BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 25.05.2016

 

Në datën 24 maj 2016, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Mbledhja u drejtua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, njëkohësisht dhe Kryetare e këtij Komiteti. Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, si përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, ishin gjithashtu të pranishëm dhe zj. Maria Teresa Chimienti e z. Nenad Bosiljcic nga Grupi i Zhvillimit të Sistemeve të Pagesave pranë Bankës Botërore.

 445 495 mbledhja e dyte e komitetit kombetar te sistemit te pagesave copy 8432 0

Në takim ishin ftuar edhe përfaqësues të institucioneve financiare jobanka, përfaqësues të operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë dhe përfaqësues të shoqërive utilitare.

Në fjalën e hapjes, Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi rolin që luajnë sistemet dhe instrumentet e pagesave në aktivitetin ekonomik dhe rëndësinë e funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në koordinimin e politikave ndërinstitucionale në këtë fushë. Veç të tjerash, zj. Gjoni u ndal më në veçanti në projektet që Banka e Shqipërisë planifikon të ndërmarrë në bashkëpunim me Bankën Botërore në kuadër të promovimit të sigurisë dhe efikasitetit të sistemeve dhe instrumenteve të pagesave.

 495 498 mbledhja e dyte e komitetit kombetar te sistemit te pagesave copy 8431 0

Në diskutimin e saj, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, zj. Milena Harito prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me projektet e ndërmarra në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare nga ana e Ministrisë dhe vlerësoi me rëndësi të veçantë krijimin e urave të komunikimit mes shoqërive utilitare dhe bankave tregtare për realizimin e tyre. Në këtë kuadër, ministrja Harito theksoi se promovimi i mënyrave inovative të pagesave, si ato me celular, vlerësohet të jenë e ardhmja e pagesave. Në fund, zj. Harito veçoi rëndësinë e përdorimit të firmës elektronike në shërbimet bankare.

Zj. Elona Gjebrea, Zëvendësministre e Punëve të Brendshme, diskutoi mbi zhvillimet lidhur me projektin e krijimit të regjistrit elektronik të Gjendjes Civile dhe Adresarit nga ana e Ministrisë, duke përshkruar kryesisht funksionalitetet dhe përfitimet kryesore, ku një nga palët kryesore të interesuara është sistemi bankar.

Nga ana tjetër, Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, z. Ervin Mete, prezantoi kompetencat e Ministrisë që përfaqëson, në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve nga pikëpamja e shërbimeve bankare dhe rëndësinë e krijimit të strukturave dhe procedurave të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Zëvendësministri nënvizoi nevojën për bashkëpunim midis Bankës dhe MZHETTS për transpozimin e disa direktivave dhe rregulloreve të rëndësishme të fushës.

Më tej, gjatë mbledhjes u prezantuan nga ana e Bankës së Shqipërisë arritjet e tre projekteve të ngritura nga rekomandimet e mbledhjes së parë. Më konkretisht, në kuadër të standardizimit të urdhërpagesës u prezantua formati i dakordësuar midis bankave, i cili bazohet në standardet e SEPA"-s. Në lidhje me debitimin direkt ndërbankar u prezantuan arritjet e deritanishme si dhe hapat e nevojshëm për përfundimin e këtij projekti. Së fundi, Shoqata Shqiptare e Bankave prezantoi gjetjet nga matja e kostove të pagesave në euro brenda vendit, ku u theksua se përdorimi i bankave korrespondente jo vetëm mbart kosto të konsiderueshme, por nxit përdorimin e parasë fizike duke gjeneruar kështu kosto të larta për sistemin bankar në kuadër të administrimit të cash-it.

Gjithashtu, në takim u theksua edhe një herë fakti se kuadri ligjor dhe rregullativ i Bankës së Shqipërisë nuk krijon barriera për zbatimin e nënshkrimit elektronik dhe u nënvizua se Banka e Shqipërisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme në këtë drejtim.

Së fundi, përfaqësuesit e Bankës Botërore prezantuan rezultatet paraprake të studimit të kostove të instrumenteve të pagesave nga kahu i kërkesës. Gjetjet e këtij studimi theksuan se cash-i përbën mjetin më të kushtueshëm të pagesës dhe lëvizja nga pagesat cash në ato elektronike mund të ndihmojë ndjeshëm në rritjen e produktivitetit efektiv.

Mbledhja përfundoi me ndërhyrjen e të ftuarve nga institucionet financiare jobanka, të cilët pasi përgëzuan për nismën e ndërmarrë, identifikuan disa fusha bashkëpunimi të mundshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit zhvilluan dhe një vizitë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku shprehën vlerësimet më të mira për këtë nismë të Bankës së Shqipërisë.


"SEPA - Zona e Vetme e Pagesave në Euro, sistem i përdorur në vendet e Bashkimit Evropian për pagesat në euro.