BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbylli punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë me temë: “Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar – objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie”

Data e publikimit: 27.10.2016

 

Në datën 27 tetor 2016, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit zhvilloi konferencën e saj vjetore me temë: Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar – objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie”. Kjo konferencë u organizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka me Universitetin e Oksfordit.

 arp9052 8879 0

Gjatë punimeve të forumit, pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë gjerësisht për harmonizimin e politikës monetare të ndjekur nga bankat qendrore dhe masat e marra në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar si dhe implikimet dhe efektet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, për vendet e rajonit.

Në përfundim të forumit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko prezantoi për pjesëmarrësit konkluzionet e zhvillimeve të forumit.

  • E ardhmja e Bashkimit Evropian mbetet shqetësimi kryesor për vendet evropiane dhe për rajonin tonë, për të cilin integrimi evropian përbën një prioritet.
  • Një Evropë e fortë është ajo që nevojitet, megjithatë plotësimi i bashkimit (unionit) bankar dhe tregut të kapitalit janë gjithashtu të nevojshëm.
  • Bankat qendrore duhet t’i kushtojnë vëmendje politikës monetare, politikës së kursit të këmbimit dhe stabilitetit financiar.
  • Një rëndësi e veçantë duhet ti kushtohet konsolidimit fiskal dhe reformave strukturore. Bankat qendrore kanë dhënë në vazhdimësi kontributin e tyre të nëpërmjet instrumenteve të reja dhe koordinimit të politikave makroekonomike.
  • Rigjallërimi dhe rritja ekonomike janë ato që gjithkush pret, por kjo nuk mund të vijë pa një kreditim të qëndrueshëm.

Më tej, në emër të Bankës së Shqipërisë dhe Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, Guvernatori Sejko falënderoi pjesëmarrësit e konferencës për kontributin e tyre.

Në mbyllje të forumit, Guvernatori Sejko dhe Drejtori i Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Oksfordit, z. Othon Anastasakis dhanë një prononcim për mediat dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur përfundimet e konferencës, ku theksuan se kjo konferencë ishte mjaft e suksesshme falë shkëmbimit të eksperiencave dhe diskutimeve të frytshme, për rolin dhe strategjitë e ardhshme të bankave qendrore.