BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 24 nëntor 2004

Data e publikimit: 25.11.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 24 nëntor 2004, pasi shqyrtoi propozimet e Departamentit të Politikës Monetare, vendosi të miratojë:

1. Raportin e Politikës Monetare për muajin tetor të vitit 2004

Mbi zhvillimet kryesore të muajit:

  1. Inflacioni vjetor shënoi 2.0 për qind në muajin tetor duke qenë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni mesatar vjetor ishte 3.1 për qind. Inflacioni mujor në muajin tetor ishte 0.23 për qind.
  2. Faktorët e kërkesës nuk kanë ushtruar presione inflacioniste gjatë muajit tetor. Efekti i rënies sezonale të çmimeve të mallrave ushqimorë ka vazhduar të jetë i pranishëm, duke balancuar inflacionin vjetor të shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në fillim të këtij viti.
  3. Rritja e çmimit ndërkombëtar të naftës nuk ka ndikuar dukshëm në inflacion, kryesisht si pasojë e mbiçmimit të lekut kundrejt dollarit amerikan dhe euros.
  4. Banka e Shqipërisë, në përputhje me politikën e saj monetare, uli me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në datën 11 nëntor. Politika lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka sjellë reduktimin e mëtejshëm të interesave të depozitave në lekë, të tregut primar dhe të atij ndërbankar. Përgjithësisht, gjatë vitit 2004, vihet re një reagim i shpejtë i bankave ndaj sinjaleve të politikës monetare.
  5. Rritja vjetore e ofertës monetare është stabilizuar në nivelin 9.9 për qind në muajin shtator, pas përshpejtimit të shënuar gjatë muajve të verës. Kontributin kryesor në rritjen e ofertës monetare gjatë muajit shtator e kanë dhënë depozitat në lekë.
  6. Pozicioni valutor i sistemit bankar është përmirësuar gjatë muajit shtator. Gjatë këtij muaji është shënuar një rritje prej 31.5 milionë dollarësh në nivelin e mjeteve valutore neto.
  7. Deficiti buxhetor është mbuluar tërësisht nga financimi i brendshëm gjatë muajit shtator. Sistemi bankar ka vazhduar të financojë qeverinë duke blerë bono thesari dhe obligacione qeveritare.
  8. Kredia për ekonominë ka shënuar rritje të kënaqshme gjatë vitit, ndërkohë që është vënë re një zhvendosje e portofolit drejt afateve më të gjata të maturimit. Megjithatë, rritja e tepricës së kredisë për ekonominë shënoi një ngadalësim në muajin shtator, pjesërisht e ndikuar edhe nga efekti i kursit të këmbimit.
  9. Ndërkohë, kursi i këmbimit të lekut kundrejt euros, gjatë periudhës shtator-tetor, ka qenë në përgjithësi i qëndrueshëm, mesatarisht 125.4 lekë/euro. Leku ka vijuar të mbiçmohet kundrejt dollarit amerikan, duke reflektuar dobësimin e dollarit në tregjet botërore.

Rapori i plotë do të publikohet së shpejti në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

2. Në mbështetje të neneve 43 dhe 44 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, zgjodhi dhe emëroi disa drejtues të Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht :

  1. z. Fatos Ibrahimi, në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë.
  2. z. Limos Malaj në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë.
  3. z. Dashamir Halilaj, në funksionin e Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Juridik të Bankës së Shqipërisë.