BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 6 qershor 2007

Data e publikimit: 06.06.2007

 

Në mbledhjen e tij të datës 6 qershor 2007, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet në inflacion dhe në treguesit monetarë për periudhën mars -prill 2007.

Inflacioni vjetor në muajin prill 2007 shënoi vlerën 1.9 për qind, duke shënuar ulje në krahasim me nivelin e muajit mars. Ulja e inflacionit në këtë muaj erdhi si pasojë e futjes së hershme të prodhimit bujqësor vendas në treg, duke sjellë uljen e çmimeve të frutave dhe perimeve. Norma mujore e inflacionit në muajin prill ishte ndër më të ultat e dekadës së fundit. Qëndrueshmëria e treguesve monetarë, mungesa e goditjeve nga ana e ofertës dhe pritjet e stabilizuara inflacioniste, kanë ndikuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve gjatë gjysmës së parë të vitit.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë konstaton se presionet inflacioniste janë prezente në ekonomi. Kështu, norma mesatare vjetore e inflacionit mbeti e pandryshuar në muajin prill, duke mbetur në nivelin 2.7 për qind. Gjithashtu, inflacioni bazë vijoi të rritej në muajin prill, duke lëvizur përgjatë trendit të vënë re gjatë 12 muajve të fundit. Duke qenë se inflacioni bazë përjashton ndikimin e artikujve me luhatshmëri më të lartë të shportës, ai shërben si një indikator më i mirë i ndikimit të faktorëve të përhershëm në inflacion.

Kërkesa e brendshme vijon të mbetet e lartë, megjithëse pozicioni fiskal është karakterizuar nga suficiti buxhetor gjatë pesë muajve të parë të vitit, kryesisht si pasojë e ritmeve të ngadalta të kryerjes së shpenzimeve buxhetore. Kërkesa e ekonomisë vijon të ushqehet nga kreditimi i shpejtë i ekonomisë dhe nga kushtet relativisht të favorshme monetare. Norma vjetore e rritjes së kredisë u stabilizua rreth nivelit 58 për qind gjatë 4 muajve të parë të vitit. Në terma relativë, raporti i tepricës së kredisë ndaj PBB-së u rrit me 3.3 pikë përqindjeje gjatë kësaj periudhe. Kjo tendencë është reflektuar edhe në ritme të larta rritjeje të ofertës monetare, duke shënuar nivelin 18 për qind.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe operacionet e saj në tregun ndërbankar kanë qenë eficiente në administrimin e likuiditetit dhe të normave të interesit në tregun ndërbankar. Operacionet strukturore të Bankës së Shqipërisë dhe tërheqjet afatgjata të likuiditetit, kanë ndryshuar kahun e tendencës rënëse të normave të interesit që karakterizoi tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, ecuria e kursit të këmbimit ka reflektuar sjelljen e monedhave euro - dollar amerikan në tregun ndërkombëtar si dhe është ndikuar nga kërkesa e lartë për valutë në tregun e brendshëm.

Duke u bazuar në këtë analizë, si dhe në zhvillimet e pritshme të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.5 për qind.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rithekson edhe njëherë nevojën për forcimin e vigjilencës në drejtim të monitorimit dhe të administrimit të presioneve inflacioniste. Banka e Shqipërisë është duke ndjekur në vazhdimësi faktorët e rrezikut që mund të shmangin ecurinë e inflacionit nga objektivi i saj: ecurinë e kërkesës së brendshme të ekonomisë; ecurinë e ofertës monetare dhe të treguesve të tjerë monetarë; si dhe, impulset në rritje që do të mbartë përqendrimi i shpenzimeve fiskale gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Ky materializim do të krijonte premisa për një gjallërim të presioneve inflacioniste në ekonomi, duke e bërë të vështirë ankorimin e mëtejshëm të pritshmërive të agjentëve ekonomikë rreth objektivit të synuar prej Bankës së Shqipërisë.


Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe "Zhvillimet kryesore në ecurinë e sistemit bankar, për tremujorin e parë të vitit 2007"

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2007, aktivet e sistemit bankar arritën në 648.3 miliardë lekë, duke u rritur me 24.1 miliardë lekë ose 3.9 për qind, nga 56.5 miliardë lekë ose rreth 10 për qind, që u vlerësua rritja për tremujorin e katërt të vitit të mëparshëm.

Teprica e kredisë së sistemit bankar gjatë tremujorit të parë arriti në rreth 217 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 20.3 miliardë lekë ose 10.3 për qind, nga 25.5 miliardë lekë ose 14.8 për qind në tremujorin e mëparshëm. Kredia në lekë u rrit me 4.6 miliardë lekë ose 8.3 për qind, kurse kredia në monedhë të huaj shënoi rritje me 15.7 miliardë lekë ose 11 për qind.

Pavarësisht ritmit më të lartë rritës të kredisë së akorduar për individët (prej 12 për qind ose 7.8 miliardë lekë) për tremujorin e parë, sektori i korporatave vazhdon të mbetet segmenti më i preferuar. Pesha e këtij të fundit llogaritet 66.2 për qind e totalit të tepricës së kredisë së sistemit bankar.

Rritja e portofolit të kredisë në monedhë të huaj me ritëm më të shpejtë se kredia në lekë ka ndikuar në rënien e peshës së kësaj të fundit ndaj totalit të portofolit të kredisë së sistemit, për tremujorin e parë të vitit. Në fund të muajit mars 2007, kredia në monedhë të huaj zinte 72 për qind të totalit të portofolit të kredisë.

Tremujori i parë shënon rritjen e portofolit të kredisë me probleme të sistemit bankar. Raporti "kredi me probleme/tepricës së kredisë (bruto)" llogaritet 3.3 për qind nga 3.1 për qind në fund të vitit 2006; treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (neto), i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet 1.5 për qind nga rreth 1.4 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2007, raportohet pozitiv për rreth 2,255 milionë lekë. Ky tregues është 75 milionë lekë më pak se tremujori i kaluar apo 3.2 për qind, si edhe 453 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë apo 25.2 për qind. Krahasuar me tremujorin e kaluar, analiza e përbërësve kryesorë të të ardhurave dhe të shpenzimeve, tregon për një rezultat neto nga veprimtaritë e tjera më të ulët për rreth 306 milionë lekë ose 21.4 për qind, shpenzime më të larta për provigjone për rreth 225 milionë lekë ose 51 për qind, shpenzime më të mëdha të veprimtarisë, si edhe rezultat neto më i lartë nga interesat në nivelin 479 milionë lekë apo 8.5 për qind.

Performanca e treguesve kryesorë të rentabilitetit, përkatësisht kthimi nga aktivet mesatare (RoAA) dhe kthimi nga kapitali mesatar (RoAE), vlerësohet e mirë edhe për tremujorin e parë të vitit 2007. Treguesit janë përgjithësisht në konsistencë me vlerat e tremujorit të kaluar dhe të së njëjtës periudhë të vitit 2006.

Në tremujorin e parë të vitit 2007, kapitali aksioner i sistemit bankar u rrit me rreth 3.5 miliardë lekë ose 8.2 për qind, krahasuar me fundin e vitit 2006. Mbulimi i totalit të aktiveve të sistemit nga kapitali aksioner, evidentohet rreth 7 për qind, nga 6.7 për qind në fund të vitit 2006.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin në fund të tremujorit të parë të vitit 2007, raportohet në 17.5 për qind nga 18.1 që ishte në fund të dhjetorit 2006. Treguesi vazhdon të ruajë prirjen rënëse, të vërejtur tashmë prej shumë kohësh, si rrjedhojë e rritjes së eficiencës së bankave në përdorimin e burimeve financiare dhe e angazhimit të tyre në veprimtari me kthim më të lartë.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi:

1. Të miratojë transferimin e paketës kontrolluese në masën 80 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë tek Grupi bankar Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali.

Aksioneri i ri i Bankës Amerikane të Shqipërisë, Intesa Sanpaolo S.p.A është një lider italian me dimesion evropian dhe synon që të krijojë një operator të rëndësisë primare, i aftë të prodhojë produkte të rëndësishme për klientelën e të konkurrojë në mënyrë më efikase, në sektorin e shërbimeve bankare dhe financiare. Grupi Intesa Sanpaolo është i pranishëm në 48 vënde. Rrjeti i brendshëm i Intesa Sanpaolo përbëhet afërsisht nga 5,500 degë të shpërndara në gjithë Italinë dhe i shërben rreth 12 milionë klientëve. Me filialet e veta në 13 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe me një rrjet prej rreth 1,650 degësh, ai i shërben rreth 7.7 milionë klientëve.

Me miratimin e këtij transferimi, struktura e kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë zotërohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupi Intesa Sanpaolo S.p.A, në raportet e mëposhtme:

i. FSHAN, 3,000,000 aksione që përfaqësojnë 20 për qind të kapitalit aksioner të Bankës.
ii. Intesa Sanpaolo, 12,000,000 aksione që përfaqësojnë 80 për qind të kapitalit aksioner të Bankës.
Banka Amerikane e Shqipërisë do të përfshihet, për efekt të mbikëqyrjes, në grupin bankar Intesa Sanpaolo S.p.A Itali.

2. Rregulloren e re "Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrës së këmbimit valutor".

Rregullorja e re është hartuar në zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 qershor 2007. Në përputhje me strategjinë kombëtare për reduktimin e informalitetit në ekonomi dhe në mbështetje të përpjekjeve për të minimizuar maksimalisht mundësinë e përdorimit të institucioneve financiare shqiptare, si rrugë për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit.

Rregullorja e re përmban ndryshime thelbësore në krahasim me rregulloren e mëparshme për licencimin e zyrave të këmbimit valutor, që janë :

• Një nivel më të ulët të kapitalit minimal të kërkuar për hapjen e një zyre të këmbimit valutor, që kryen vetëm veprimtarinë e këmbimit. Ky kapital ulet në vlerën 1,500,000 lekë nga 2,500,000 lekë që ishte parashikuar në rregulloren e mëparshme. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë edhe komisionin për dhënien e licencës nga 2,500 lekë, në 1,500 lekë.

• Zgjerimi i veprimtarive të lejueshme që mund të ushtrohen nga zyrat e këmbimit valutor, duke parashikuar edhe kryerjen e shërbimit të agjentit të subjektit jobankë. Për ato zyra të këmbimit valutor, që do të kryejnë veprimtarinë e mësipërme shtesë, duke shërbyer si agjente të shoqërive jobanka, është parashikuar një kapital minimal prej 2,500,000 lekësh.

• Një vëmendje e veçantë në këtë rregullore i është kushtuar edhe masave që zyra e këmbimit valutor duhet të ndërmarrë për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Këto masa konsistojnë veçanërisht në:
a) identifikimin e klientit;
b) ruajtjen e të dhënave mbi klientin dhe mbi transaksionet e kryera;
c) raportimin e transaksioneve të dyshimta.

E drejta për të aplikuar për pajisjen me licencë, për hapjen e zyrës së këmbimit valutor, ashtu si dhe në rregulloren e mëparshme, iu njihet vetëm personave juridikë tregtarë, të cilët organizohen sipas ligjit "Për shoqëritë tregtare" dhe kanë si objekt të veprimtarisë së tyre edhe atë të këmbimit valutor.

Zyrave të këmbimit valutor, mbështetur në ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" iu njihet edhe e drejta e ankimimit administrativ në Bankën e Shqipërisë për çdo masë ndëshkimore të vendosur nga kjo e fundit.

Në ushtrimin e funksioneve dhe të përgjegjësive të saj ligjore, Banka e Shqipërisë është e angazhuar të shqyrtojë me përparësi aplikimet e paraqitura për licencimin e zyrave të këmbimit valutor dhe, në përputhje me rregulloren e miratuar, merr vendimin përkatës brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga plotësimi i kërkesave të parashikuara në rregullore.

Nëpërmjet rregullores së re, Banka e Shqipërisë synon lehtësimin e procesit të licencimit të zyrave të këmbimit valutor për t'i krijuar këtij tregu hapësirën e nevojshme për formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

3. "Konfigurimin e kartëmonedhës me vlerë nominale 2000 lekë, me kurs ligjor", si dhe disa ndryshime e plotësime në aktet e mëparshme, të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, lidhur me shtypjen dhe rishtypjen e kartëmonedhave shqiptare.