BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Përforcimi i bashkëpunimit midis Autoriteteve Mbikëqyrës Bankare të Evropës Juglindore

Data e publikimit: 22.02.2010

 

Me ftesë të z. Mugur Isãrescu, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, Guvernatorë dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Bosnje - Hercegovinës, Bankës Kombëtare të Bullgarisë, Bankës së Greqisë, Bankës Qendrore të Malit të Zi, Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, Bankës Qendrore të Qipros, Bankës së Shqipërisë, si dhe kryetarë të autoriteteve bankare në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Republikën Serbe, zhvilluan një takim në Sinaia, Rumani, në 19 shkurt 2010.

governors meeting nbro february 2010 3104 0

(Nga e majta) Z. Ioannis Gousios, Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes, Banka e Greqisë, z. Florin Georgescu – Zëvendësguvernatori i Parë, Banka Kombëtare e Rumanisë, z. Ivan Iskrov – Guvernator, Banka Kombëtare të Bullgarisë, z. Mugur Constantin Isarescu – Guvernator, Banka Kombëtare e Rumanisë, z. Athanasios Orphanides – Guvernator, Banka Qendrore e Qipros, z. Radomir Bozic – Zëvendësguvernator, Banka Qendrore e Bosnje-Hercegovinës, z. Fatos Ibrahimi – Zëvendësguvernator i Parë, Banka e Shqipërisë, z. Dimitar Bogov – Zëvendësguvernator, Banka Kombëtare e Bankës së Maqedonisë.

Ky ishte takimi i katërt në kuadër të Memorandumit shumëpalësh të Mirëkuptimit, të nënshkruar në Athinë në korrik të vitit 2007, i cili synon rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e mbikëqyrjes bankare në Evropën Juglindore dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në rajon.

Gjatë takimit, bisedimet u përqendruan në zhvillimet e fundit makroekonomike dhe ato të tregut financiar, kushtet dhe opinionin e bankave, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator në rajon. Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se, pavarësisht nga krizës globale financiare, sistemi bankar i secilit vend në Evropën Juglindore mbetet i shëndoshë dhe i mirëkapitalizuar. Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan rëndësinë e madhe të bashkëpunimit dhe koordinimit midis bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse në rajon në mënyrë që të kufizojnë efektet direkte dhe indirekte të krizës globale financiare dhe për të rikthyer besimin dhe për të siguruar vazhdimin e stabilitetit financiar.

Takimi ishte një mundësi e mirë për të përforcuar rolin mbështetës të vendeve anëtare të BE brenda rajonit në dhënien e përvojës në fushën e mbikëqyrjes për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për BE. Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan rolin kyç të Kolegjeve të mbikëqyrësve, të krijuar kohët e fundit dhe që veprojnë nën kuadrin e udhëzimeve të Komitetit të Mbikëqyrësve Bankarë Evropianë, në vlerësimin dhe trajtimin e rreziqeve me të cilat përballen grupet bankare, si dhe në promovimin e një platforme eficiente dhe efektive të mbikëqyrjes. Kjo platformë do të lehtësojë gjithashtu vlerësimin e përbashkët të nevojave të kapitalit të të gjitha institucioneve që veprojnë në rajon, duke marrë parasysh profilet e rrezikut dhe mbrojtjen e interesave si të vendeve anëtare ashtu edhe të vendeve pritëse.

Në përfundim të takimit, u ra dakord që takimi i ardhshëm i Guvernatorëve të Evropës Juglindore të zhvillohet vitin e ardhshëm në Qipro.