BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 3 maj 2006

Data e publikimit: 04.05.2006

 

1. Në mbledhjen e tij të datës 3 maj 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi ecurinë e ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2006.

Ekonomia shqiptare gjatë këtij tremujori është karakterizuar nga një qëndrueshmëri e përgjithshme makroekonomike. Inflacioni është mbajtur nën kontroll dhe llogaria fiskale është karakterizuar nga një sufiçit i konsiderueshëm buxhetor. Monedha kombëtare ka qenë e qëndrueshme, ndërsa vëllimi i tregtisë së jashtme në vlerë për muajin janar ka pësuar rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ashtu si dhe në vitin e kaluar, kreditimi për ekonominë ka regjistruar qëndrueshmëri në ritmet e rritjes, duke u bërë burim kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë.

Norma mesatare vjetore e inflacionit për tremujorin e parë ishte 1.4 për qind. Inflacioni i ulët i regjistruar gjatë tremujorit të parë të vitit është përcaktuar nga presioni i ulët i ushtruar mbi çmimet e konsumit nga kërkesa agregate dhe nga mospërcjellja e presioneve të tepërta inflacioniste nga ana e faktorëve të ofertës. Politikat monetare dhe fiskale kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke kontrolluar tendencat inflacioniste të kahut të kërkesës.

Politika monetare e ndjekur gjatë tremujorit të parë të vitit 2006, ka ruajtur stabilitetin e faktorit monetar në ecurinë e normës së inflacionit. Ngadalësimi i ritmeve të rritjes së treguesve monetarë dhe qëndrueshmëria e treguesve financiarë ka treguar përputhje me dinamikën aktuale të presioneve inflacioniste në ekonomi. Ritmi i rritjes së ofertës monetare është ngadalësuar gjatë tremujorit të parë të vitit, ndërkohë që kursi i këmbimit të lekut paraqitet i qëndrueshëm dhe raportet e likuiditetit të ofertës monetare janë përmirësuar. Struktura kohore e normave të interesit të vërejtura në ekonomi luhatet në intervale minimale dhe të qëndrueshme kundrejt standardeve historike, duke reflektuar edhe pritshmëritë për norma të ulëta inflacioni në periudhën afatmesme.

Bazuar në sa më sipër, si dhe në projeksionet e modeleve parashikuese të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mos ndryshojë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me afat maturimi njëjavor nga niveli 5.00 për qind.

Megjithëse parashikimet afatshkurtra flasin për një normë nën kontroll të inflacionit, Banka e Shqipërisë është duke vlerësuar me shumë seriozitet disa rreziqe potenciale, të cilat mund të diktojnë shmangien e inflacionit nga shtegu i dëshiruar. Më konkretisht, faktorë të tillë si: ecuria e çmimeve të naftës dhe energjisë, rritja e shpejtë e kreditimit, përqëndrim i madh i mundshëm i shpenzimeve buxhetore në muajt e fundit të vitit, si dhe ulja e vazhdueshme e dallimit midis normave të interesit në lekë me ato në valutë, mund të diktojnë nevojën e një korrigjimi të mundshëm të shënjestrës së politikës monetare, duke e nxjerrë atë nga statusi i neutralitetit ku ajo po qëndron për një kohë relativisht të gjatë.


2. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për ndryshimin e aksionerëve të Bankës Italo Shqiptare

Banka Italo - Shqiptare (BISH) ka paraqitur kërkesë për miratimin e transferimit të pronësisë së aksioneve të kapitalit aksioner të saj. Ky transferim konsiston në shitblerjen e aksioneve të BISH ndërmjet Capitalia S.p.A. me seli në Romë, Itali dhe Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë, në cilësinë e shitësit që zotërojnë respektivisht nga 40 për qind të kapitalit aksioner të bankës nga njera ane dhe SANPAOLO IMI S.p.A. me seli në Torino, Itali në cilësinë e blerësit të kuotave që arrin në 80 për qind të kapitalit aksioner të bankës nga ana tjeter.
Vendimi për transferimin e pronësisë së aksioneve të kapitalit të BISH nga Ministria e Financave dhe Capitalia S.A. tek SanPaolo IMI është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të aksionerëve të BISH, mbajtur në datën 07.12.2005.

Miratimi i këtij ndryshimi në strukturën e aksionerëve të BISH është bërë në bazë të kërkesave të rregullores për "Dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Sipas dokumentacionit të paraqitur, shoqëria SanPaolo IMI S.p.A. do të zotërojë 80 përqind të aksioneve të Bankës Italo Shqiptare. Struktura e aksionerëve të Bankës Italo Shqiptare pas miratimit të këtij transferimi të pronësisë do të jetë si më poshtë:

  • SanPaolo IMI S.p.A. do të zotërojë 80 përqind të kapitalit aksioner të BISH;
  • BERZH do të zotërojë 20 përqind të kapitalit aksioner të BISH.

SanPaolo IMI S.p.A. është shoqëri e krijuar sipas ligjeve te Republikës Italiane me zyra qendrore në Piazza San Carlo, nr. 156, Torino, Itali, e rregjistruar në rregjistrin e kompanive të Torinos dhe në autoritetet fiskale, me NIPT dhe kodin përkatës fiskal. Shoqëria Sanpaolo IMI S.p.A. ka për objekt të veprimtarisë së saj pranimin dhe grumbullimin e depozitave nga publiku dhe dhënien e kredisë në format e saj më të ndryshme, në Itali dhe jashtë saj.

3. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës miratoi rregulloren "Për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit në subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë" dhe rregulloret për funksionimin e disa strukturave të Bankës së Shqipërisë, si dhe shqyrtoi disa informacione, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.