BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 9 qershor 2004

Data e publikimit: 10.06.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 9 qershor 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Vendimin “Mbi disa ndryshime në Programin Monetar të Bankës së Shqipërisë për vitin 2004”.

Programi monetar i hartuar nga Banka e Shqipërisë ka për qëllim mbështetjen dhe kontrollin e politikës së saj monetare në harkun kohor të një viti. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2004 tregojnë se kuadri i përgjithshëm i zhvillimeve makroekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit nuk ka ndryshuar. Megjithatë, zhvillimet më të fundit në sektorin fiskal dhe qartësimi i disa tendencave në treguesit monetarë e bëjnë të nevojshëm rishikimin e disa supozimeve të programit monetar. Ky rishikim bën të mundur kapjen më mirë të tendencave kryesore të zhvillimeve monetare gjatë pjesës së mbetur të vitit 2004. Rishikimi i programit monetar konsiston në uljen e projeksioneve për financimin e deficitit buxhetor nga sistemi bankar, parashikimin e një rritjeje më të shpejtë të ofertës monetare dhe marrjen në konsideratë të një niveli më të ulët të parasë jashtë bankave për vitin 2004 në krahasim me parashikimin fillestar.

Programi monetar dhe buxheti i qeverise nuk parashikonin marrjen e të ardhurave të privatizimit të Bankës së Kursimeve gjatë vitit 2004. Privatizimi i kësaj banke i solli qeverisë të ardhura shtesë në tremujorin e dytë të vitit 2004 në masën 126 milionë usd. Sipas buxhetit të rishikuar për vitin 2004, qeveria do të përdorë ½ e këtyre të ardhurave për të shlyer një pjesë të borxhit të saj të brendshëm, veprim ky që do të reflektohet në programin monetar në uljen e financimit të deficitit buxhetor gjatë vitit 2004. Në vlerë absolute huamarrja e brendshme e qeverisë pritet të ulet nga 22.6 miliardë lekë në 16.0 miliardë lekë. Financimi deficitit buxhetor nga sistemi bankar (bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë) parashikohet 13.7 miliardë lekë, ndërkohë që pjesën tjetër të financimit prej 2.3 miliardë lekë pritet ta financojnë individët. Në përqindje të PBB-së, financimi i brendshëm i deficitit buxhetor për vitin 2004 do të jetë 1.9 për qind nga 2.8 për qind i parashikuar në programin aktual.

Pjesa tjetër e të ardhurave nga privatizimi i Bankës së Kursimeve, do të përdoret nga ana e qeverisë për rritjen e investimeve publike dhe shpenzimeve të tjera kapitale. Rritja e këtyre të fundit me rreth 63 milionë usd, do të ndikojë direkt në rritjen e ofertës monetare. Parashikimi për rritjen vjetore të ofertës monetare gjatë këtij viti bëhet 11.8 për qind, nga 10.6 për qind që ishte në programin e miratuar në fund të vitit 2003.

Banka e Shqipërisë parashikonte që raporti i parasë jashtë bankave ndaj ofertës monetare të arrinte në 28.6 për qind në fund të vitit 2004. Ndonëse normat e interesit kanë qenë në rënie, raporti i parasë jashtë bankave ndaj ofertës monetare nuk ka treguar shenja rritjeje gjatë tremujorit të parë të vitit 2004. Tendenca e individëve për ruajtjen e vlerës së parasë, e shoqëruar me rritje të besimit të individëve në sistemin bankar kanë fituar rëndësi në vendimmarrjen e publikut mbi mënyrën e mbajtjes së bilanceve monetare. Në këto kushte, një raport prej 27.2 për qind i parasë jashtë bankave ndaj M3 duket më realist.

Raporti prej 27.2 për qind i parasë jashtë bankave ndaj M3, nënkupton rritje të parasë jashtë bankave me 9.7 miliardë lekë, ose 7.7 për qind, krahasuar me një rritje prej 15.1 miliardë lekë që parashikohej më parë. Ndërkohë, niveli i depozitave në lekë parashikohet të rritet me 9.7 për qind ose 21.9 miliardë lekë gjatë vitit 2004. Rritja në vlerë absolute e depozitave në lekë parashikohet të jetë e mjaftueshme për të përballuar kërkesën e ekonomisë për mjete monetare. Kështu, bankat e nivelit të dytë parashikohet të mbulojnë rreth 90.0 për qind të financimit total të sistemit bankar gjatë vitit 2004.

Gjithsesi, pesha e tyre ndaj ofertës monetare parashikohet të ulet me 1 pikë përqindjeje gjatë vitit 2004. Kjo ulje reflekton kryesisht ritmin më të shpejtë të rritjes së depozitave në valutë gjatë vitit në vazhdim. Raporti i depozitave në valutë ndaj ofertës monetare në fund të vitit 2004 parashikohet të arrijë në 22.8 për qind, nga 20.8 për qind që ishte ky raport në fund të vitit 2003. Bazuar në këtë parashikim, rritja e depozitave në valutë do të jetë 22.6 për qind. Ulja e diferencës së normave të interesave të aseteve në lekë dhe atyre në valutë parashikohet të ndikojë në një rritje më të shpejtë të depozitave në valutë në krahasim me vitin 2003. Gjithashtu, edhe qëndrueshmëria e supozuar e kursit të këmbimit do të reduktojë efektet që dha mbiçmimi i lekut në rritjen e depozitave në valutë gjatë vitit 2003.

Në programin monetar për vitin 2004, Banka e Shqipërisë u qëndron parashikimeve të saj për rritjen e tepricës së kredisë për sektorin privat me 16.4 miliardë lekë. Megjithatë, programi parashikon zhvendosje të strukturës së rritjes së kredisë për ekonominë drejt kreditimit në lekë. Reduktimi i diferencës midis normave të interesit në lekë dhe në valutë parashikohet të favorizojë kreditimin në lekë duke sjellë një rritje më të madhe të kredisë në lekë se parashikimi fillestar. Rritja e tepricës së kredisë në lekë parashikohet 4.2 miliardë lekë nga 2.0 miliardë lekë të parashikuara fillimisht. Kjo nënkupton një rritje të trepricës së kredisë në valutë me 12.2 miliardë lekë.

Tendenca e rritjes së peshës së sektorit privat në kërkesën totale të ekonomisë për para është një zhvillim i rëndësishëm për efektivitetin e politikës monetare. Programi monetar i rishikuar gjatë vitit 2004 parashikon uljen e peshës së kredisë për qeverinë të sistemit bankar në totalin e kredisë së brendshme nga 54.8 për qind në 45.5 për qind.

Ritmi më i lartë i rritjes vjetore të ofertës monetare, nga 10.6 për qind në 11.8 për qind, dhe ulja e financimit të deficitit nga 20.0 miliardë lekë në 13.7 miliardë lekë do të kenë si kundërparti rritjen e mjeteve valutore neto të sistemit bankar. Këto të fundit parashikohet të rriten me rreth 23.7 miliardë lekë gjatë vitit 2004, ose 15.1 miliardë lekë më tepër se parashikimi i programit monetar në fuqi.
Efekti total i të ardhurave të privatizimit të Bankës së Kursimeve në mjetet valutore neto të Bankës së Shqipërisë është llogaritur të jetë rreth 13.2 miliardë lekë ndërkohë që mjetet valutore të bankave të nivelit të dytë do të rriten me 14.4 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave në valutë.

Tabelë. Ecuria e agregatëve monetare (në miliardë lekë).

Mars 2004

Ndryshimi
3-mujor


Absolut




Përqindje

Ndryshimi
vjetor


Absolut




Përqindje

Paraja jashtë bankave

117.2

-0.8

-6.4

-4.1

-3.4

Depozitat totale

338.8

15.5

4.8

39.4

13.2

- në lekë

235.7

11.4

5.1

29.0

14.0

- në valutë

103.1

4.1

4.2

10.5

11.3

Depozita pa afat

64.2

7.7

13.5

6.6

11.5

- në lekë

23.7

4.2

21.4

1.0

4.3

- në valutë

40.5

3.5

9.4

5.7

16.2

Depozita me afat

274.6

7.9

3.0

32.8

13.6

- në lekë

212.0

7.2

3.5

28.0

15.2

- në valutë

62.6

0.7

1.1

4.8

8.3

M1

140.9

-3.8

-2.6

-3.1

-2.2

M2

352.9

3.4

1.0

24.9

7.6

M3

456.0

7.5

1.7

35.3

8.4

Baza monetare

154.4

-6.1

-3.8

-3.4

-2.2


2. Informacionin “Vlerësimi i gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e parë të vitit 2004”.

Për tremujorin e parë të vitit 2004, gjendja e sistemit bankar paraqet qëndrueshmëri dhe ndjekje në vazhdimësi të tendencave kryesore të evidentuara në periudhat e mëparshme. Sistemi bankar numëron tashmë 16 banka, pas hyrjes efektivisht në treg edhe të Bankës Popullore, ndërsa procesi i kalimit të pronësisë së Bankës së Kursimeve tek Reiffeisen ka ndjekur një rrjedhë normale. Zhvillime pozitive evidentohen në drejtim të rritjes së aktiveve të sistemit bankar, cilësisë së mirë të tyre, ecurisë së mirë të depozitave dhe reduktimin e parasë jashtë bankave, rentabilitetit të sistemit i cili vlerësohet i mirë në të gjitha aspektet, shoqëruar edhe me një tendencë të ngushtimit të kostos së ndërmjetësimit si edhe shfaqje të rritjes dhe konsolidimit të aktivitetit bankar, nivelin e kënaqshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësinë e mjaftueshme të tij për të thithur humbjet e mundshme nga zhvillime të pafavorshme në të ardhmen. Gjithashtu, treguesit e likuiditetit vazhdojnë të konsolidojnë situatën e kënaqshme të tij në sistem edhe në këtë periudhë të parë të vitit. Vlen të theksohet prirja e disa bankave për të zgjeruar dhe konsoliduar më tej spektrin e shërbimeve bankare, veçanërisht në drejtim të kredidhënies dhe prezantimit të sistemeve që mundësojnë tërheqjen e parave në mënyrë automatike(ATM).

Mjedisi makroekonomik në të cilin kanë vepruar bankat ka qenë përgjithësisht i favorshëm. Ambienti makroekonomik sugjeron që rritja ekonomike prej 6 për qind për vitin 2004 parashikohet të mbështetet në vazhdim. Norma mesatare vjetore e inflacionit ka qenë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në fund të tremujorit të parë ajo arriti në 3.14 për qind dhe në muajin prill shënoi vlerën 3.22 për qind, ndërsa oferta monetare ka vazhduar të zhvendoset drejt mjeteve monetare më pak likuide, e shprehur kjo me uljen e vazhdueshme të raportit të parasë jashtë bankave ndaj M3.

Aktivet e sistemit bankar janë rritur 17.4 miliardë lekë ose 4.6 për qind në krahasim me fundvitin 2003. Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë “Veprimet me thesarin e ndërbankare” prej 15 miliardë lekësh, ndërkohë që kredidhënia shënoi rritje 2.4 miliardë lekë dhe “Investimet në letrat e tjera me vlerë” prej 0.9 miliardë lekë. Në analizën sipas grupbankave të sistemit, grupi i bankave G1 evidenton rritje të totalit të aktiveve për 3.5 miliardë lekë, grupi G2 për 0.88 miliardë lekë dhe grupi i bankave me kapital privat G3 13 miliardë lekë krahasuar me fundvitin 2003. Tendencat pozitive të grupit të bankave private konfirmojnë vendimmarrjen e drejtë mbi privatizimin e Bankës së Kursimeve e madje hedhin idenë mbi privatizimin tërësor edhe të dy bankave me kapital të përbashkët. Ne këtë konkluzion arrihet duke gjykuar mbi ecurinë pothuaj statike të këtij grupi (G2) për një periudhë të gjatë kohore.

Kredia e re e lëvruar në tremujorin e parë të vitit evidentohet 28 miliardë lekë ose rreth 60 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ritmi rritës vlerësohet i kënaqshëm dhe tregon tendencat pozitive të sistemit bankar drejt zgjerimit të kredidhënies. Sistemi bankar evidenton zhvendosje të tepricës së kredisë afatshkurtër në kredi afatmesme dhe kredi për prona të patundshme. Një sjellje e tillë përbën një siguri për qëndrueshmërinë e tepricës së portofolit të kredive në të ardhmen dhe rritjen e tij nëse levrimi i kredisë së re vazhdon me ritmet e mëparshme.

Tendenca rritëse e kredisë në lekë gjatë vitit 2003, ndërron kahun e lëvizjes për periudhat në vazhdim jo vetëm për efekt të ritmit më të lartë të rritjes për kreditë në valutë, por edhe për efekt të nënçmimit të lekut ndaj dpllarit amerikan dhe euros.

Treguesi “kredi me probleme / tepricës së kredisë (neto)”, i cili mat madhësinë e ekspozimit të sistemit bankar ndaj rrezikut të kreditit, shënon rënie në 1.2 për qind, nga 1.8 për qind për fundvitin 2003 (rrjedhojë e shtimit të fondeve të provigjonimit). Gjithashtu, raporti “kredi me probleme neto / kapitalit rregullator”, që tregon aftësinë e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet nga krediti, llogaritet 3.2 për qind nga 4.9 për qind në fundvitin e kaluar.
Në lidhje me cilësinë e aktiveve të sistemit bankar vlen të përmendet dhe portofoli i letrave të tjera me vlerë. Analiza evidenton se këto banka kanë investuar kryesisht në vende të klasifikuara AAA (ekstremisht të forta), AA (shumë të forta), apo A- (të forta, por të ekspozuara ndaj rrezikut).

Në tremujorin e parë të vitit 2004, elementet kryesore të strukturës së të ardhurave dhe shpenzimeve që kanë ndikuar në rezultatin neto të sistemit bankar në Shqipëri, evidentohen rezultati neto nga interesat, rezultati neto nga veprimtaritë e tjera dhe shpenzimet e veprimtarisë. Ndërsa rezultati neto nga interesat (kontribuesi kryesor në rezultatin e sistemit) sikurse edhe shpenzimet e veprimtarisë ruajnë një tendencë të qëndrueshme nga njëra periudhë në tjetrën, rezultati nga veprimtaritë e tjera dhe shpenzimet për provigjone kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në krahasim me një periudhë më parë, me efekte përkatësisht pozitive dhe negative në ecurinë e rezultatit neto të sistemit.

Për tremujorin e parë të këtij viti, kthyeshmëria nga aktivet mesatare (ROAA) në bazë vjetore rezulton në nivelin 1.26 për qind. Ky tregues vlerësohet i mirë për sistemin dhe brenda parametrave normalë të tij. ROAA për periudhën në fjalë prezantohet 2 pikë bazë (0.02%) më e lartë se e fundvitit 2003 dhe 35 pikë bazë më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Treguesi tjetër kryesor i rentabilitetit, ROE, duket se ka ndjekur të njëjtën tendencë si ROAA. Për tremujorin e parë të vitit 2004, ROE rezulton në nivelin 21.11për qind, i krahasueshem me ROE e fundit të vitit dhe më i lartë, rreth 659 pikë bazë (6.59%), sesa ROE e të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Një vrojtim i rentabilitetit (ROAA) të sistemit nga pikëpamja e grupbankave evidenton rentabilitetin e G1 në nivelin 1.45 për qind, G2 në nivelin -2.86 për qind dhe G3 në nivelin 1.52 për qind. Këta tregues për periudhën në shqyrtim, reflektojnë efiçencën më të madhe të bankave private ndaj bankave të tjera në sistemin bankar, veçanërisht ndaj G2, ndërsa kontributi i çdo grupi në ROAA totale është respektivisht 0.75 (kryesisht për arsye të peshës më të madhe të BK), -0.15 dhe 0.66. Krahasuar me fundin e vitit, ROAA për G1 dhe G3 janë përsëri të krahasueshme dhe respektivisht në nivelin 1.39 për qind dhe 1.34 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton 1.33 për qind dhe 1.72 për qind, gjë që flet për një përmirësim të rentabilitetit nga Banka e Kursimeve drejt afrimit të finalizimit të proçesit të privatizimit të saj. Duhet theksuar se rentabiliteti i bankave të grupit G2, paraqitet gjatë gjithë kësaj periudhe (mars ‘03 – mars ‘04) në shifra negative duke konfirmuar nevojën për ndryshime strukturore dhe në filozofinë e administrimit të tyre.

Kosto e ndërmjetësimit të sistemit bankar duket të jetë reduktuar, kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të interesave të aktiveve, gjë që mund të interpretohet edhe si një moment i mirë i rritjes së konkurrencës në sistemin bankar, nëse zhvillimet e analizuara nuk janë të rastësishme. Raporti i efikasitetit rezulton me një trend pozitiv, duke reflektuar një rritje më të shpejtë të sistemit bankar në tërësi, në këndvështrimin e vëllimit të veprimtarisë krahasuar me shpenzimet për mjetet e nevojshme për të mundësuar veprimtarinë bankare, tipare të një sistemi në konsolidim e sipër.

Niveli i depozitave të sistemit shënon një rritje të konsiderueshme në këtë tremujor rreth 5 për qind ose 15 miliardë lekë krahasuar me fundvitin 2003, ndërkohë që rritja vjetore në fund të vitit 2002 shënonte vetëm 11.2 miliardë lekë. Ecuria e depozitave në vite dhe tendenca në rritje e tyre, flasin për zhvillime në rritje të vetë sistemit bankar dhe të aktivitetit ekonomik në tërësi nga njëra anë, si dhe nga ana tjetër për afrimin më tepër të publikut me bankat. Gjithashtu, kjo tendencë reflektohet edhe në reduktimin e parasë jashtë bankave, niveli i së cilës ndaj agregatit monetar M3 për tremujorin e parë të vitit 2004, konfirmohet si më i ulët në vitet e fundit për ekonominë shqiptare.
Analiza e ecurisë së depozitave sipas grupbankave vazhdon të konsolidojë kontributin më të lartë të bankave të G3 në sistem me rreth 11.3 miliardë lekë, ndërkohë që grupi G1 shënon një rritje 2.8 miliardë lekë dhe grupi G2 rreth 0.9 miliardë lekë. Në G3 dallohen disa banka më aktive në tregun e depozitave, të cilat ndikojnë në kontributin e grupit në sistem në këtë tremujor.

Kapitali aksioner i sistemit në fund të tremujorit të parë të vitit, shënon vlerën 22.6 miliardë lekë ose rreth 670 milionë lekë më shumë se në fundvitin 2003, ndërkohë që raporti i tij ndaj totalit të aktiveve të sistemit - leva financiare,- evidentohet 5.8 për qind brenda kufijve normalë, nga 5.9 për qind që evidentohej në fund të vitit 2003. Rënia e lehtë e niveleve të levës financiare shpjegohet me ritmet më të ulta të rritjes së kapitalit aksioner (3 për qind krahasuar me fundvitin 2003), se ato të aktiveve të sistemit (4.6 për qind krahasuar me fundvitin 2003).

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar evidentohet 30.1 për qind, nga 28.5 për qind që evidentohej në fund të vitit 2003. Analiza e elemeteve përbërëse të këtij treguesi krahasuar me fundvitin 2003, evidenton rritje të kapitalit rregullator 10 për qind ose 1.8 miliardë lekë, ndërkohë që aktivet e klasifikuara sipas rrezikut, u rritën 4.4 për qind ose 2.7 miliardë lekë. Tendenca e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit sipas grupbankave vazhdon të evidentojë nivelin më të ulët të tij në G3 (26.4%), ndërkohë që G2 dhe G1 njohin nivel relativisht të lartë (respektivisht 32.6% dhe 55.9%). Kjo shpjegohet me nivelin më të lartë të aktiviteteve më me rrezik që vazhdojnë të ndërmarrin bankat e G3.

Treguesit e likuiditetit vazhdojnë të konsolidojnë situatën e kënaqshme të tij në sistem edhe në këtë periudhë të parë të vitit. Bankat kanë përdorur kryesisht depozitat njëditore për investimin e fondeve të lira, ndërkohë që huamarrja në tregun ndërbankar ka shënuar rënie dhe është përdorur për mbulimin e nevojave afatshkurtra, rrjedhojë e likuiditetit të mjaftueshëm në sistem.

Së fundi, metoda “Stress Testing” konkludon se sistemi bankar në tërësi ekspozohet në mënyrë të kufizuar ndaj rreziqeve, ndërsa banka të veçanta mund të shfaqin probleme në të ardhmen, në qoftë se ruajnë nivelet aktuale të kapitalit.

Nga analiza e sistemit bankar shqiptar arrijmë në konkluzionin që gjendja e tij edhe për tremujorin e parë të vitit 2004, paraqitet e mirë.

3. Informacionin “Mbi zbatimin e kodeve dhe standarteve ndërkombëtare nga Banka e Shqipërisë”.

Funksionimi harmonik i ekonomisë botërore të globalizuar kërkon zbatimin dhe respektimin e një sërë rregullash të përbashkët. Krizat ekonomike të viteve të fundit treguan se zbatimi efektiv i një sërë kodesh, normash e standardesh mund të kontribuonte në forcimin e stabilitetit financiar në rrafshin e brendshëm, duke reduktuar në këtë mënyrë rreziqet e përhapjes së krizës.

Kodet, parimet e të cilave janë pjesë e aktivitetit të bankës qendrore dhe që zbatohen nga Banka e Shqipërisë janë:

3.1. Mbi zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit.
Kontabiliteti i Bankës së Shqipërisë, vlerësohet në përgjithësi, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, përsa i përket teknikave të kontabilizimit dhe të raportimit të të dhënave.

3.2. Mbi zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare të Kontrollit.
Parimet e Standardeve Ndërkombëtare të Kontrollit përgjithësisht zbatohen në Bankën e Shqipërisë. Departamenti i Kontrollit në Bankën e Shqipërisë ka punuar që të vazhdojë aplikimin e standardeve ndërkombëtare të kontrollit.

3.3. Mbi zbatimin e Parimeve Themelore për Sistemet e Pagesave Sistemisht të Rëndësishëm.
Këto parime përgjithësisht zbatohen dhe po të analizojmë gjendjen aktuale të dy sistemeve të pagesave, që funksionojnë aktualisht (sistemi AIPS dhe sistemi i kleringut), mund të thuhet se, ato janë përgjithësisht në përputhje me 10 parimet bazë për sistemet e pagesave me rëndësi sistemike të përcaktuara nga CPSS/BIS. Megjithatë, rezultojnë ende mangësi në parimet 1, 7 dhe 8.

3.4. Kodi i Praktikave të Mira për Transparencën në Politikat Monetare Financiare.
Një vlerësim i zbatimit të parimeve të këtij kodi është bërë në periudhën 1999-2000 nga misioni i asistencës teknike të Fondit. Në një sy të përgjithshëm, vihen re përparime në drejtim të përmbushjes së kërkesave të kodit në fjalë, të cilat nevojitet të bëhen objekt i një vlerësimi të ri.

3.5. Mbi zbatimin e Parimeve bazë të Bazelit për një mbikëqyrje bankare efektive.
Në hartimin e sistemit rregullator të mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë është mbështetur në përvojën ndërkombëtare si dhe në 25 parimet bazë për një mbikëqyrje efektive të Komitetit të Bazelit – parime që respektohen nga vendet e Bashkimit Evropian.

3.6. Zbatimi i 40 rekomandimeve për luftën kundër pastrimit të parave.
Ndjekja dhe asistenca për këto rekomandime është pjesë e programit të punës së Departamentit të Mbikëqyrjes dhe vlerësimi i zbatimit të tyre, mbështetur në metodologjinë përkatëse është aktualisht në proces.

3.7. Shpërndarja e të dhënave.
Një vlerësim i këtyre standardeve është kryer nga një mision i Fondit Monetar në vitin 2000. Si rezultat i bashkëpunimit me Departamentin e Statistikave të Fondit, që nga vlerësimi i fundit janë regjistruar zhvillime ndër të tjera në drejtim të standardeve të paraqitjes së statistikave monetare e financiare.

4. Informacionin “Mbi ecurinë e tregjeve ndërkombëtare të instrumentave financiarë”.

SHBA
Ekonomia amerikane u rrit me 4.2% gjatë tremujorit të I-rë, si pasojë e nivelit të lartë të konsumit privat dhe publik, si dhe rritjes së investimeve kapitale, kryesisht në teknologji. Treguesit e prodhimit industrial po tregojnë rritje të fortë e të qëndrueshme, ndërsa shifra e fortë e punëzënies në muajin prill konfirmoi prirjen pozitive të nisur që prej fillimit të vitit 2004, duke sugjeruar se tregu i punës po përmirësohet ndjeshëm. Presionet inflacioniste duket se po shfaqen me një rritëm më të lartë se pritjet. Në këto kushte, Fed-i në mbledhjen e fundit la të hapur mundësinë për reduktimin e politikes monetare ekspansioniste që sipas tij ka të ngjarë të behet me një rritëm të moderuar. Tregjet financiare, pas shifrës së fortë të punësimit rivleresuan pritjet per rritje të interesave të Fed-Funds që në mbledhjen e rradhës së Fed-it të muajit qershor, ndërsa çmimet e emetimeve të thesarit shënuan rënie të ndjeshme. Tregu i emetimeve amerikane të thesarit pritet të mbetet nën presionin e rritjes së interesave, ndërkohë që shifrat e ardhshme ekonomike vecanërisht ato të tregut të punës dhe inflacionin do të përcaktojnë momentin e fillimit dhe masën e reduktimit të politikës monetare.

EVROPË
Ekonomia evropiane gjatë tremuajorit të I-rë të vitit 2004 u rrit me 2.4% ne terma vjetore, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, nivel ky pranë potencialit ekonomik të eurozonës. Kërkesa e fortë globale duket se po ndihmon ekonominë evropiane të përmirësohet gradualisht, ndërkohë që konsumi i brendshëm mbetet ende në nivele modeste. Të dhënat ekonomike mujore kane vazhduar të tregojnë një pamje mikse. Ndërsa vëzhgimet e ndryshme si dhe treguesit e besi mit kanë qenë pjesërisht pozitive, të dhënat e ekonomisë reale mbetën të plogëta. BQE-ja vazhdon të besojë në përmirësimin gradual të ekonomisë, e cila do të përshpejtohet gjatë vitit 2005, ndërsa inflacioni në afatmesëm pritet të mbahet nën kontroll, megjithë presionet inflacioniste afatshkurtra si pasojë e rritjes së fortë çmimit të naftës. Çmimet e emetimeve evropiane të thesarit gjatë muajit të kaluar mbetën nën presionin e zhvillimeve pozitive në ekonominë amerikane dhe pritjeve për rritje të Fed-Funds në një periudhë afatshkurtër.