BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Përfundon punimet Forumi i Hapur "Parakushtet për Shënjestrimin e Inflacionit në Shqipëri", organizuar nga Banka e Shqipërisë, Tiranë, 1-2 dhjetor, 2005

Data e publikimit: 02.12.2005

 

Forumi i Hapur ishte një takim dyditor, i Bankës së Shqipërisë në të cilin ishin ftuar ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar hapur dhe me profesionalizëm mbi ardhmërinë e politikës monetare në Shqipëri. Për këtë qëllim nga ana e Bankës së Shqipërisë ishte përgatitur një dokument teknik, i cili u prezantua dhe më pas iu nënshtrua ekspertizës së të ftuarve të veçantë dhe auditorit në përgjithësi. Forumi u mbajt në tre panele, ku në secilin prej tyre në mënyrë respektive u diskutuan marrëdhëniet institucionale, kuadri teorik i shënjestrimit të inflacionit si dhe çështje që lidhen me qeverisjen e Bankës së Shqipërisë.

Në këtë takim, Banka e Shqipërisë kishte për qëllim të sillte edhe njëherë në qendër të debatit publik një çështje shumë të rëndësishme, që lidhet me ecurinë afatmesme dhe afatgjatë të politikës monetare në Shqipëri. Në mënyrë më konkrete, gjatë punimeve të këtij forumi u prekën dhe u shqyrtuan çështje që lidhen me regjimin politik monetar të së ardhmes, duke i vënë theks adoptimit të mundshëm të regjimit të inflacionit të shënjestruar. Pavarësisht specifikave teorike që ka ky regjim, ndërmjet ekspertëve të ndryshëm ekziston opinoni se elemente të veçanta dhe shumë të rëndësishme të këtij regjimi, kanë kohë që zbatohen në kuadrin aktual të politikës monetare. Megjithatë, mbetet që edhe një herë nga ana e ekspertëve vendas dhe të huaj të sillen argumente pro dhe kundër duke synuar evidentimin e një konkluzioni të qartë në lidhje me zbatimin e plotë të tij në të ardhmen apo jo?

Nga ana tjetër, një element shumë i rëndësishëm që u shqyrtua gjatë forumit lidhej me ngritjen e marrëdhënieve të Bankës së Shqipërisë me aktorët e tjerë institucionalë, përfshi dhe qeverinë dhe institucionet ndërkombëtare, në një nivel më të lartë. Rëndësi të veçantë mori harmonizimi gjithnjë e më i mirë i dy politikave bazë në ekonomi, me një theks të veçantë mbi reduktimin e monetizimit të deficitit fiskal në të ardhmen, si një nga direktivat kryesore në fushën e konvergjencës nominale me Bashkimi Evropian.

Një vend i veçantë iu la edhe problemeve që lidhen me qeverisjen e Bankës së Shqipërisë, duke nënkuptuar të gjitha çështjet e lidhura me të: vendimmarrjen, transparencën, llogaridhënien dhe pavarësinë e insitucionit. Në këtë drejtim, u hodh ideja e krijimit të strukturave të specializuara në vendimmarrjen e politikës monetare, duke përfshirë dhe mënyrat respektive se si këto struktura do të japin llogari.

Të ftuarit në këtë Forum të Hapur ishin ekspertë të njohur në fushën e ekonomisë dhe të financave, ndërkohë që disa prej tyre prej disa kohësh janë zëra të njohur në fushën e vendimmarjes së politikës monetare dhe asaj fiskale. Pjesëtarë të paneleve të këtij Forumi ishin Ministri i Financave të Republikës së Shqipërisë, zoti Ridvan Bode, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve (BIS), zoti Malcom Knight, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Çekisë, zoti Zdenek Tuma, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, zoti Radovan Jelasic, Zëvendësguvernatori i Bankës së Rezervës Federale të Filadelfias, zoti William Stone, përfaqësues të lartë të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Komisionit Evropian, si dhe ekspertë të njohur të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

bank 3993 1005 0

Të ftuar në sallë ishin përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, ku veçohet prania e zotit Michel Svetchine, Drejtori i Përgjithshëm i BPK, zotit Ljubisa Krgovic, Guvernator i Bankës Kombëtare të Malit të Zi, zotit Fadil Bajrami, Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Maqedonisë. Gjithashtu, në forum merrnin pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Italisë, Finlandës dhe Polonisë, ndërkohë që nuk mungoi as prania e përfaqësuesve të sistemit bankar, të ekzekutivit shqiptar, të botës akademike dhe rrjetit të OJQ-ve, të medias, përfshirë dhe përfaqësi të ndryshme diplomatike të akredituara në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë është e bindur se konkluzionet e këtij forumi do të jenë një lëndë e parë për punën e saj në muajt që do të vijojnë. Plotësimi i shumë prej parakushteve që zakonisht shoqërojnë adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar, janë të një rëndësie të madhe që lidhen drejpërdrejt me një eficiencë më të madhe të vendimmarjes politike të Bankës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, ne e vlerësojmë maksimalisht axhendën e detyrave specifike që do të dalin nga ky forum, duke i vlerësuar ato në një kontekst më të gjerë: konsolidimit të mëtejshëm të stabilitetit të vendit dhe aspiratës sonë kombëtare për antarësim në Bashkimin Evropian.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar për përmbushjen në kohë dhe me cilësi të këtyre detyrave, duke marrë të gjithë hapat e nevojshëm, përfshi konsultimet dhe asistencën e gjithanshme të institucioneve të specializuara ndërkombëtare, si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian.