BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Shtatë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 17.12.2021

 

Në datën 16 dhjetor 2021, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave (KKSP) zhvilloi online mbledhjen e tij të shtatë, nën drejtimin e Kryetares së tij, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Të pranishëm ishin anëtarët e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, përfaqësues nga: Shoqata Shqiptare e Bankave; Komiteti Ndihmës i Pagesave, Kartave, Digjitalizimit dhe Kanaleve Alternative, i krijuar rishtazi nga Shoqata Shqiptare e Bankave me qëllim mbështetjen e objektivave të KKSP-së; përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe aktorë të tjerë të tregut. Gjithashtu, me qëllim mbështetjen e tematikave të diskutuara gjatë mbledhjes, të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga Banka Botërore.

 DSC3703 498

Në fjalën e saj hyrëse, Kryetarja e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, zj. Minxhozi, falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen aktive në përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), e reflektuar në pritshmëritë shumë optimiste për përmbushjen e këtyre synimeve, pavarësisht faktit se nga pikëpamja kohore jemi ende në gjysmën e rrugëtimit. Në vijim, Kryetarja bëri një përmbledhje të masave të realizuara deri më tani, duke u fokusuar si në zhvillimet ligjore e rregullative, të tilla si: hartimi i akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, miratimi i kuadrit rregullativ për debitimin direkt dhe hartimin e projektligjit “Për llogarinë bazike”, ashtu edhe në zhvillimet infrastrukturore. Në këtë drejtim, zj. Minxhozi i kushtoi vëmendje projektit “Për shlyerjen e pagesave në Euro brenda vendit”, i cili tashmë është finalizuar nga pikëpamja infrastrukturore dhe rregullative, dhe në fillim të vitit 2022, do të jetë funksional dhe i disponueshëm për aktorët e tregut.  

 DSC3673 498

Më tej, Kryetarja vendosi edhe një herë theksin mbi rëndësinë që ka edukimi financiar për materializimin sa më efektiv të masave të ndërmarra deri më tani dhe për arritjen e objektivave në vijim. Në këtë kontekst, mbledhja vijoi me analizimin e masave të marra në kuadër të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar. Aktorët e përfshirë në këtë nisëm - Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Shoqata Mikrofinanca Shqiptare - shpjeguan masat e marra nga ana e tyre dhe këndvështrimet në lidhje me përqasjen dhe objektivat e strategjisë. Më tej u bë një prezantim i detajuar nga Banka Botërore, si partneri kryesor ndërkombëtar që po asiston aktorët shqiptarë në hartimin e kësaj strategjie. Prezantimi u fokusua mbi detaje specifike të kësaj strategjie si misioni, vizioni, nevoja dhe arsyet e strategjisë, aktorët, koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, si dhe burimet e financimit të kësaj strategjie.

 DSC3658 498

Në vazhdim, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë prezantuan arritjet e deritanishme, si dhe objektivat për t’u përmbushur në vazhdim në lidhje me Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, si dhe prekën çështje të ndryshme si projekti i debitimit direkt, projekti i shlyerjes së transaksioneve në euro brenda vendit, koncepti i bankës së hapur (open banking) etj.