BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit në Fushën e Mbikëqyrjes Bankare midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qëndrore të Malit të Zi

Data e publikimit: 28.04.2005

 

Sot, në datën 27 prill 2005, në mjediset e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e mbikëqyrjes bankare midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi. Memorandumi u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z.Ljubisa Krgovic, ndërsa nga pala shqiptare u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani.

Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e mbikëqyrjes bankare përfaqëson një dokument, i cili përmban parimet mbi marrëdhëniet midis dy institucioneve në drejtim të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të informacionit rreth situatës së sistemeve bankare në vendet përkatëse. Këto parime do të zbatohen në funksion të legjislacioneve përkatëse në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shtron rrugën për bashkëpunim dypalësh në fushën e mbikëqyrjes (dhe në fusha të tjera), si edhe për trajtimin e përbashkët të rasteve të bashkëpunimit mes sistemeve bankare respektive.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit, Guvernatorët e bankave qendrore të të dy vendeve dhanë një intervistë për shtyp. Z.Fullani theksoi rëndësinë e nënshkrimit të këtij memorandumi, si një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe si një kontribut konkret në drejtim të objektivit për zgjerimin e bashkëpunimit në një kuadër më të gjerë rajonal. Ai shtoi gjithashtu se memorandumi do të forcojë bazën ligjore të bashkëpunimit midis dy bankave.

Ndërsa z.Krgovic, në fjalën e tij tha se integrimi dhe stabiliteti financiar është shumë i rëndësishëm për të dy palët, prandaj dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do t'i shërbejë këtij qëllimi. Ai shprehu besimin e forcimit të bashkëpunimit mes të dy institucioneve në vijim.