BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHYTP
Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizon aktivitetin "Kuriozitete nga Thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare", në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve

Data e publikimit: 19.05.2017

 

Në datën 18 maj 2017, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi aktivitetin me temë "Kuriozitete nga Thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare". Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. Çdo vit, në këtë ditë celebrohet përmes muzeve kudo në botë një tematikë e caktuar në përmbushje të qëllimit të përbashkët, atë të promovimit të historisë dhe kulturës kombëtare. Për vitin 2017, për të gjithë botën, u zgjodh tema "Muzetë dhe historitë e diskutueshme: Të shprehësh të pathënat në muze". Diskutimi mbi të pathënat e kartëmonedhës shqiptare ishte pjesë e këtij diskutimi.

 dsc5806

Në këtë ditë, sikurse mijëra muze në të gjithë botën, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, qëndroi i hapur për të gjithë vizitorët e interesuar, duke e përmbyllur celebrimin me një sesion prezantimesh të organizuar veçanërisht në funksion të temës.

Aktiviteti u çel nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj. Gjatë fjalës së saj zj. Ahmetaj theksoi se kartëmonedhat e një vendi janë pjesë e identitetit kombëtar të tij. "Pikërisht për të ndryshuar këtë kumtim të dobët të mesazhit që përcjellin kartëmonedhat e për të edukuar publikun përmes veprave të artit që dëshmojnë pjesë të identitetit tonë kombëtar, shërbejnë muzetë, shërbejnë aktivitete si ky, shërben misioni i forcimit të ndërgjegjes kombëtare përmes artit të kartëmonedhës shqiptare. Jo më kot numizmatët i shijojnë imazhet dhe ngjyrat e kartëmonedhave. Sepse mbi ato copëza letre, ata janë në gjendje të dallojnë edhe epokat, edhe shkallën e lirisë sociale." - u shpreh ajo.

Fjala e plotë e Zëvendësguvernatores

I ftuar i veçantë i këtij aktiviteti ishte z. Mark Bundy, Menaxher i Vlerësimit Teknik të kartëmonedhave në kompaninë De La Rue, kompani e cila ka realizuar vizatimet e pjesës dërrmuese të kartëmonedhave shqiptare të qarkullimit, si dhe i ka prodhuar ato. Piktori prezantoi për të ftuarit përvojën në skicimin e kartëmonedhave, teknikat e përdorura, si dhe artin e konceptimit, vizatimit dhe më pas dizenjimit të kartëmonedhave bashkëkohore, të ilustruar me foto dhe skica. Gjatë prezantimit të tij, z. Bundy theksoi se për të ka qenë mjaft mbresëlënëse njohja me figurat historike të kombit shqiptar dhe dizenjimi i tyre në kartëmonedhat shqiptare, duke treguar kështu se kontributi që ata kanë dhënë në fushën ekonomike e social-politike të vendit, nuk do të harrohet nga brezat e ardhshëm.

 dsc5924

Më pas aktiviteti vijoi me prezantimin e mbajtur nga zj. Shpresa Lubonja, Përgjegjëse e Zyrës së Muzeut, me temë "Monedhat përkujtimore: mënyrë për promovimin e vlerave historike dhe kombëtare", duke zbuluar për publikun historinë, kuriozitete dhe të pathëna për këto monedha me vlera të veçanta.

Aktiviteti vijoi me një ekspozitë të përkohshme të skicave, vizatimeve dhe materialeve ndihmëse të përdorura për dizenjimin e kartëmonedhave shqiptare.

 dsc5682

Pavarësisht kontaktit të përditshëm me kartëmonedhat, janë të paktë ata që njohin historinë e figurave simbolike të pasqyruara në to apo historinë e realizimit të tyre. Në këtë kuadër, vlerë të shtuar ka sjellë pa dyshim Muzeu i Bankës së Shqipërisë, i cili u inaugurua më 30 tetor 2015. Nga ky moment, mbi 4000 vizitorë janë njohur më nga afër me vlerat historike dhe numizmatike që monedha mbart, përmes ekspozimit të thesareve, koleksioneve të monedhave dhe kartëmonedhave, çeqeve, obligacioneve, letrave me vlerë, bonove lekë, medaljoneve, si dhe objekteve të tjera muzeore, që kanë qarkulluar dhe janë përdorur në territoret historike të vendit, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme.