BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 4 nëntor 2004

Data e publikimit: 04.11.2004

 


Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 4 nëntor 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:


1. Opinionin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2004". më poshtë po japim :

Fjalën e Guvernatorit

Pas një tremujori të parë disi "të fjetur", ekonomia shqiptare ka treguar shenja të gjallërimit gjatë muajve në vazhdim të vitit 2004. Rritja ekonomike është zhvilluar në kushtet e ruajtjes dhe të konsolidimit të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik. Ecuria e inflacionit, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, ka qenë e kontrolluar dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar hapësirat e nevojshme për një akomodim të mëtejshëm të politikës monetare të ndjekur prej Bankës së Shqipërisë. Kjo politikë është favorizuar edhe nga zhvillimet në treguesit monetarë ku spikat kthimi i parasë në sistem, qëndrueshmëria e likuiditetit, niveli i normave të interesit etj.. Nga ana tjetër, edhe treguesit fiskalë kanë ecur përgjithësisht brenda parashikimeve programore. Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti buxhetor kanë ndjekur linjën e programuar në fillim të vitit, ndërkohë që bilanci i pagesave ka qenë i qëndrueshëm dhe papunësia ka shënuar një rënie të lehtë.

Nga të dhënat që disponojmë, në tremujorin e dytë, rigjallërimi ekonomik vërehet më së shumti në sektorin e industrisë, të shërbimeve dhe në veçanti në atë të ndërtimit, pas një tremujori të parë të ngadaltë të këtij të fundit. Vëllimi i shitjeve gjatë tremujorit të dytë shënoi një rritje prej 19.6 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit dhe prej 4.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë edhe nga sektori bujqësor vijnë sinjale optimiste që mbështesin bindjen, se parashikimi fillestar për rritjen vjetore të këtij sektori do të jetë i mundshëm për t'u realizuar. Po ashtu, tregues të tërthortë flasin për një rritje të aktivitetit ekonomik. Konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët jofamiljarë është rritur 15 për qind, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje të shpejtë gjatë vitit 2004.

Në bazë të ecurisë së deritanishme të sektorëve të ekonomisë mund të themi se në vazhdim të vitit 2004, parashikimi i rritjes ekonomike me 6 për qind është i arritshëm.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2004, Shqipëria ka realizuar një vëllim më të lartë transaksionesh korente në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2003. Bilanci i llogarisë korente, për këtë gjashtëmujor, ishte 208 milionë dollarë ose rreth -5.4 për qind e PBB-së, duke mbetur pothuaj po ato nivele me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Llogaria kapitale dhe financiare ka regjistruar hyrje kapitalesh neto në masën 266.5 milionë dollarë, duke e mbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit me një fluks hyrës kapitali, ndjeshëm më të lartë se ai i të njëjtës periudhë së vitit të kaluar. Hyrja e valutës nëpërmjet transaksioneve korente dhe kapitale ka mundësuar rritjen e mjeteve të rezervës valutore bruto me 132 milionë dollarë.

Gjatë tremujorit të tretë presionet inflacioniste kanë qenë të ulta. Norma e inflacionit ka shënuar një ulje graduale, duke arritur në kufirin e poshtëm të intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë, 2 - 4 për qind, në fund të tremujorit të tretë. Edhe inflacioni mesatar vjetor ka qenë në rënie, duke arritur vlerën 3.1 për qind në muajin shtator. Ecuria e çmimeve të konsumit gjatë kësaj periudhe është kushtëzuar ndjeshëm nga rritja e prodhimit bujqësor vendas. Kjo ka bërë që kërkesa e rritur e muajve të verës të plotësohet me prodhimin vendas, i cili ka përgjithësisht çmime më të ulta se importi. Si rezultat, në ndryshim nga vitet e kaluara, kontributi i grupit ‘Ushqim dhe pije joalkolike' në inflacionin total ka qenë negativ gjatë tremujorit të tretë. Ndikimi i rritjes së çmimit të naftës në tregjet botërore ka qenë relativisht i dobët në nivelin e inflacionit, si pasojë e peshës së vogël që ka ky artikull në shportën e çmimeve të konsumit dhe e mbiçmimit të lekut. Kushtet e përgjithshme makroekonomike: situata monetare, kërkesa e ekonomisë dhe situata fiskale kanë qenë nën kontroll, duke favorizuar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Situata e likuiditetit ka qenë e qëndrueshme, normat e interesit, megjithë rënien e tyre, kanë vijuar të favorizojnë rritjen e depozitave në lekë dhe kthimin e parasë në sistemin bankar. Nga ana tjetër, rritja e moderuar e ofertës monetare, ka plotësuar më së miri rritjen e kërkesës për para, karakteristikë sezonale për këtë periudhë.

Ashtu si edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka patur një kah të qartë lehtësues gjatë tremujorit të tretë. Niveli i moderuar i inflacionit dhe parashikimet optimiste për të, kanë sugjeruar uljen e mëtejshme të normës bazë të interesit. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në datën 28 korrik. Kjo ulje u bë në përputhje me politikën e deklaruar të Bankës së Shqipërisë për të ruajtur në ekonomi një nivel sa më të ulët normash interesi, i cili të jetë konsistent me objektivin e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme. Pas kësaj uljeje, norma bazë e interesit zbriti në 5.5 për qind, niveli më i ulët i saj i aplikuar në Shqipëri.

Me gjithë uljet e normave nominale të interesit, niveli i ulët i inflacionit dhe stabilizimi i pritjeve inflacioniste të ekonomisë për të, kanë bërë që norma reale e interesit të jetë relativisht e lartë, duke ruajtur interesin për depozitimin e kursimeve në sistemin bankar. Për pasojë, struktura e likuiditetit ka vijuar të zhvendoset drejt mjeteve monetare afatgjata: depozita dhe bono thesari. Gjenerimi i depozitave në sistem rrit potencialin e ekonomisë për investime të brendshme, për kreditimin e ekonomisë dhe për financimin e deficitit buxhetor. Atraktiviteti i normave të interesit në lekë në krahasim me ato në valutë, në prani të një oferte të rritur të valutës gjatë muajve të verës, ka ushtruar presione për mbiçmimin e lekut. Tremujori i tretë shënoi një forcim të presioneve mbiçmuese ndaj kursit të këmbimit të lekut, veçanërisht nga hyrjet e mëdha të valutës gjatë kësaj periudhe. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor në kahun e blerjes së valutës, duke tërhequr ofertën e tepërt të saj dhe duke injektuar likuiditete në lekë.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ka sjellë injektimin në sasi të konsiderueshme të likuiditetit në ekonomi dhe, së bashku me flukset hyrëse të valutës, kanë ndikuar në rritjen më të shpejtë të ofertës monetare. Kjo rritje e ofertës ka plotësuar kërkesën për mjete monetare të ekonomisë. Kërkesa e qeverisë për mjete monetare ka vazhduar të mbulohet pothuajse tërësisht nga financimi i brendshëm me anë të bonove të thesarit dhe të obligacioneve qeveritare.

Ndërkohë, financimi i sektorit prodhues të ekonomisë ka shënuar rritje të shpejtë gjatë vitit 2004. Kreditimi i ekonomisë në raport me PPB-në ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke reflektuar një angazhim më të madh të kursimeve në financimin e aktivitetit ekonomik. Në fund të muajit gusht 2004, teprica e kredisë arriti në 60.9 miliardë lekë (7.3 për qind e PBB-së). Gjithashtu, vihet re një rritje e numrit të bankave të angazhuara në tregun e huadhënies bankare. Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit në sistemin bankar, janë krijuar kushte për një gjallërim të ndjeshëm të kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar.

Zhvillimet e deritanishme në ekonominë e vendit kanë krijuar një pritshmëri relativisht pozitive për vitin 2004 dhe më tej. Objektivat kryesorë të zhvillimit të vendit për vitin 2004, duket se do të përmbushen në përputhje me parashikimet e programit afatmesëm të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këto rrethana, duke vlerësuar veçanërisht zhvillimet e faktuara dhe të pritshme në inflacion, Banka e Shqipërisë vlerëson si të përshtatshme zbutjen e mëtejshme të politikës monetare, ç'ka do të përbëjë një mbështetje për nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Materialin i plotë do të botohet në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


2. Për uljen e përqindjes së interesave të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 4 nëntor 2004, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij ndryshimi, norma e interesit që do të zbatohet në ankandet njëjavore të marrëveshjeve të riblerjes (Repo) do të jetë 5.25 për qind. Ky nivel përbën një minimum të ri historik për normën bazë të interesit në Shqipëri.

Ulja e normës bazë të interesit u bë pas një analize të përgjithshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare dhe, në veçanti, të treguesit të inflacionit. Ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të dukshme të rritjes ekonomike dhe të përmirësimit të treguesve të punësimit, pas një tremujori të parë disi të ngadaltë. Rritja ekonomike është zhvilluar në kushtet e një stabiliteti të përgjithshëm makrokonomik: deficiti buxhetor, deficiti i llogarisë korente dhe treguesit monetarë kanë qenë të qëndrueshëm gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, inflacioni ka qenë në nivele të moderuara gjatë vitit 2004, duke iu afruar nivelit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të fundit. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni do të jetë i ulët edhe për periudhën në vazhdim.

Analiza e kushteve monetare në ekonomi tregoi se kishte hapësirë për një zbutje të mëtejshme të politikës monetare. Kjo zbutje është konsistente me politikën e deritanishme të Bankës së Shqipërisë, e cila ka synuar ruajtjen e kushteve më të favorshme monetare, të cilat janë në përputhje me respektimin e objektivit të inflacionit.
Reduktimi i mëtejshëm i kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi do të nxisë kreditimin në lekë, do të ndikojë në uljen e kostos së shërbimit të borxhit publik dhe do të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut. Gjithashtu, një hap i tillë do të ketë ndikime pozitive edhe në rritjen e kërkesës së ekonomisë.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u miratuan edhe disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.