BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Statistikave

Data e publikimit: 12.05.2008

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Statistikave (INSTAT), zj. Ines Nurja, nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it.

Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Guvernatori Fullani u shpreh se nënshkrimi i këtij memorandumi do të sjellë krijimin e një infrastrukture më solide në bashkëpunimin midis të dy institucioneve nëpërmjet rritjes së standardeve dhe shpërndarjes në kohë dhe me efektivitet të të dhënave. Më tej, Guvernatori Fullani theksoi: "Nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar pa statistika të zhvilluara".

guvernatori ne takimin 3

Nga ana e saj, zj. Nurja nënvizoi se nëpërmjet këtij memorandumi do të sigurohet transmetimi në kohë dhe në formën e duhur i të dhënave statistikore si dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të mbështetur teknikisht dhe metodologjikisht zbatimin efektiv të këtij memorandumi.

Nëpërmjet zbatimit të këtij memorandumi, Banka e Shqipërisë do të rrisë numrin e produkteve statistikore që merren nga INSTAT-i në kuadrin e vlerësimeve të fazës së re të zhvillimit ekonomik në të cilën po hyn vendi. Në të njëjtën kohë, zbatimi i këtij memorandumi do t'i mundësojë INSTAT-it pasurimin e mëtejshëm të spektrit të të dhënave statistikore me të dhëna nga sektori financiar dhe sektori i jashtëm, të cilat prodhohen nga Banka e Shqipërisë.

Plotësimi me saktësi i kërkesave të paraqitura në këtë memorandum, përbën një bazë të mirë edhe për plotësimin e një sërë detyrimeve që kanë statistikat shqiptare, për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Në memorandum përcaktohen detyra konkrete për plotësimin me saktësi të kërkesave të shtruara nga projekti i "Standardeve të Specializuara të Shpërndarjes së të Dhënave" (Special Data Dissemination Standard - SDDS Project) të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mundësojë nga ana statistikore përfshirjen e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare. Ndërkohë, plotësimi i këtyre standardeve si dhe i kërkesave të tjera të parashikuara në programet ekzistuese të zhvillimit të statistikave në institucionet statistikore shqiptare, sigurojnë një shtrat bashkëkohor të plotësimit të standardeve evropiane për statistikat tona.