BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Muzeu i Bankës së Shqipërisë zhvilloi dy ekspozita me fotografi në kuadër të ''Netëve të Muzeut'', tetor 2023

Data e publikimit: 03.11.2023

 

Në datat 26 tetor dhe 2 nëntor 2023, në kuadër të ciklit të “Netëve të Muzeut”, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi dy ekspozita me fokus prezantimin e zhvillimit ekonomik dhe marrëdhënieve tregtare me vendet fqinje të qyteteve të Beratit dhe Shkodrës, në shek. XVII - XIX.

 DSC5991 498

 DSC6026 498

Këto ekspozita vijnë në kuadër të angazhimit të Muzeut të Bankës së Shqipërisë për të sjellë prezantime e punime interesante nga personalitete të spikatura në fushat e numizmatikës, historisë bankare, ekonomike, edukimit financiar, por edhe disiplinave të tjera si filatelia, arti dhe arkitektura.

Ndryshe nga tradita e deritanishme, këto dy “Netë Muzeu”, të organizuara në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Berat dhe Drejtorinë e Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Bashkisë Shkodër, sollën për publikun dy ekspozita me fotografi ilustruese të periudhës, si dhe u shoqëruan me kumtesa historike, në formatin e “Muzeut në një valixhe”.

 DSC4825 498

 DSC4628 498

Ekspozita e datës 26 tetor 2023, përmbante gjithsej 18 panele, ku paraqiteshin foto ilustruese nga qyteti i vjetër i Beratit, përmes të cilave evidentoheshin disa nga zhvillimet më tipike të tregtisë dhe ekonomisë së këtij qyteti, në shek. XVII – XIX, si: pazari, mjetet e prodhimit, veshjet tradicionale, orenditë shtëpiake etj. Kjo ekspozitë u prezantua nga z. Miklor Pasku, drejtor i Qendrës Muzeore të qytetit të Beratit, institucion i specializuar dhe arkivor, i cili ka nën varësi dy muzetë e rëndësishëm të këtij qyteti “Muzeun Etnografik” dhe “Muzeun e Ikonografisë Onufri”.

Ekspozita e dytë, e organizuar më 2 nëntor 2023, përmbante gjithsej 16 panele, ku paraqiteshin foto ilustruese të kartëmonedhave lokale të hedhura në qarkullim nga Përlimtarja/Bashkia e qytetit të Shkodrës, si dhe disa nga zhvillimet më tipike të tregtisë dhe ekonomisë të këtij qyteti, në shek. XVII – XIX, si: pazari, mjetet e prodhimit, veshjet tradicionale, orenditë shtëpiake etj. Kjo ekspozitë u prezantua nga zj. Amila Gjyrezi, ish-drejtore e Muzeut Historik të Shkodrës, aktualisht Drejtore e Drejtorisë së Kulturës, Edukimit, Rinisë dhe Sporteve të Bashkisë së Shkodrës.

 DSC4658 498

 DSC5938 498

Prej 8 vitesh, Muzeu i Bankës së Shqipërisë shërben si urë lidhëse mes bankës qendrore dhe publikut, duke pritur vizitorë të shumtë, ku spikat prania e vazhdueshme e nxënësve dhe e studentëve. Organizimi i aktiviteteve të tilla synon pasurimin e informacionit të prezantuar në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, duke shkuar përtej fokusit tradicional të institucionit, me qëllim afrimin e një numri sa më të lartë vizitorësh me interesa të larmishme.