BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Organizohet dita e Bankës së Shqipërisë pranë Universitetit Evropian të Tiranës

Data e publikimit: 04.02.2008

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajti sot një leksion me temë "Banka e Shqipërisë - hap pas hapi drejt konvergjencës", në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës. Ishin të pranishëm në sallën e universitetit rreth 200 studentë e pedagogë të tij, si edhe mjaft drejtues e specialistë të Bankës së Shqipërisë.

Leksioni ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara në këtë Universitet, me rastin e Ditës së Bankës. Banka e Shqipërisë, në kuadrin e intensifikimit të përpjekjeve të saj në fushën e edukimit, ka ideuar edhe organizimin e një dite të veçantë me biseda, prezantime, aktivitete apo vizita të organizuara në Bankën e Shqipërisë nga grupe nxënësish e studentësh.

guvernatori ne takimin 3

Në leksionin e tij, z. Fullani trajtoi çështjen e konvergjencës, domosdoshmërinë për të ndërmarrë reforma të thella strukturore, për t'u ndalur në fund në rolin e Bankës së Shqipërisë në tërë këtë proces.

Konvergjenca është një term që shpreh aftësinë e ekonomive në zhvillim për të arritur mirëqenien e ekonomive të zhvilluara. E thënë thjesht, konvergjenca nënkupton rritjen e të ardhurave për frymë në një ekonomi drejt një niveli të paracaktuar të arritur nga ekonomitë e zhvilluara. Që një ekonomi më pak e zhvilluar të konvergojë drejt një ekonomie të zhvilluar duhet që të ardhurat për frymë ose norma e rritjes së ekonomisë të pazhvilluar të jetë më e shpejtë se rritja ekonomike e vendit të zhvilluar.

Me fjalë të tjera, konvergjenca kërkon ngritjen e një sistemi ligjesh, rregullash, tregjesh, marrëdhëniesh, institucionesh, sigurie dhe mbështetjeje financiare, që do të garantonin kushtet për adoptimin e teknologjive të reja dhe kanalizimin e tyre në aktivitetin ekonomik dhe materializimin në produkte përfundimtare më shpejt se ekonomitë e tjera.

Po kështu, z. Fullani vlerësoi si jetike edhe nevojën për reforma të vazhdueshme strukturore. Këto të fundit, mbeten të një rëndësie të veçantë veçanërisht në drejtim të materializimit të një konvergjence reale. Reformat strukturore duhet të synojnë mbrojtjen e interesave publikë dhe të garantojnë barazi dhe lirinë e tregut. Ato nuk mbështesin grupe të veçanta dhe nënkuptojnë përgjegjshmëri. Nga ana tjetër, liria është përgjegjësi e për rrjedhim, janë pikërisht reformat strukturore ato që garantojnë respektimin e rregullave të lojës, duke kontribuar në zhvillimin harmonik dhe të qëndrueshëm të ekonomisë.

Në vazhdim, z. Fullani u ndal në rolin e Bankës së Shqipërisë në këtë proces ku theks i veçantë iu vu nevojës për integrim financiar, rolit të tregut financiar, domosdoshmërisë për t'i përsosur ato më tej dhe kujdesit për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Ashtu si dhe në raste të mëparshme, z. Fullani evidentoi një grup masash që ka adoptuar Banka e Shqipërisë në lidhje me eficiencën e tregut financiar në Shqipëri, duke gjykuar se integrimi financiar, para së gjithash nënkupton integrim me tregjet globale, në fund të fundit shanse për konvergjencë.

Më pas, studentët ndoqën dhe njëkohësisht u bënë bashkëbisedues me specialistë të Bankës së Shqipërisë, në tema rreth bankës qendrore dhe funksionit të saj, rolit që ajo luan në ekonominë dhe mirëqenien e një vendi; zhvillimeve të sotme në bankingun modern dhe produkteve më të fundit që ky ofron; financave personale etj..

Në aktivitetet e organizuara gjithashtu, ishte përfshirë edhe prezantimi i botimit më të fundit edukativ të Bankës së Shqipërisë: "Bankat në epokën e internetit". Rreth kësaj broshure, u zhvillua një bisedë më e detajuar me grupin e interesuar të studentëve, të cilët drejtuan pyetje dhe morën informacion edhe rreth zhvillimeve teknologjike që mundësojnë shërbimet moderne të bankave sot. Kështu, një vend të rëndësishëm zuri shpjegimi i rolit të Bankës së Shqipërisë në funksionimin e sistemit të pagesave në vendin tonë.

Për studentët u shpërndanë pyetësorë, ku ishin listuar çështje rreth të cilave ata kanë interes të diskutojnë, në një kohë të dytë, me specialistë të Bankës. Kështu, do të mund të krijohet një urë komunikimi më e drejtorientuar nga kërkesat e këtij grupi interesi.

Në ditët në vijim, Guvernatori do të zhvillojë takime të tjera, me studentë të universiteteve të vendit.