BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbyllet cikli i seminareve të Bankës së Shqipërisë për mësuesit e lëndës së ekonomisë të shkollave të mesme, për vitin shkollor 2007- 2008

Data e publikimit: 06.05.2008

 

Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë është përfshirë në disa iniciativa që lidhen me edukimin e publikut në fushën e ekonomisë, të financës dhe të bankës qendrore në veçanti. Në fund të vitit 2007, u firmos edhe një Memorandum Bashkëpunimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit e Shkencës, i cili zyrtarizoi edhe programin e edukimit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme". Ky program, i ideuar në disa drejtime dhe aktivitete, përfshin ndër të tjera, biseda dhe takime me nxënësit në shkollat e mesme, hartimin dhe shpërndarjen e broshurave edukative, vizitat e nxënësve në ambientet e Bankës dhe takimet e tyre me Guvernatorin dhe drejtues të tjerë të saj, organizimin e konkursit për nxënësit e shkollave të mesme "Vlera e vërtetë e parasë", leksionet e hapura të Guvernatorit në auditorët e universiteteve dhe gjithashtu, zhvillimin e një cikli seminaresh për trainimin e mësuesve të lëndës së ekonomisë të shkollave të mesme.

Pikërisht, në datat 5 dhe 6 maj, Banka e Shqipërisë organizoi dhe dyditëshin e fundit të ciklit të seminareve për mësuesit e shkollave të mesme, për vitin shkollor 2007-2008. Kjo seri seminaresh e filluar për herë të parë në qershor të vitit 2007, u zhvillua për këtë vit shkollor në katër takime dyditore, të shtrira në tërë harkun e vitit shkollor. Duke patur si qëllim kryesor njohjen e publikut me Bankën e Shqipërisë, funksionet dhe rolin e saj në ekonominë e vendit, por dhe krijimin e një kulture të përgjithshme financiare, këto aktivitete kanë synuar pikërisht ata, të cilët për shkak të profesionit që kanë përçojnë njohuritë e tyre tek të tjerët, pra mësuesit ose edukatorët e së ardhmes.

Vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili është gjithmonë i kujdesshëm ndaj çështjeve të transparencës dhe edukimit të publikut, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet theksoi që "...ne në Bankë mendojmë që ekonomia dhe financat, si çdo gjë tjetër, duhen mësuar! E sigurisht që vendi më i mirë për të mësuar është shkolla, dhe mësuesit jeni ju!".

Gjithashtu, Guvernatori lançoi një projekt të ri që Banka e Shqipërisë po përgatitet të organizojë për grupin e punonjësve socialë. Duke e parë trajnimin e tyre si sfidën e radhës për punën edukuese të bankës qendrore, ai i konsideroi ata si "ambasadorë" të Bankës në të gjitha rrethet ku do të punësohen. Nëpërmjet tyre synohet arritja tek publiku i përgjithshëm, që ata do të kontaktojë për motive të ndryshme.

Me përfundimin e këtij cikli seminaresh, u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje për të gjithë mësuesit që ndoqën me interes dhe mbështetën këtë iniciativë të Bankës së Shqipërisë.