Fjalën e Guvernatorit

Ekonomia shqiptare është karakterizuar nga tendenca pozitive zhvillimi gjatë viteve të fundit, të shprehura në ritme të qëndrueshme të rritjes ekonomike, në përmirësim të vazhdueshëm të stabilitetit makroekonomik dhe në përafrimin gradual të strukturës së ekonomisë me ato të ekonomive të zhvilluara. Reformat strukturore dhe qëndrueshmëria e treguesve makroekonomikë, kanë mbështetur potencialin ekonomik të sektorit privat, duke gjeneruar ritme të qëndrueshme rritjeje ekonomike në nivelin 5-6 për qind.

Kjo trajektore zhvillimi është ruajtur edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2006. Sipas treguesve të prodhimit dhe konsumit, ecuria e ekonomisë ka qenë në përputhje me programin e zhvillimit të vendit. Përmirësimi i situatës ekonomike në Eurozonë dhe frenimi i rritjes së çmimit të naftës, kanë favorizuar ecurinë e ekonomisë vendase. Duke u nisur nga zhvillimet e faktuara të tremujorit të tretë dhe trendet e konstatuara gjatë tremujorit të katërt, gjykohet se situata e prodhimit ka vazhduar të jetë e mirë dhe përgjithësisht në përputhje me parashikimet. Në ndryshim nga zhvillimet e gjashtëmujorit të parë, në gjysmën e dytë të vitit, bilanci fiskal ka regjistruar deficit si pasojë e përshpejtimit në kryerjen e shpenzimeve buxhetore. Sektori i jashtëm ka shfaqur shenja përmirësimi të manifestuara në zbutjen e lehtë të deficitit korent. Zhvillimet në tregun valutor kanë ndjekur ecurinë e tregut ndërkombëtar, duke mos rrezikuar balancat makroekonomike në vend.

Kërkesa e brendshme ka qëndruar në nivele të përshtatshme për të mbështetur rritjen ekonomike, ndërkohë që efekti i rritjes sezonale të kërkesës mbi çmimet e konsumit gjatë muajit dhjetor ka qenë më i moderuar në krahasim me vitet e mëparshme. Rishfaqja e kufizimeve në furnizimin me energji elektrike gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor përbën një zhvillim të ri. Prania e saj edhe në muajin e parë të vitit 2007 shtron domosdoshmërinë e një analize të plotë, për të arritur në konkluzione të besueshme mbi efektet e mundshme negative, të drejtpërdrejta apo të mëvonshme. Banka e Shqipërisë vlerëson të domosdoshme hedhjen e hapave konkretë në drejtim të ndërtimit të burimeve alternative të energjisë, për të minimizuar varësinë e madhe të vendit ndaj kushteve atmosferike. Banka e Shqipërisë gjykon se përsëritja kronike e krizave të kësaj natyre do ta konvertojë këtë problem në një faktor të përhershëm, zhvillim që ka si pasojë faktorizimin e kostove të lidhura në kostot e prodhimit apo të shërbimit.

Duke u ndalur në aktivitetin ekonomik të vitit të kaluar, bazuar në informacionin statistikor që është në dispozicion, vlerësohet se ecuria e prodhimit gjatë vitit 2006, sipas treguesit të shitjeve të ndërmarrjeve ekonomike, ka qenë e kënaqshme. Norma e rritjes së shitjeve në bazë vjetore për nëntëmujorin e parë ishte rreth 11 për qind, duke qenë pranë normës mesatare të rritjes së pesë viteve të fundit. Të dhënat mbi prodhimin sinjalizojnë se sektori i industrisë po shfaq shenja të forta rimëkëmbjeje, të vërejtura sidomos në industrinë përpunuese. Kjo e fundit është zhvilluar me ritme të shpejta gjatë vitit 2006, duke regjistruar një ndër normat më të larta të rritjes sektoriale prej 27 për qind në tremujorin e tretë të vitit. Një sektor tjetër, që vazhdon të zhvillohet me shpejtësi është ai i tregtisë. Ky sektor, ka regjistruar vazhdimisht norma të larta rritjeje vjetore, duke dhënë njëkohësisht kontributin më të lartë në rritjen e shitjeve të ekonomisë. Sektori i ndërtimit, pavarësisht rritjes pozitive vjetore në tremujorin e tretë, ka shfaqur shenja ngadalësimi, në krahasim me vitet e mëparshme. Ngadalësim është vërejtur gjithashtu në sektorin e transportit, ndërkohë që shërbimet e telekomunikacionit dhe shërbimet e tjera kanë shënuar rritje si në bazë vjetore, ashtu edhe në bazë tremujore gjatë pjesës së dytë të vitit.

Tregu i punës gjatë tremujorit të tretë të vitit 2006, ka regjistruar të njëjtit tregues me ata të dy tremujorëve të mëparshëm. Norma e papunësisë arriti në nivelin 13.8 për qind, ndërkohë që konstatohet një zhvendosje e të punësuarve nga sektori shtetëror, në sektorin privat jobujqësor.

Inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2006, ka qenë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke u luhatur në intervalin e poshtëm të tolerancës. Çmimet e konsumit janë rritur me mesatarisht 2.7 për qind gjatë gjashtëmujorit të dytë, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor kapi nivelin 2.4 për qind. Fakti që inflacioni mesatar vjetor në katër vitet e fundit është luhatur në intervalin 2-3 për qind, është tregues se inflacioni tashmë është stabilizuar në nivele të qëndrueshme dhe komode për ecurinë e ekonomisë së vendit. Profili i rritjes së çmimeve gjatë gjashtëmujorit të dytë është dominuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Rritja vjetore prej 13.7 për qind në çmimin e energjisë u shoqërua edhe me rritjen e çmimeve të qirave, sidomos në muajt shtator-tetor. Presione në drejtim të rritjes së inflacionit ka ushtruar edhe grupi "Pije alkolike dhe duhan" si pasojë e rritjes së akcizave në muajin shtator. Efekti balancues gjatë kësaj periudhe ka ardhur nga grupi i mallrave ushqimorë, çmimet e të cilit kanë regjistruar rënie në muajt shtator-tetor dhe vlera të ulëta pozitive në muajt e tjerë. Vlen të theksohet se rritja e çmimeve të konsumit edhe duke përjashtuar efektin e çmimeve të administruara, mbetet nën kontroll dhe pranë vlerës së synuar nga Banka e Shqipërisë.

Në përgjithësi, financimi i deficitit buxhetor nëpërmjet huamarrjes së brendshme ka qenë i ulët gjatë pjesës së dytë të vitit. Kërkesa e qeverisë për mjete monetare ka dhënë një ndikim të kontrolluar në zgjerimin e burimeve monetare. Treguesit fiskalë kanë qenë brenda vlerave të programuara për këtë periudhë, edhe në kushtet e shifrave të rishikuara. Në këtë aspekt, politika fiskale nuk ka cënuar ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë.

Zhvillimet në llogarinë korente deri në tremujorin e tretë të vitit 2006, tregojnë për një aktivitet intensiv të sektorit të jashtëm të ekonomisë. Vëllimi i transaksioneve në llogarinë korente, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, kapi nivelin 5 miliardë euro, duke qenë 17 për qind më i lartë sesa ai i të njëjtës periudhë për vitin 2005. Transfertat korente, ashtu si edhe gjatë viteve të kaluara, kanë marrë formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit përfaqësojnë një nga burimet kryesore të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2006 ato janë vlerësuar në nivelin 683 milionë euro ose 24 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo prirje zbutëse e tyre kërkon një monitorim të kujdesshëm dhe marrjen e masave për gjenerimin e burimeve më të qëndrueshme valutore në një perspektivë afatgjatë.

Në përgjigje të zhvillimeve ekonomike të sipërpërmendura, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, duke synuar balancimin e stimulit financiar të ekonomisë me nevojën e ruajtjes së stabilitetit monetar dhe kontrollin e presioneve inflacioniste në ekonomi. Zhvillimet ekonomike dhe financiare krijuan sfida të rëndësishme për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2006. Presionet inflacioniste gjatë kësaj periudhe origjinuan, kryesisht nga goditjet e ofertës, por edhe komponenti i kërkesës filloi të bëhej një faktor i rëndësishëm në formimin e normës së inflacionit. Ky i fundit është ushqyer gjithnjë e më shumë nga kreditimi i vrullshëm i sistemit bankar gjatë tre viteve të fundit, duke mbështetur rritje në investimet e bizneseve dhe rritjen e konsumit.

Për t'i paraprirë lindjes së presioneve inflacioniste dhe reflektimit të tyre në pritjet e ekonomisë, Banka e Shqipërisë shtrenjtoi koston e parasë në ekonomi. Kjo lëvizje u krye në dy hapa, në muajt korrik dhe nëntor, dhe solli rritjen e normës bazë të interesit, nga 5.0 në 5.5 për qind. Shtrenjtimi i kostos së parasë synoi ruajtjen e kushteve monetare të përshtatshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatgjatë. Ridimensionimi i stimujve për konsum e kursim në ekonomi dhe rivlerësimi i faktorëve mbështetës të kursit të këmbimit, do të mundësojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve brenda parametrave të shpallur nga Banka e Shqipërisë gjatë muajve të ardhshëm. Gjithashtu, shtrëngimi i kushteve monetare është në linjë me politikën monetare të ndjekur nga bankat e mëdha qendrore dhe me rritjen e normave të interesit në tregjet valutore ndërkombëtare. Në ndjekje të sinjaleve shtrënguese, normat e interesit në tregun e parasë kanë qenë në rritje gjatë kësaj periudhe.

Zhvillimet monetare në gjashtëmujorin e dytë të vitit, janë kushtëzuar nga rritja graduale e kërkesës së qeverisë për mjete monetare. Në përgjigje të saj, ritmi i rritjes së ofertës monetare u rrit në 12.7 për qind në muajin nëntor, kundrejt vlerës 9.7 për qind në muajin qershor. Megjithatë, ritmet aktuale të zgjerimit vjetor të agregatëve monetarë rezultojnë dukshëm më të ulëta kundrejt ritmeve prej 17-18 për qind të dy viteve të fundit. Gjithashtu, pakësimi gradual i peshës së parasë në qarkullim favorizon monetizimin e ekonomisë, rritjen e shkallës së ndërmjetësimit financiar dhe të rolit të sistemit bankar.

Kreditimi i ekonomisë mbetet kontribuesi kryesor i rritjes së mjeteve monetare në ekonomi. Ai ka vijuar të shënojë rritje të shpejtë edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2006. Portofoli i kredisë së sistemit bankar për ekonominë arriti në 179.5 miliardë lekë në muajin nëntor 2006, duke përbërë 28.1 për qind të mjeteve monetare të ekonomisë. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ky portofol ndodhet në nivelin më të lartë historik të dhjetë viteve të fundit 20.1 për qind.

Megjithatë, ritmi vjetor i zgjerimit të kredisë për ekonominë ka shënuar rënie në terma relativë, duke zbritur nga 67.1 për qind në muajin qershor në 57.8 për qind në muajin nëntor. Ngadalësimi i ritmit të rritjes ka ardhur si rezultat i nivelit të lartë të kreditimit për një periudhë 2-vjeçare, i ngopjes së disa segmenteve të tregut dhe sinjalizimit nga Banka e Shqipërisë të shtrëngimit të masave rregullatore që kontrollojnë cilësinë e portofolit. Banka e Shqipërisë pret që vënia në zbatim e këtij seti rregullator gjatë vitit 2007, të ndikojë në kontrollin e ritmit të ekspansionit të kredisë, në përputhje me stabilitetin makroekonomik të vendit në një periudhë afatgjatë.

Banka e Shqipërisë mbetet një institucion i përgjegjshëm dhe transparent, në themel të punës së të cilit qëndron angazhimi ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe vullneti institucional për nxitjen dhe zhvillimin e tregjeve financiare. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka hartuar dhe miratuar kuadrin e saj politik dhe operacional për vitin 2007, të finalizuar në Dokumentin e Politikës Monetare dhe Programin Monetar për vitin 2007. Këto dy dokumente përvijojnë qartë objektivat tanë strategjikë, në drejtim të stabilitetit ekonomik dhe atij financiar.

Banka e Shqipërisë gjykon se objektivat e zhvillimit ekonomiko-financiar të vendit për vitin 2007 janë realistë. Gjithsesi, ata imponojnë një ndjekje të kujdesshme të tyre nga ana e institucioneve përgjegjëse, veçanërisht në fushën e reformave strukturore të ekonomisë, dhe një koordinim të mirë të politikave makroekonomike.

Në këtë mbledhje nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u miratua një ndryshim në rregulloren "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit" dhe zgjatja e afatit njëvjecar të vlefshmërisë së miratimit paraprak të liçencës për të ushtruar veprimtari bankare, bankës së propozuar "Banka e Parë e Investimeve-Shqipëri sh.a.", si dhe u shqyrtuan disa materiale të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.