BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Organizohet nën kujdesin e Guvernatorit Sejko, Mbledhja Vjetore e Bordit Drejtues të Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF)

Data e publikimit: 22.06.2023

 

Në datën 22 qershor 2023, Bordi Drejtues i Qendrës së Ekselencës në Financë (Centre of Excellence in Finance - CEF) zhvilloi mbledhjen e tij vjetore në ambientet e Bankës së Shqipërisë për të: analizuar arritjet e deritanishme; diskutuar planet për të ardhmen; dhe rritur përpjekjet për fuqizimin e institucioneve publike. Bordi Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i këtij institucioni dhe anëtarë të tij janë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare.

Këtë vit, mbledhja vjetore u organizua në Tiranë, nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili ka mbajtur dhe kryesinë e Bordit Drejtues të CEF-it gjatë vitit 2022.

498-9851

Në mbledhje morën pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës Kombëtare të Moldavisë, z. Octavian Armașu; Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Radoje Zugic; Zëvendësguvernatorja e Bankës së Sllovenisë, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zëvendësministri i Financave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve anëtare të CEF-it.

498-0172

Aktiviteti u çel nga Guvernatori Sejko, i cili falënderoi CEF-in për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shprehu bindjen se Shqipëria dhe veçanërisht Banka e Shqipërisë do të vijojnë të thellojnë më tej lidhjet me këtë institucion, duke përfituar nga mundësitë që ky bashkëpunim ofron.

498-0132

Guvernatori shtoi se CEF-i ka qenë një partner i fortë dhe i besueshëm për Bankën e Shqipërisë, duke kontribuuar në mënyrë të veçantë për ndërtimin e politikave që garantojnë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Përmes aktiviteteve të tij, CEF-i ndihmon në arritjen e qëllimeve të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke promovuar institucione efektive, të përgjegjshme dhe të përfshira në të gjitha nivelet. Guvernatori Sejko theksoi se mbetet mjaft i rëndësishëm fuqizimi i institucioneve, me qëllim që ato të jenë të afta të përballen me sfida dhe objektiva të ndryshëm.

498-0102

“Dëshiroj t’i uroj Guvernatorit të Bankës Qendrore të Moldavisë një presidencë të suksesshme të CEF-it, dhe të gjithë anëtarëve dhe partnerëve të CEF-it shumë suksese në arritjen e objektivave të përbashkët për vitin e ardhshëm!” me këto fjalë, Guvernatori Sejko kaloi çelësin e CEF-it, simbol të njohurive dhe suksesit, së bashku me librin me mesazhe nga kryetarët e mëparshëm të Bordit Drejtues për pasuesit e tyre, tek Kryetari i ri i zgjedhur i Bordit Drejtues të CEF-it, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Moldavisë, z. Octavian Armașu.

498-9821

Gjatë takimit, Drejtoresha e CEF-it, zj. Jana Repanšek, theksoi progresin e CEF-it drejt një vizioni për të frymëzuar punonjësit e sektorit publik, qofshin individë apo ekipe, në zhvillimin e një qeverisjeje institucionale që çon në ekonomi të suksesshme dhe shoqëri të drejta. Ajo vuri në dukje se përqasja e CEF-it në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore përqendrohet si në aftësitë teknike dhe në ato joteknike, duke besuar se kjo përqasje shumëplanëshe është thelbësore për të krijuar politika dhe praktika të qëndrueshme, përfshirëse dhe efektive.

498-9797

“Ne e kemi rritur fokusin tonë drejt dinamikave të punës në grup dhe zhvillimit organizativ; kemi forcuar dhe përmirësuar aftësitë e komunikimit si faktorë ndihmues të të mësuarit progresiv. Kjo na mundësoi t’u ofrojmë pjesëmarrësve tanë përvoja mësimore të një cilësie të lartë, t’i mbështesim ata, ekipet dhe institucionet e tyre në rritjen e potencialit të tyre. Për këtë qëllim, kemi publikuar gjithashtu metodologjinë se si institucionet publike mund të ofrojnë dhe shërbejnë edhe si vende ku ofrohet të mësuarit”, - shpjegoi zj. Repanšek.

498-0337

Gjithashtu, zj. Repanšek falënderoi anëtarët e Bordit Drejtues për mbështetjen e tyre në konceptimin e programeve të CEF-it dedikuar të mësuarit dhe shkëmbimit të njohurive në përvoja të vlefshme për punonjësit e sektorit publik në Evropën Juglindore dhe më gjerë. “Mbetemi të angazhuar të rinovojmë dhe përshtatim programet tona për të përmbushur nevojat e të mësuarit në rajon, dhe për të bashkuar punonjësit e sektorit publik në rrugëtimin e shkëmbimit të njohurive rajonale dhe zhvillimit profesional, pasi jemi të bindur në të ardhmen tonë të përbashkët drejt një Evrope të bashkuar”, tha zj. Repanšek.

498-0387

Gjatë këtij takimi, Bordi Drejtues i CEF-it shqyrtoi dhe konfirmoi raportin vjetor të veprimtarisë dhe raportin financiar për vitin 2022. Gjithashtu, gjatë takimit, anëtarët diskutuan mbi drejtimin e ardhshëm dhe programin e parashikuar për vitet 2024-2025.

Përveç takimit të Bordit Drejtues, anëtarët morën pjesë dhe në Konferencën e Nivelit të Lartë “Financat e Gjelbra në Evropën Juglindore - Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi” organizuar nga CEF-i dhe Banka e Shqipërisë. Së bashku me përfaqësues të nivelit të lartë që punojnë në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare në Evropën Juglindore, ata diskutuan përpjekjet e institucioneve të tyre për nxitjen e financave të gjelbra, në përputhje me mandatin e tyre institucional. Pjesëmarrësit diskutuan veprimet fillestare të ndërmarra, sfidat me të cilat janë përballur dhe vizionin e tyre për të ardhmen.

Temat kryesore të diskutimit u zhvilluan rreth rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet dhe mundësitë e ndryshimeve klimatike, ndërtimin e partneriteteve dhe rrjeteve për të mësuar, si dhe për bashkëpunimin, zhvillimin e strategjive dhe udhëzuesve të nevojshëm për të përgatitur aktorët kryesorë për veprime më ambicioze dhe standarde më të shtrënguara mjedisore, sociale dhe të qeverisjes.

Lidhur me financat e gjelbra, Guvernatori Sejko u shpreh se si një institucion publik, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar të kuptojë dhe trajtojë pasojat ekonomike e financiare të ndryshimeve klimatike, dhe për kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Ne po punojmë për të përshtatur kuadrin e politikave tona me këto ndryshime. “Ndarja e njohurive, praktikave, diskutimet, trajnimi i stafit dhe edukimi i publikut, përmes iniciativave si kjo e sotmja, janë të rëndësishëm në këtë proces, dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i dedikojë burime të mjaftueshme studimit dhe modelimit të efekteve të klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.”- shtoi Guvernatori.

Qëllimi i kësaj konference është të kontribuojë për ta bërë Evropën kontinentin e parë neutral ndaj klimës brenda vitit 2050.

≠≠≠

Rreth Bordit Drejtues të CEF (www.cef-see.org/governance)

Bordi Drejtues është organi vendimmarrës i CEF-it. Ai konfirmon raportin vjetor dhe pasqyrat financiare, analizon progresin e bërë dhe trajton çështje të tjera të lidhura me CEF-in. Anëtarët e Bordit përfshijnë ministrat e financave dhe guvernatorë të bankave qendrore të vendeve anëtare të kësaj organizate (Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia). Gjithashtu, tri përfaqësues të Bordit Këshillues janë dhe anëtarë të Bordit Drejtues.

Rreth CEF (www.cef-see.org)

CEF-i është një organizatë ndërkombëtare që ka për mision të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve të punonjësve në sektorin publik dhe institucioneve të tyre në Evropën Juglindore, përmes të mësuarit dhe shkëmbimit të njohurive. Ne jemi lider në zbatimin e qasjeve të të mësuarit të përqendruar te njerëzit dhe në zotërimin e njohurive të nevojshme për të qenë një organizatë mësimdhënëse. Si partner kryesor në mësimin e punonjësve të sektorit publik në Evropën Juglindore, në CEF kemi specifikuar katër prioritete tematike për punën tonë: administrimi i financave publike, bankingu qendror, drejtimi për administrimin e reformave dhe të mësuarit, si dhe ekosistemet e të mësuarit dhe të njohurive.