BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mblidhen Bankat Qendrore të Eurozonës dhe të Mesdheut, për herë të parë merr pjesë edhe Banka Qendrore e Shqipërisë.
Data e publikimit: 02.12.2008
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, mori pjesë në seminarin e pestë Euro - Mesdhetar të rangut të lartë, i cili i zhvilloi punimet në Aleksandri (Egjipt), në datën 27 nëntor 2008. Ky forum i përvitshëm, i cili ul në një tavolinë bisedimesh përfaqësues të Eurosistemit me bankat qendrore Rajonit të Mesdheut, jo anëtare të Eurozonës, u organizua bashkërisht nga Banka Qendrore e Egjiptit dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të bankave të Eurosistemit, përfshirë zotin Jean-Claude Trichet, President i BQE, zotin Lorenzo Bini Smaghi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE si dhe guvernatorë apo përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Austrisë, Belgjikës, Qipros, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Maltës, Hollandës, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Algjerisë, Egjiptit, Izraelit, Libisë, Libanit, Mauritanisë, Marokut, Autoritetit Kombëtar të Palestinës, Sirisë, Shqipërisë dhe Turqisë.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Bankës Evropiane të Investimeve.
Seminar i pestë konfirmoi angazhimet e mëparshme të një forumi të rregullt periodik, në të cilin merr jetë një dialog aktiv dhe i vazhdueshëm mbi çështje me interes të përbashkët midis vendeve të Mesdheut. Këtë vit seminari u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të kohëve të fundit që po karakterizojnë ekonomitë e Zonës së Mesdheut, në strategjitë e politikave monetare dhe përshtatshmërinë e kurseve të këmbimit, si dhe në tendencat e fundit të sektorit bankar, me një vëmendje të veçantë mbi ndërlikimet që vijnë nga kriza globale financiare.
Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë të pranishmit mirëpritën propozimin e bërë nga organizatorët për përfshirjen e vendit tonë në takimet e ardhshme të këtij forumi, me të drejta të plota.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit ekonomiko financiare në vend, duke u ndalur në veçanti në situatën e sistemit bankar në Shqipëri. Duke qëndruar në të njëjtën linjë me daljet e tij e kohëve të fundit në publik, z. Fullani theksoi se sistemi bankar në Shqipëri nuk rezulton i prekur nga turbullira ndërkombëtare, ndërkohë që rreziqet për të ardhmen më së shumti qëndrojnë mbi aktivitetin e ekonomisë reale.
Për këtë arsye, njësoj siç pasqyrohet edhe në deklaratën zyrtare të këtij evenimenti, z. Fullani theksoi se është e domosdoshme të rritet më tej përdorimi i kredisë bankare nga ana e sektorit privat, pasi vetëm kështu do të mundësohet rritja e prodhimit dhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Mesdheut me ekonominë globale.
Duke klikuar këtu, ju mund të lexoni njoftimin për shtyp të Seminarit të Pestë Euro-Mesdhetar.