BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Nëntë Vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 13.12.2023

 

Në datën 13 dhjetor 2023, u zhvillua mbledhja e nëntë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP) në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Mbledhja u drejtua nga zj. Luljeta Minxhozi, Kryetarja e këtij Komiteti dhe Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.

Përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në mbledhje merrnin pjesë dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Endrit Yzeiraj si dhe përfaqësues nga Banka Botërore, Banka e Italisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

498-8767

Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga bankat tregtare, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

Aktiviteti u hap nga Zëvendësguvernatorja Minxhozi dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Yzeiraj, të cilët theksuan rolin e rëndësishëm të Komitetit Kombëtar të Pagesave në zbatimin e reformave strategjike për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

498-8633

Në fjalën e saj, zj. Minxhozi diskutoi mbi përmbushjen e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, ku nga pikëpamja rregullative, u arrit përafrimi i kuadrit tonë me atë të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për shërbimet e pagesave PSD2, ndërsa jemi në fazën e fundit të aprovimit të ligjit për llogarinë e pagesave për shërbime bazike, edhe ky i përafruar me direktivën e BE-së.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa të cilat synojnë rritjen e sigurisë dhe eficiencës së tregut vendas të pagesave, por edhe në integrimin e këtij tregu me atë Evropian dhe angazhimet e Shqipërisë kundrejt projekteve të Ballkanit Perëndimor. 

498-8927

Zëvendësguvernatorja Minxhozi u shpreh se Banka e Shqipërisë ka nisur punën për  anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur u bëmë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. Gjithashtu ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë siç është turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe formalizimin e flukseve të remitancave.

498-9195

Në vijim, zj. Minxhozi gjithashtu u ndal në punën e Bankës së Shqipërisë për implementimin e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta (instant payment) të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, ndërsa sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat.

Për këtë qëllim, po bashkëpunohet edhe me Bankat Qendrore të Sistemit Evropian, si ajo e Italisë, por dhe Bankën Qendrore Evropiane. Implementimi me sukses i këtij sistemi, eventualisht do të krijojë kushtet për integrimin tonë në sistemin evropian TIPS, por mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

498-8826

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimeve infrastrukturore duke u ndalur në miratimin e rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, e cila hyn në fuqi në janar të vitit 2024. Kjo rregullore ka për qëllim të vendosë standarde të sigurta për funksionimin e open banking, si dhe të garantojë sigurinë dhe konfidencialitetin e kryerjes së pagesave nga përdoruesit e shërbimeve të pagesave. Nga ana tjetër, ajo vuri theksin në rëndësinë e madhe që ka progresi i bankave në përgatitjet e veta për zbatimin e standardeve të rregullores. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë po i kushton një vëmendje të veçantë këtij procesi dhe po e monitoron atë nga afër, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet me sukses, brenda afatit të përcaktuar janar 2024.

498-9211

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Yzeiraj përshëndeti realizimin e objektivave të Strategjisë Kombëtare për Pagesat e Vogla, të cilat kanë ndihmuar në zgjerimin e përfshirjes financiare të popullsisë dhe në reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Ai shprehu mbështetjen e Ministrisë për projektet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ndryshimet rregullatore që kërkohen në kuadër të anëtarësimit në SEPA, një objektiv i rëdësishëm ky i qeverisë shqiptare në axhendën e integrimit evropian. Gjithashtu, z. Yzeiraj vlerësoi gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta, si një instrument i cili do të mundësojë zhvillimin e projekteve të tjera të ndërlidhura të qeverisë, si ai mbi zhvillimin e tregtisë elektronike, dixhitalizimit të plotë të fiskalizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve në e-Albania.

498-8617

Mbledhja e Komitetit vijoi me prezantime dhe diskutime teknike mbi kriteret e anëtarësimit në SEPA dhe kërkesat për Shqipërinë; zbatimin e projektit mbi pagesat e shpejta; përditësimin e Sistemeve të Pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë dhe ecurinë e krijimit të kushteve teknike nga bankat për zbatimin e standardeve të sigurisë të kërkuara nga open banking. Mbledhja u mbyll me prezantimin e Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare. Strategjia bazohet në standardet, udhëzimet dhe parimet ndërkombëtare të hartuara nga OECD dhe të miratuara nga G20  dhe përcakton një plan veprimi me objektiva të qarta. Prej vitesh, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë edukimit financiar si një e mirë publike që ndihmon individët të marrin vendimeve të informuara. Me shtimin e kompleksitetit të shërbimeve financiare dhe risitë teknologjike, është e nevojshme që përpjekjet për edukimin financiar të intensifikohen dhe të përfshijnë të gjithë aktorët e tregut.