BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbledhja e tretë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 11.05.2017

 

Në datën 9 maj 2017, u zhvillua mbledhja e tretë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Mbledhja u drejtua nga Kryetare e këtij Komiteti zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave si Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Kryetari i Komitetit të Pagesave pranë kësaj shoqate, Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishin gjithashtu të pranishëm dhe z. Mario Guadamillas, Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin, zj. Maria Teresa Chimienti e z. Jose Antonio Garcia, nga Grupi i Zhvillimit të Sistemeve të Pagesave pranë Bankës Botërore dhe zj. Johanna Jaeger, Eksperte në Sektorin Financiar pranë Bankës Botërore.

09052017 1

Në takim ishin ftuar edhe përfaqësues të institucioneve financiare jobanka, përfaqësues të operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë dhe përfaqësues të shoqërive utilitare.

Në fjalën e hapjes, zj. Gjoni, u shpreh se Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave përfaqëson një mundësi për të promovuar zhvillimet e aktorëve të ndryshëm lidhur me instrumentet e pagesave dhe për të diskutuar për projektet në të ardhmen. Në këtë drejtim zj. Gjoni theksoi se strategjia e miratuar nga Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave në mbledhjen e tij të parë shërbeu për të krijuar një udhërrëfyes në linja të përgjithshme për punën e këtij Komiteti, por aktualisht Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore po punojnë për hartimin e një strategjie me hapa konkretë për reformimin dhe zhvillimin e tregut të sistemit te pagesave.

Gjatë fjalës së saj, zj. Gjoni paraqiti edhe tre objektivat kryesorë në lidhje me projektet e ardhshme të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, ndër të cilat theksoi rëndësinë e krijimit të lehtësirave dhe hapësirave të nevojshme ligjore apo rregullative me qëllim nxitjen e përdorimit të instrumenteve inovative dhe të sigurta të pagesave. Më tej, zj. Gjoni shtoi se mbetet e një rëndësie të veçantë rritja e mëtejshme e sigurisë së pagesave me internet, në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Së fundmi, zj. Gjoni nënvijëzoi se rritja e mëtejshme e edukimit të publikut, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare të popullatës është gjithashtu në fokusin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

09052017 2

Përfaqësuesja e Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me projektet e ndërmarra në fushën e inovacionit të lidhur me internetin dhe teknologjinë dixhitale. Në këtë kuadër, përfaqësuesja e Ministrisë theksoi se promovimi i përdorimit të firmës elektronike në shërbimet bankare dhe mënyrat inovative të pagesave mbeten të një rëndësie të veçantë.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, u fokusua në punën e bërë nga institucioni që ajo përfaqëson në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit. Në këtë drejtim, ajo theksoi se Ministria në përmbushje të mandatit të saj është kujdesur për hartimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorit, ndërkohë që rishtazi ka ndërmarrë dhe hapa konkretë në kuadër të trajtimit të ankesave të tyre, duke krijuar strukturat përkatëse. Pavarësisht se këto struktura gjenden në hapat e tyre të parë, reforma territoriale dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor kanë dhënë kontributin e tyre në fushatën sensibilizuese që ka ndërmarrë Ministria. Së fundmi, ajo vuri theksin në rëndësinë e zhvillimit të tregut të pagesave elektronike, shërbim ky që ndikon në zhvillimin e turizmit në vend.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, diskutoi mbi adresimin e krimit kibernetik në shërbimet bankare, duke paraqitur raste konkrete dhe nënvijëzoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të aktorëve me qëllim rritjen e sigurisë në fushën elektronike dhe masat e mundshme për parandalimin e tyre.

Më tej, gjatë mbledhjes Kryetarja e Komitetit, zj. Elisabeta Gjoni, ftoi z. Mario Guadamillas, Manaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin, i cili prezantoi për të pranishmit një panoramë të përgjithshme të masave dhe projekteve që ka ndërmarrë Banka Botërore në nivel ndërkombëtar. Përfaqësues të Bankës Botërore prezantuan në Komitet rezultatet kryesore të dy projekteve në fushën e pagesave në Shqipëri dhe vazhdimin e kooperimit në të ardhmen.

09052017 3

Në vijim, përfaqësuesit e Bankës Botërore prezantuan një përmbledhje të rezultateve dhe rekomandimeve të projekteve të ndërmarra prej tyre në fushën e përfshirjes financiare për nga këndvështrimi i pagesave si dhe në lidhje me projektin e remitancave ndërkombëtare.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave,z. Periklis Drougkas, prezantoi zhvillimet më të fundit të sistemit bankar në kuadër të pagesave elektronike. Më konkretisht elaboroi zhvillimin e platformave për banking-un elektronik nga disa banka. Gjithashtu theksoi risinë e bankave të nivelit të dytë në procesin e verifikimit të identitetit të klientit. Për më shumë, z. Drougkas prezantoi dhe shërbimet inovative të ofruara nga bankat përsa i përket kartave bankare. Së fundi ai bëri një përmbledhje të projekteve të KKSP-së të finalizuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Më tej, zj. Anjeza Beja, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë mbajti një prezantim mbi transpozimin e Direktivës së Shërbimeve të pagesave në tregun e brendshëm si dhe mbi dokumentin me rekomandime të Autoritetit Bankar Evropian (EBA) në lidhje me sigurinë e pagesave me internet.

Mbledhja përfundoi me ndërhyrjen e të ftuarve nga institucionet financiare jobanka, të cilët pasi përgëzuan për nismat e ndërmarra, identifikuan disa fusha bashkëpunimi të mundshme për të ardhmen.

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave në përfundim diskutoi projekt rekomandimet për zhvillimet e mëtejshme në të ardhmen.