BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Muzeu i Bankës së Shqipërisë zhvilloi ciklin me leksione ''Netët e Muzeut'', tetor 2022

Data e publikimit: 01.11.2022

 

Muaji tetor përkoi me përvjetorin e 84-t të inaugurimit të ndërtesës së selisë qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipnis (1938), si dhe 7-vjetorin e inaugurimit të ndërtesës së rikonstruktuar dhe të çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë (2015). Në këtë kuadër, gjatë këtij muaji, në datat 6, 13 dhe 31 tetor, Banka e Shqipërisë zhvilloi tre leksione pjesë të ciklit "Netët e Muzeut", që synon të mbledhë dhe integrojë njohuri të reja që hedhin dritë mbi përmbajtjen e monedhës në ekspozitën e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, por jo vetëm.

498 DSC8085

Në fjalën e çeljes së këtij cikli leksionesh, z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, theksoi se Muzeu shërben si urë lidhëse mes Bankës së Shqipërisë dhe publikut. Prej 7 vitesh, Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka pritur vizitorë të shumtë, ku spikat prania e vazhdueshme e nxënësve dhe e studentëve. Gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2022, Muzeu i Bankës së Shqipërisë është angazhuar që, përmes leksioneve në "Netët e Muzeut", të sjellë prezantime interesante nga personalitete të spikatura në fushat e numizmatikës, historisë bankare, ekonomike, edukimit financiar, por edhe disiplinave të tjera si filatelia, arti dhe arkitektura, njëkohësisht duke i ofruar mundësinë pjesëmarrësve të vizitojnë Muzeun pas orarit zyrtar të punës së Bankës. “Me aktivitete të tilla, Banka e Shqipërisë synon që Muzeun, përveç se një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë numizmatike dhe për të marrë njohuri të fushës financiare, ta kthejë në një mundësi për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime e ide”, theksoi z. Tanku.

498 DSC5884

Në datën 6 tetor 2022, u zhvillua leksioni i parë me lektor Dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Departamenti i Historisë Bashkëkohore. Z. Boriçi, prezantoi temën “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kinё, kreditë e akorduara për Shqipërinë nga vendi gjigant aziatik, si dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve”.
Leksioni përfshinte veprimet lidhur me ndihmat ekonomike dhe kreditë që iu akorduan Shqipërisë në harkun kohor prej 24 vitesh (1954-1978), nga Republika Popullore e Kinës, të cilat, sikurse u përmend, kanë qenë jetike për mbajtjen gjallë tё regjimit komunist në Shqipëri.

Në këtë leksion, pjesëmarrësit u njohën me dokumente të mbështetura kryesisht në burime primare autentike arkivore, shqiptare dhe britanike, shumica e të cilave u prezantuan për herё tё parё, si dhe me fakte të sjella nga literatura kombëtare e ndërkombëtare, tё cilat sollën të dhëna interesante për periudhën të cilës i referohej ky leksion. Prezantimi i këtyre marrëdhënieve u konsiderua i rёndёsishёm për tё kuptuar nëse kanë akoma ndikim, në ditët e sotme, kreditë e dhëna për Shqipërinë gjatë periudhës në fjalë.

Në datën 13 tetor 2022, u mbajt leksioni i dytë, me lektor z. Bajram Peçi, botues dhe koleksionist i filatelisë e numizmatikës, aktualisht kryeredaktor i revistës “Koleksionisti”, organ shtypi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. Z. Peçi prezantoi temën "Venediku, monedhat me emërtimin “DALMATIA ET ALBANIA” dhe medaljet e republikës për Skënderbeun”.

498 DSC4911

Prezantimi i z. Peçi u fokusua në disa aspekte të monedhave të emetuara në shekujt XIV–XV, duke përfshirë: shpjegimin e terminologjisë “Numus aureus, numus solides”; argumentet lidhur me kalimin nga njëri emërtim në tjetrin; prezantimin e fakteve lidhur me kohën kur u vendosën për herë të parë venedikasit në Shqipëri; prezantimin e monedhave “Dalmat Alban” në metale argjend dhe bakër, si dhe shpjegime lidhur me simbolet e vendosura në këto monedha. Në këtë prezantim u evidentua historia e gjatë e lidhjeve numizmatike mes Venedikut dhe vendit tonë, duke përfshirë edhe medaljet që Republika e Venedikut i kushtoi Skënderbeut dhe Shqipërisë, si të parat në historinë e kësaj disipline për Shqipërinë.

498 DSC8131

Në datën 31 tetor 2022, u zhvillua leksioni i tretë, me lektor z. Artan Lame, publicist, koleksionist i mirënjohur i numizmatikës dhe medalistikës shqiptare e osmane, nënkryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, studiues i historisë shqiptare, aktivist i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në vitin 2010, z. Lame ishte fitues i çmimit “Book of the year” nga MIC Londër, për librin “Medaljet shqiptare, 1914-2022”, dhe në vitin 2012, në aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me Dekret të Presidentit të Republikës, ai u dekorua me “Medalje Mirënjohjeje”.

Z. Lame prezantoi temën “Qarkullimi i monedhës osmane në territoret shqiptare nga Reforma e Tanzimatit deri në fillimet e shek. XX”. Tema e leksionit erdhi në vijim të asaj të trajtuar nga z. Lame në “Netët e Muzeut” në vitin 2017, për këtë arsye prezantimi nisi me një përmbledhje të historisë së “Monetimit në trojet shqiptare gjatë Periudhës Osmane”, duke kaluar gradualisht në monetimin e periudhës së viteve 1839-1876, gjatë dy reformave të Tanzimatit.

Përmes fotove të monedhave më përfaqësuese osmane, u prezantuan argumente lidhur me zhvillimet e përgjithshme historike dhe ekonomike të Perandorisë Osmane të cilat pasqyrohen ndër të tjera  edhe  në paraqitjen, peshën dhe metalin e monedhave të Perandorisë dhe qarkullimin e tyre në viset e shumta të saj, si dhe ato shqiptare. Ndryshimet dhe më pas ngjashmëritë e këtyre monedhave me ato më përfaqësuese evropiane të shek. XV- XX.  

Leksioni konstatoi se, ashtu sikurse dëshmohet edhe në ekspozitën e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, qarkullimi i monedhave osmane pothuajse merr fund në Shqipëri në vitin 1912, periudhë pas së cilës  qarkullojnë në vendin tonë monedha më së shumti monedha evropiane dhe Dollari Amerikan.