BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Parlamenti miraton ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë"

Data e publikimit: 13.12.2006

 

Parlamenti miratoi në parim dhe nen për nen, ligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Ligji i ri është një nismë që synon harmonizimin e legjislacionit bankar shqiptar me Direktivat e Bashkimit Evropian, pas nënshkrimit nga ana e Shqipërisë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Ky ligj përfshin të gjitha sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe opinionet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, si grup interesi.

Ndryshimet në ligj parashikojnë zgjerimin dhe përmirësimin e disa fushave të aktivitetit bankar si mbikëqyrjes, licencimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja, organizimin dhe drejtimin e bankave vendase dhe të huaja si dhe administrimin e rrezikut.

Kjo nismë ligjore përshtat praktikat më të mira ndërkombëtare në forcimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit, si dhe forcon masat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë në emër të mbrojtjes së integritetit të sistemit bankar. Ligji, gjithashtu zgjeron kuptimin e "veprimtarisë bankare" duke shtuar edhe "emetimin e mjeteve të pagesës në formën e parasë elektronike".

Ligji rregullon raportet e mjaftueshmërisë së kapitalit, duke marrë masa për një administrim akoma më rigoroz të rrezikut. Një tjetër risi në fushën e mbikëqyrjes përfshin detyrimin e degëve të bankave të huaja që në çdo kohë, të mbajnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë një nivel të caktuar asetesh likuide, të cilat do të shërbejnë si garanci për përmbushjen e detyrimeve të degës ndaj depozituesve dhe kreditorëve të saj në Shqipëri. Në ndryshim nga ligji në fuqi, ky ligj përcakton për herë të parë mbikëqyrjen e konsoliduar në zbatim të parimeve të Bazelit dhe të standardeve të përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Evropian.

Ligji parashikon dispozita, të cilat synojnë mbrojtjen e klientit në marrëdhëniet e tij me bankat, si dhe detyrimin e bankave për të informuar klientin rregullisht gjatë marrëdhënies së saj me të. Miratimi i këtij ligji pritet t'i hapë rrugë edhe krijimit të Regjistrit të Kredive brenda Bankës së Shqipërisë, që synon të ndihmojë bankat të minimizojnë rrezikun e kredisë.