BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Njoftim për shtyp i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 18.05.2005

 

Një mision i FMN-së vizitoi Tiranën gjatë 4-17 Majit, 2005 për të zhvilluar bisedime për rishikimin e gjashtë dhe të fundit në kuadrin e programit aktual të mbështetur nga FMN-ja "Reduktimi i varfërisë dhe nxitja e rritjes" (PRGF). Misioni ka analizuar zhvillimet makroekonomike dhe ka diskutuar politikat ekonomike për pjesën e mbetur të programit deri në fund të 2005. Ne i përgëzojmë autoritetet për zbatimin e suksesshëm të programit tre-vjeçar deri më tani. Si edhe në rastet e mëparshme, misioni ka gëzuar mikpritjen e ngrohtë të autoriteteve dhe ka patur diskutime mjaft të frytshme, për të cilat ne do të donim të shprehnim mirënjohjen tonë të sinqertë.

Zhvillimet makroekonomike dhe pritshmëritë. Një periudhë e vazhdueshme me politika të matura fiskale dhe monetare i ka lejuar Bankës së Shqipërisë të ulë normat e interesit me 350 pikë bazë që nga fillimi i 2003, ndërkohë që ka mbajtur inflacion të ulët dhe një nivel të mjaftueshëm rezervash valutore. Kjo pasqyron themele më të forta ekonomike dhe besim të rritur të aktorëve të tregut në zbatimin e kujdesshëm të politikave ekonomike nga autoritetet shqiptare. Pjesërisht edhe si rezultat i kostove më të ulëta të huamarrjes, kredia për ekonominë në fund të marsit 2005 u rrit 50 përqind vit më vit, duke mbështetur kështu norma dinamike të rritjes jo-inflacioniste dhe duke rritur rëndësinë relative të sektorit privat si burim punësimi dhe të ardhurash. Rritja e prodhimit vendas, sidomos në bujqësi dhe në energji ka çuar në ulje të importeve në raport me PBB-në, ndërsa volumi i eksporteve ka vazhduar të rritet, duke reduktuar kështu defiçitin tregtar në raport me PBB-në. Të gjithë këto faktorë së bashku tregojnë për një normë rritje prej rreth 6 përqind për vitin 2005.

Marëdhëniet me FMN-në. Programi aktual do të përfundojë në Nëntor të 2005. Qeveria shqiptare (po ashtu si edhe opozita) e ka parë bashkëpunimin si të dobishëm dhe si rezultat ka shprehur interesin për të negociuar një program tjetër me FMN-në. Ne presim të fillojmë negociatat formale sipas kërkesës së qeverisë së re në fund të këtij viti. Marrëveshja pasuese do të synojë të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe të përshpejtojë reformat strukturore, sidomos ato në fushat e administrimit fiskal dhe në zhvillimin e sektorit financiar.

Politikat fiskale. Ndryshe nga vitet e kaluara, grumbullimi i të ardhurave ka qenë në linjë me parashikimet buxhetore. Për këtë ne i përgëzojmë autoritetet. Në përgjithësi, politikat fiskale janë në linjë dhe brenda kufijve të përcaktuar në buxhetin e vitit 2005. Nëse disiplina buxhetore ruhet gjatë gjithë vitit, do të arrihet sufiçiti i parë në veprimtaritë korrente që nga fillimi i tranzicionit. Kjo nënkupton se qeveria do të marrë hua vetëm për të investuar. Konsolidimi fiskal, së bashku me përdorimin e gjysmës së të ardhurave nga privatizimet e mëdha për të reduktuar borxhin e brendshëm, ka çuar në një ulje të borxhit publik të Shqipërisë në më pak se 56 përqind të PBB-së në fund të 2004, kundrejt 65 përqind që ishte në 2002.

Reformat strukturore. Rritja e të ardhurave buxhetore në raport me PBB-në dhe përmirësimi i klimës së biznesit për investimet vendase dhe të huaja do të kërkojë vazhdimin dhe në shumë fusha përshpejtimin e modernizimit të institucioneve fiskale. Një nga sfidat kryesore në afatin e mesëm është përmirësimi i grumbullimit të të ardhurave, duke përfshirë këtu zgjerimin e bazës së taksueshme, forcimin e administrimit në taksa dhe dogana, si dhe formalizimin e veprimtarive ekonomike. Në këtë aspekt, ne e mirëpresim zbatimin e sistemit kompjuterik ASYCUDA në 6 pika doganore dhe e mbështesim fuqimisht përdormin e modulit të vlerësimit të riskut në doganat e Tiranës dhe Durrësit të planifikuar në fillim të korrikut, si një mënyrë për të rritur efektivitetin dhe për të reduktuar hapësirat për abuzivizëm të zyrtarëve publikë. Është e qartë se përparimi në rritjen e nivelit të investimeve të huaja dhe reduktimi i shkallës së lartë të ekonomisë informale mund të bëhet vetëm me një sistem modern të administrimit tatimor. Misioni është i inkurajuar nga progresi i bërë për pagesat e rrogave të punonjësve të sektorit publik nëpërmjet sistemit bankar. Ne kemi besim se reformat në këto fusha do të vazhdojnë gjatë dhe pas periudhës elektorale.

Sfidat afat-mesme. Megjithë përmirësimet në pamjen e përgjithshme makroekonomike, një rritje ekonomike e nxitur nga eksportet ende nuk ka zënë rrënjë dhe vazhdon të pengohet nga mungesa në infrastrukturë dhe dobësi institucionale. Në kuadrin e një defiçiti ende të lartë tregtar dhe rënies së mundshme me kalimin e kohës të transfertave të jashtme (duke përfshirë këtu dërgesat e emigrantëve), impulsi i rritjes duhet të vijë nga rritja e produktivitetit në sektorin privat. Shqipëria ka nevojë për të tërhequr investime direkte të mëdha strategjike të nevojshme për të rritur pjesën e vet të tregut si në tregun vendas dhe në ato të huaja. Progresi në këtë drejtim do të kërkojë investime publike në infrastrukturë, po ashtu si dhe përmirësime të prekshme në integritetin e institucioneve publike dhe të klimës së biznesit në përgjithësi. Në këtë drejtim ne do të mirëprisnim një përfundim të suksesshëm dhe të shpejtë të privatizimit të Albtelekomit, i cili duhet të çojë në përmirësimin dhe në një ofertë më konkuruese të shërbimeve të telekomunikacionit dhe menaxhim më të mirë. Institucione të tjera ndërkombëtare, përfshirë këtu BE, Bankën Botërore dhe OSBE-në, e mbështesin aktivisht qeverinë në forcimin e shtetit ligjor, regjistrimin dhe respektimin e të drejtës së pronës dhe reformimin e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë që të gjitha këto janë thelbësore për përmirësimin e klimës së biznesit.

Politikat në 2005. Ne jemi të inkurajuar që për pjesën e mbetur të vitit, deri në hartimin e një programi pasues, Shqipëria mbetet e angazhuar për politika të orientuara nga stabiliteti makro-ekonomik dhe për reformat strukturore në proces. Në mënyrë të veçantë këto përfshijnë (i) politika fiskale në përputhje me buxhetin e vitit 2005; (ii) reforma strukturore në administrimin fiskal, veçanërisht në taksa dhe dogana; si dhe (iii) reforma për të nxitur zhvillimin në sektorin financiar dhe modernizimin e sektorit të elektricitetit.

Edhe një herë, ne i falenderojmë autoritetet për mikëpritjen e tyre që e vlerësojmë shumë dhe për bashkëpunimin.

Julio Escolano Jan-Peter Olters
Shef i Misionit Përfaqësues i Përhershëm