BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkruhen kontratat "Për marrëveshjet e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjeve të letrave me vlerë" midis Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë

Data e publikimit: 09.02.2007

 

Në datën 9 shkurt 2007, Banka e Shqipërisë zhvilloi seminarin me temë "Zhvillimet e reja në zbatimin e kuadrit operacional të Bankës së Shqipërisë", në ambientet e hotel "Tirana International". Ky seminar u konceptua në formën e një prezantimi dhe diskutimi të kuadrit operacional që Banka e Shqipërisë zbaton në përputhje me rregulloret e reja, të miratuara prej saj. Pjesëmarrës ishin ekspertët e Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Kuadri operacional i Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë zbatohet në përputhje me ligjin "Për Bankën e Shqipërisë" dhe disa rregullore të veçanta, të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, si rregullorja "Mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes", rregullorja "Mbi llogaritjen e normave fikse të interesit në tregun ndërbankar të parasë", rregullorja "Mbi garancitë në operacionet kredituese të Bankës së Shqipërisë". Në bazë të këtij kuadri, Banka e Shqipërisë realizon operacionet e tregut të hapur me bankat e nivelit të dytë, të cilat përfshijnë marrëveshjet për shitjen/blerjen e letrave me vlerë me të drejtë riblerjeje/rishitjeje, me qëllim tërheqjen/injektimin e përkohshëm të likuiditeteve në/nga tregu.

Rregullorja e re "Mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes" është konceptuar më e plotë, duke përfshirë të gjitha procedurat për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes të të gjitha maturimeve njëditore, njëjavore, njëmujore dhe tremujore. Me rregulloren e re, marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes nuk trajtohen më si depozitë apo si hua e kolateralizuar, por ato do të realizohen nëpërmjet blerjes/shitjes, çka përfshin edhe shkëmbimin e pronësisë së letrës me vlerë sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshje. Ky lloj trajtimi do t'i bëjë bankat më të interesuara për të zhvilluar tregun e letrave me vlerë. Ky interesim do të paraprihet domosdoshmërisht nga ngushtimi i diferencës midis çmimit të shitjes dhe të blerjes së letrës me vlerë.

Në përfundim të diskutimeve, u nënshkruan edhe kontratat "Për marrëveshjet e riblerjeve dhe të anasjellta të riblerjeve të letrave me vlerë" midis Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësuesve përkatës të secilës bankë të nivelit të dytë. Kjo kontratë përcakton kushtet kur Banka e Shqipërisë blen nga banka letra me vlerë, me një marrëveshje për të shitur të njëjtën letër me vlerë për qëllime të injektimit të përkohshëm të likuiditeteve ose shet letra me vlerë me marrëveshje rikthimi, për qëllime të tërheqjes së likuiditeteve në mënyrë të përkohshme, nëpërmjet operacioneve me ankande standarde dhe ankande të shpejta.