BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 31 tetor 2007

Data e publikimit: 31.10.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 31 tetor 2007, mori në shqyrtim dhe miratoi opinionin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e ekonomisë në tremujorin e tretë të vitit 2007".

Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 6.00 për qind.

Në vijim, do të gjeni fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.
Ekonomia shqiptare gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2007 ka shënuar ritme pozitive rritjeje vjetore, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë në nivele të ulëta për pjesën më të madhe të periudhës. Rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të jetë rreth 6%. Pavarësisht tendencës në rritje, inflacioni mesatar vjetor gjatë periudhës janar-shtator ishte 2.7%, duke qenë mjaft pranë normës prej 3% të synuar nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Rritja e kërkesës vlerësohet të ketë qenë më e shpejtë se ajo e ofertës. Pjesa më e rëndësishme dhe dinamike e kërkesës agregate vazhdon të mbetet konsumi i kompanive dhe i individëve. Kontributi i sektorit publik ka ndikuar pozitivisht në drejtim të rritjes së kërkesës, ndonëse ky kontribut nuk ka qenë në nivelet e parashikuara. Sektori i jashtëm është karakterizuar nga thellimi i deficitit korrent dhe atij tregtar, të cilët ishin përkatësisht 10 dhe 27% e PBB-së për gjashtë muajt e parë të vitit.

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, oferta në ekonominë shqiptare është vendosur nën ndikimin e disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që kanë përcaktuar në mënyrë vendimtare lëvizjet në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit dhe të prodhimit. Tremujori i dytë dhe ai i tretë i vitit, janë karakterizuar nga një mot i thatë dhe i papërshtatshëm për prodhimin bujqësor, gjë që ka shkaktuar tkurrjen e ofertës së mallrave bujqësorë kryesisht në stinën e verës. Rritja e çmimit të drithërave në tregjet ndërkombëtare filloi të ndihej edhe në tregun vendas, që prej muajit korrik. Kufizimet dhe problemet në furnizmin me energji elektrike kanë qenë të pranishme gjatë gjithë nëntëmujorit. Kushtet atmosferike, problemet me infrastrukturën energjitike, kufizimet në kuotat e energjisë së furnizuar nga vendet partnere dhe rritja e çmimit kanë bërë që si prodhimi vendas, ashtu edhe importi i energjisë të vendosen përpara vështirësive. Kriza energjitike është shfaqur me intensitet të lartë në tremujorin e tretë. Shpenzimet për sigurimin e burimeve alternative të energjisë, vlerësohet të jenë faktorë të cilët kanë ushtruar presione mbi kostot e prodhimit dhe të tregtimit të mallrave dhe të shërbimeve.

Në rritjen e vazhdueshme të kërkesës kanë vijuar të kontribuojnë faktorë si, rritja e kërkesës për disa eksporte bazë të vendit, kushtet e favorshme monetare dhe rritja e çmimeve të pronave të patundshme, që kontribuon në shtimin e pasurisë së individëve dhe kompanive, duke shtuar mundësitë për huamarrje dhe investime. Treguesi më i drejtpërdrejtë i ecurisë së kërkesës është ecuria e kredisë për ekonominë, e cila ka vazhduar të zgjerohet me ritme të larta edhe gjatë vitit 2007. Kredia për bizneset është rritur me mbi 50% në muajin gusht duke arritur në një nivel prej 16% të PBB-së, ndërsa kredia për individët, ndonëse zë një pjesë më të vogël të portofolit të përgjithshëm, ka vazhduar të rritet me rreth 70 % në terma vjetorë. Rritje e theksuar është evidentuar edhe në ecurinë e eksporteve me rreth 28% për periudhën janar - gusht 2007. Zgjerimi i deficitit tregtar me 4 pikë përqindjeje në terma të PBB-së gjatë kësaj periudhe, reflekton jo vetëm rritjen e konsumit, por edhe rritjen e investimeve. Importet e mallrave kapitalë dhe të atyre të ndërmjetëm janë rritur me rreth 30 % gjatë gjashtëmujorit të parë. Investimet e huaja direkte kanë siguruar gjithashtu një ndihmë të konsiderueshme për aktivitetin ekonomik.

Mbështetja e biznesit në një bazë më të mirë financiare, si nëpërmjet sistemit bankar, ashtu edhe në burimet vetjake, është reflektuar në rritjen e prodhimit të disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë si industria dhe tregtia. Prodhimi industrial, për të katërtin tremujor radhazi, ka shënuar norma të larta rritjeje vjetore duke realizuar një rritje vjetore prej rreth 20% në vëllimin e shitjeve. Në të njëjtën kohë, aktiviteti tregtar ka ruajtur ritmet e larta të viteve të kaluara, duke u rritur me rreth 14 % gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kontributi i rritjes së shitjeve të sektorit të ndërtimit në rritjen e përgjithshme të shitjeve të ndërmarrjeve ekonomike, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2007 ka qenë pothuajse i pandjeshëm.

Banka e Shqipërisë ka vendosur për rritjen e normës bazë të interesit dy herë deri në fund të muajit shtator të këtij viti. Zgjerimi me ritme të shpejta i kredisë dhe pritshmëritë për vazhdimësinë e këtyre ritmeve përtej gjashtëmujorit të parë, shtuan shqetësimet për arritjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Në përgjigje të rritjes së presioneve nga ana e kërkesës, në fund të muajit qershor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar normën e zbatuar në marrëveshjet e riblerjes në nivelin 5.75%. Kjo rritje kishte si qëllim të frenonte ose të zbuste presionet inflacioniste të gjeneruara nga rritja e shpejtë e kërkesës, nëpërmjet shtrenjtimit të kostos së parasë në ekonomi.

Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stabiliteti afatmesëm i çmimeve të konsumit kërcënohej nga kërkesa gjithnjë në rritje, si edhe nga faktorët e lidhur me kostot e prodhimit, kohëzgjatja e të veprimit të të cilëve ishte dhe mbetet e papërcaktuar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë hodhi një hap më tej në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare, duke e rritur normën bazë me 25 pikë bazë në fund të muajit shtator (në 6%). Nëpërmjet kësaj rritjeje Banka e Shqipërisë i tregoi tregut gatishmërinë e saj për stabilizimin e pritshmërive inflacioniste në periudhën afatmesme në përputhje me objektivin e saj të inflacionit prej 3%. Ruajtja e ekuilibrit të kërkesës së brendshme për para dhe e stabilitetit të çmimeve përbën kusht për ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike.

Për pjesën e mbetur të vitit dhe për vitin në vazhdim, Banka e Shqipërisë gjykon se problemet e identifikuara të ofertës do të vazhdojnë të jenë të pranishme në ekonominë shqiptare, duke ushtruar vazhdimisht presione mbi nivelin e çmimeve. Mundësitë që situata energjitike të ketë zgjidhje të shpejtë dhe përfundimtare brenda një periudhe afatmesme duket se janë të pakta. Çmimet e naftës, të drithërave dhe të produkteve të tjera ushqimore në tregjet ndërkombëtare mund të vazhdojnë të rriten ose të luhaten, duke sjellë presione destabilizuese për çmimet në vend.

Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që në axhendën e reformave strukturore përparësi e veçantë t'i jepet prodhimit bujqësor vendas, i cili, në ditët e sotme, merr një rëndësi të dorës së parë. Krijimi i një strukture eficiente grumbullimi dhe shpërndarjeje do të ishte një pikë nisjeje, ndërkohë që shumë e rëndësishme mbeten infrastruktura bujqësore, rrugët rurale dhe veçanërisht shtimi i sipërfaqeve të mbjella me drithëra.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ka ende hapësira për liberalizim të mëtejshëm në tregun e prodhimit dhe importeve të mallrave dhe lëndëve të para, për të mundësuar një konkurrencë më të madhe midis operatorëve në këto tregje.

Përveç probleme të identifikuara në krahun e ofertës, Banka e Shqipërisë vlerëson se edhe kërkesa e brendshme do të vazhdojë të rritet në të ardhmen. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë përveç shqetësimeve që lidhen me presionet inflacioniste, është thellësisht e angazhuar për një monitorim sa më efektiv të ecurisë së kredidhënies në vend. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, deklaron se cilësia e portofolit të kredive mbetet një prioritet i vazhdueshëm. Stabiliteti financiar përbën një objektiv tjetër madhor të këtij insititucioni, e për rrjedhim, harmonizimi sa më i drejtë midis politikës monetare dhe rregullave të mbikëqyrjes bankare ka qenë dhe do të vazhdojë jetë një drejtim kryesor i punës sonë.

Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë është shumë pranë finalizimit të Regjistrit të Kredive, qëllimi kryesor i të cilit do të jetë ndihmesa në kryerjen e transaksioneve të shëndosha kredituese, nëpërmjet vënies në dispozicion të të gjithë informacionit, që bankat e sistemit disponojnë mbi kredimarrësit duke nxitur procesin kredidhënës. Gjithashtu, regjistri do të ndikojë si në uljen e informalitetit në ekonomi, ashtu edhe në rritjen e vëllimit të kredive, duke reduktuar koston dhe kohën e procesit të kreditimit dhe rrjedhimisht, do të ushtrojë ndikim edhe në rritjen ekonomike të vendit.

Duke bërë një përgjithësim të bilancit të rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin e çmimeve të konsumit, duhet theksuar se propabiliteti për materializimin e tyre është i zhvendosur në kahun rritës dhe kjo e detyron Bankën e Shqipërisë që të jetë shumë vigjilente.

Banka e Shqipërisë e vlerëson si të domosdoshme komunikimin e vazhdueshëm me publikun për këtë problem. Sqarimi i vazhdueshëm i balancës së rreziqeve që qëndrojnë në horizontin afatshkurtër dhe atë afatgjatë, është i nevojshëm për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë për zhvillimet inflacioniste në të ardhmen dhe ka për qëllim ankorimin në maksimumin e mundshëm të pritjeve inflacioniste rreth objektivit prej 3 për qind.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se, pavarësisht, angazhimit të plotë të Bankës së Shqipërisë ndaj arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, çelësi i suksesit të të gjitha politikave makroekonomike është, në radhë të parë, koordinimi i vazhduar i politikës monetare dhe asaj fiskale. Të gjithë agjentët ekonomikë dhe në radhë të parë publiku i gjerë duhet të mundohen të kuptojnë motivet prapa veprimeve të bankës qendrore, fushën e veprimit dhe kufizimet e politikës monetare dhe të asaj fiskale, faktin që jo gjithnjë është e mundur të arrihen të gjithë objektivat në të njëjtën kohë, dhe që një prosperitet afatgjatë mund të kërkojë një kosto më të lartë për të gjithë, në të tashmen.