BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 9 shkurt 2005

Data e publikimit: 10.02.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 9 shkurt 2005, pasi shqyrtoi propozimin e Departamentit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

1. Dokumentin "Për misionin e mbikëqyrjes bankare"

Funksioni i mbikëqyrjes ushtrohet nga Banka e Shqipërisë, si bankë qëndrore, në bazë të ligjit "Për Bankën e Shqipërisë" nr. 8269, datë 23.12.1997 dhe të ligjit " Për bankat në Republikën e Shqipërisë" nr. 8365, datë 02.07.1998.

Misioni i mbikëqyrjes

Banka e Shqipërisë, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoriteti mbikëqyrës i bankave dhe i subjekteve të tjera, që kryejnë veprimtari financiare të licencuara prej saj, ka për qëllim që:

  • të sigurojë veprimtari të shëndoshë bankare në harmoni të plotë me / dhe në zbatim të kuadrit ligjor e rregullativ përkatës, me qëllim parandalimin e krizave financiare dhe mbrojtjen e depozituesve
  • të ruajë stabilitetin e sistemit bankar dhe më gjerë, duke monitoruar zhvillimet e tregut dhe duke rekomanduar masat e nevojshme, në mënyrë që bankat t'iu përshtaten këtyre zhvillimeve dhe të administrohen në vazhdimësi sipas parimeve më të mira
  • të forcojë besimin e publikut tek sistemi bankar si edhe të nxisë disiplinën e tregut, duke kërkuar rritjen e transparencës së sistemit bankar
  • të ndikojë në zhvillimin e një konkurrence të ndershme në sistemin bankar dhe më gjerë, dhe të sigurojë trajtimin e barabartë të subjekteve të licencuara dhe të klientëve të tyre
  • të ofrojë një komunikim të vazhdueshëm profesional ndaj operatorëve të tregut finaciar si edhe ndaj institucioneve të tjera që ndikojnë në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të përmirësimit të funksionimit të tregut financiar dhe të operatorëve të tij

Banka e Shqipërisë, do të realizojë funksionin e saj mbikëqyrës, nepermjet:

  • ndërtimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me parimet më të mira ndërkombëtare dhe i zbatueshëm në praktikë
  • inspektimeve në vend dhe analizës së treguesve të institucioneve të licencuara, si edhe ndërmarrjes së veprimeve korrektuese për zgjidhjen e problemeve të ndryshme
  • orientimit të procesit mbikëqyrës drejt identifikimit të rrezikut me të cilin ndeshen institucionet e licencuara, duke rekomanduar zgjidhjet përkatëse
  • ndërtimit të politikave, të cilat synojnë orientimin e sistemit bankar drejt zhvillimeve të dëshiruara
  • bashkëpunimit me institucionet financiare që mbikëqyren, me institucione të tjera financiare brenda vendit si edhe me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të tjera
  • përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse

Në zbatimin e kërkesave të funksionit mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë do të synojë nivelet më të larta të integritetit, të profesionalizmit, të eficiencës dhe të transparencës.


2. Të japë miratimin paraprak të licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, të bankës së propozuar "Union Bank" sh.a.

Mbështetur në konkluzionet e Departamentit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë se nga "Union Bank" sh.a. plotësohen të gjitha kushtet e ligjit nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe kërkesat e akteve nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, në bazë të të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi: "Dhënien e licencës paraprake për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, të bankës së propozuar "Union Bank" sh.a."

Objekti i veprimtarisë së shoqërisë në formim Union Bank do të jetë në perputhje me ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe me licencën e marrë nga Banka e Shqipërisë.

3. Kontratën tip, për marreveshjet e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjes për letrat me vlerë

Në kuadër të përmirësimeve të instrumentave të politikës monetare dhe përafrimit të tyre, me standardet e Bankës Qëndrore Evropiane, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi "Kontratën tip për marreveshjen e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjes për letrat me vlerë". Kjo kontratë që do të lidhet midis Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, përcakton të drejtat dhe detyrimet e palëve në procesin e implementimit të instrumentave monetare. Gjithashtu, hartimi dhe miratimi i kontratës tip për marreveshjen e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjes për letrat me vlerë është dhe një kontribut në krijimin e tregut ndërbankar, sidomos në drejtim të nxitjes së kredidhënies së kolateralizuar.

Kontrata tip për marreveshjen e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjes për letrat me vlerë do të publikohet e plotë në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

4. Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u bënë dhe disa përmirësime në rregulloren "Për dhënie kredie për strehim dhe për përmirësimin e kushteve të banimit të punonjësve të Bankës së Shqipërisë", si dhe u analizua realizimi i prokurimeve në Bankën e Shqipërisë për vitin 2004.