BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Për leksionin mbi lidhjen midis transparencës dhe përqindjes së interesit, Hotel Tirana International, 22 gusht 2007

Data e publikimit: 22.08.2007

 

Në datën 22 gusht 2007, në ambientet e hotel "Tirana International", në vijim të leksioneve të personaliteteve të shquara nga bota e financës dhe e akademisë, Banka e Shqipërisë organizoi takimin e titulluar "A reduktohen normat e interesit nga transparenca e bankës qendrore?".

I ftuar në këtë takim ishte akademiku i mirënjohur në fushën e transparencës së bankave qendrore, z. Sylvester Eijffinger, profesor në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tilburgut në Hollandë. Lektori Eijffinger, i njohur si "themeluesi" i indeksit të transparencës ka dhënë leksione mbi këtë argument në Komisionin Evropian, Rezervën Federale, Bankën Qendrore Evropiane, Bankën e Anglisë, Bankën e Gjermanisë, Bankën e Italisë si dhe mjaft banka të tjera qendrore. Ai njëkohësisht është autor i shumë artikujve, materialeve të diskutimit dhe librave të ndryshëm në fushën e politikës monetare, transparencës së bankës qendrore, integrimit ekonomik dhe monetar, stabilitetit financiar si dhe çështje të tjera institucionale të bankave qendrore.

Transparenca përbën një element mjaft të rëndësishëm në aktivitetin e një banke qendrore, duke ndikuar në rritjen e efektshmërisë së transmetimit të politikës monetare. Transparenca e një banke qendrore duke i ofruar informacion aktorëve të tregut dhe publikut të gjerë siguron mbështetjen e tyre për arritjen e objektivit kryesor të saj, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Njëkohësisht, ajo ndikon në rritjen e kredibilitetit dhe përgjegjshmërisë së bankës qendrore ndaj publikut të saj për marrjen e vendimeve të politikës monetare.

Në këtë kuadër, nisur nga rëndësia gjithnjë e më e madhe që ajo po fiton, Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka njohur një rritje të theksuar të transparencës së saj, duke publikuar periodikisht dhe në mënyrë të rregullt raporte, deklarata, njoftime për shtyp, materiale diskutimi si dhe shumë informacione të tjera lidhur me aspekte të ndryshme të veprimtarisë së saj. Rritja e vazhdueshme e transparencës ka bërë që ajo të rradhitet ndër bankat qendrore me një nivel të lartë transparence, pavarësisht historikut të saj relativisht të shkurtër.

Banka e Shqipërisë jo vetëm publikon dhe shpërndan informacion periodik mbi aktivitetin e saj, por gjithashtu ka ndërmarrë iniciativa të ndryshme për të organizuar takime me aktorët e tregut, me komunitetin bankar e financiar, me biznesin, me akademikët dhe universitetet, me mediat dhe publikun, me qëllim kuptimin e drejtë të vendimeve të marra prej saj. Tashmë edukimi i publikut përbën një sfidë të vazhdueshme për Bankën e Shqipërisë, e cila beson se kjo ndihmon në zhvillimin e një mjedisi të përshtatshëm ekonomik që vepron dhe reagon në përputhje me vendimet e bankës qendrore.

Në takim ishte i pranishëm edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili në fjalën e tij u shpreh se: "Rritja e transparencës në këto përmasa shpreh qartë obligimin e Bankës së Shqipërisë për të përmbushur kërkesat për përgjegjshmëri, si një banke qendrore me një shkallë të lartë pavarësie, dhe si parakusht për zbatimin e regjimit të shënjestrimit të inflacionit. Nëpërmjet transparencës, ne synojmë të ruajmë dhe të forcojmë besueshmërinë e publikut dhe të agjentëve ekonomikë ndaj Bankës së Shqipërisë dhe angazhimeve të saj.

Në përfundim, Guvernatori Fullani ka kërkuar që edhe sistemi bankar të rrisë më tej transparencën e tij me publikun, veçanërisht në drejtim të shpjegimit të thjeshtë dhe të sinqertë të produkteve që ai ofron, të komisioneve që aplikon si dhe publikimin në kohë dhe me cilësi të rezultateve financiare sipas detyrimeve ligjore.